07 Korrik 2020

Gjermania do të mbështes Kosovën edhe në të ardhmen

Prishtinë, 13 prill - Kryetari i Kuvendit të  Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Punë të Brendshme të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga Gunter Baumann, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në vend dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i ka uruar mirëseardhje delegacionit gjerman, e ka njoftuar atë me proceset në Kosovë dhe me punën e funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Krasniqi ka thënë se Kosova po krijon traditë demokratike, ndërsa perspektiva dhe angazhimi i institucioneve të saj janë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tjera euroatlantike.

Kreu i Kuvendit ka vlerësuar se gjendja në Kosovë është stabile, dhe në këtë aspekt ka veçuar rolin e KFOR-it, në kuadër të të cilit veprojnë edhe ushtarë gjermanë. Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar deputetët e Bundestagut edhe për të arriturat e tjera në Kosovë, si: zhvillimin ekonomik, decentralizimin dhe integrimin e komuniteteve, Strategjisë për Veriun etj.

Delegacioni gjerman është njoftuar nga kryetari i Kuvendit edhe me procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe të mbrojtjes së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe me synimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në OKB.

Duke dhënë një pasqyrë të strukturës dhe të punës së Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka shfaqur interesimin e legjislativit për të thelluar bashkëpunimin me Bundestagun gjerman. Krasniqi i ka falënderuar parlamentarët gjermanë për mbështetjen në vazhdimësi që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset që e kanë përcjellë atë, si dhe për prezencën civile dhe ushtarake të saj në Kosovë.

Udhëheqësi i delegacionit nga Bundestagu gjerman, Gunter Baumann, nga ana e tij, potencoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimet pozitive në Kosovë, të cilat, siç tha ai, janë mbështetur përmes programeve të ndryshme. Ai tha se qëllimi i kësaj vizite është të shihet se deri ku kanë arritur këto programe, të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, të drejtësisë, riatdhesimin e kosovarëve etj.

Bauman theksoi se gjatë kësaj vizite ka konstatuar që Kosova është në rrugë të drejtë dhe se është vlerësuar se ajo po lëviz drejt Bashkimit Evropian. Ai tha se Gjermania e mbështet këtë rrugë të Kosovës për në BE. “Kemi parë shumë zhvillime të tjera pozitive në Kosovë. Rinia e saj paraqet një potencial për ndërtim dhe zhvillim të vendit”, theksoi Baumann.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Korrik 2020

- Dr. Basri Sejdiu do të mbajë konferencë për media lidhur me vendimin e Bordit Drejtues për shkarkimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK. (QKUK, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë Selim Selimi do të vizitoje Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Komunës së Prishtinës, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj takim me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami me të cilën do të bisedoj lidhur me pagesën e pagave të  punëtorëve nga pakoja emergjente, tërheqjen e mjeteve për punëtorë nga fondi i kursimeve si dhe eliminimin e gabimeve teknikeve gjatë  aplikimit për pakon fiskale emergjente. (Kabineti i ministres Bajrami, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi pas takimit me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami do të mbaj konferencë për shtyp, ku do të ju njoftojë lidhur me këtë takim. (Zyret e Sindikatës në objektin e ish Gërmisë, ora 11:45)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet nënkryetari Besnik Bislimi. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Me hapjen e ekspozitës multimediale në hapësirat e SENSE Qendrës në Pulë, Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë nisin kampanjën me titull: Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit në ditën kur në vitin 1995 ka rënë Srebrenica. (Transmetim direkt livestream http://srebrenica.sensecentar.org, ora 17:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Malësi e Vogël dhe Gexhë. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Skender Kastrati” në fshatin Malësi e Vogël, ora 19:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Ratkoc, Dejnë, Vrajak dhe Bratotin. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në fshatin Ratkoc, ora 20:00)