24 Prill 2024

Gani Krasniqi ngushllon familjën Limaj

Prishtinë, 5 janar - Tri ditë pas ngjarjes tragjke në banjë të Malishevës, Gani Krasniqi, tre djemtë e të cilit janë në burg, është rrëfyer për herë të parë për gjithë historinë që shumë lidhet me emrin e tij këtyre ditëve.

Ai nuk ka folur për mediat, duke thënë se e respekton dhimbjen e familjes Limaj, dhe tek më pastaj do të rrëfehet. Kështu edhe ka vepruar, ndërsa thotë se \"ngjarja nuk ka ndodhur me dëshirën dhe dijeninë\" e tij. Ai e pranon se vrasja është bërë, dhe për këtë është penduar edhe djali i tij. Ndërsa flet për një jetë të tërë që ia ka kushtuar çështjes kombëtare.

Letre publike drejtuar mediave:

Jam Gani Krasniqi

Një jetë të tërë familja ime dhe unë ia kam kushtuar çështjes së madhe të lirisë së atdheut, të atdheut historik, që njihet me emrin Shqipëri. Në jetë të tërë kam luftuar që të mos ketë gjakderdhje dhe vrasje në mes të shqiptarëve. Dëshmi e kësaj është e tërë jeta ime, ata që duan ta njohin, ata që kanë sy e vesh, nëse nuk i ka verbuar dhe shurdhuar politika e ditës, që ka kriminalizuar çdo gjë në jetën tonë, deri edhe familjen, që është e shenjtë.

Me keqardhjen më të madhe njerëzore unë i shpreh ngushëllimet e mia dhe të familjes sime, familjes së të ndjerit Skënder Limaj. Marrë pjesë në dhembjen e tyre, jam pjesë e asaj dhembjeje, sepse e kam provuar personalisht një dhembje të tillë, kur humb familjarin. Djali im është pjesë e kësaj tragjedie që ka ndodhur në familjen Tuaj. Por unë Ju them si njeri dhe si shqiptar, se as nuk është bërë me dije nga ana ime kjo vepër, e besoj që nuk është bërë as me vetëdije nga ana e djalit, i cili edhe tashti e ndjenë thellë peshën e pendimit, sepse e ka edhe edukatë familjare që të mos e vrasë shqiptarin.

Mirëpo, vrasja ka ndodhur! Organet e pavarura të drejtësisë, nëse janë të tilla, e nëse nuk janë sot, doemos do të bëhen një ditë, do ta vërtetojnë se unë si individ nuk kam dorë në këtë vepër. Edhe një herë familjes së të ndjerit i kërkoj ndjesë, edhe në emrin tim, dhe të familjes. Kjo vepër nuk është kryer me dëshirën dhe dijen time.

Por, vrasja është bërë. Ky është fakti. Për faktet e tjera, janë organet kompetente që i ndriçojnë rrethanat dhe aktin e kryerjes së vrasjes. Do të ishte në të mirë të ardhmërisë së familjeve tona, në të mirë të ardhmërisë së Kosovës, në të mirë të ardhmërisë së jetës së shqiptarëve, sikur këto organe të ishin të pavarura nga politika inkriminuese e ditës, e cila arriti të fusë duart e krimit edhe në jetën e familjeve tona. Opinioni liridashë i di përpjekjet dhe jetën time për lirinë kombëtare. Një jetë e tërë është kaluar në përballje me të gjitha forcat pushtuese të Kosovës. Nga ajo pjesë e jetës, dhjetëra vite janë kaluar burgjeve të pushtuesit të tokave shqiptare.

Në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës secili anëtar madhor i familjes ishte një ushtar i lirisë, diku në Kosovë, pa kërkuar kurrë asgjë nga Kosova, si kundërshpërblim, siç po ndodh sot me këtë politikë që po ndiqet në Kosovë. Në këtë luftë, Lirisë së Kosovës dhe të tokave të tjera të pushtuara shqiptare, ia ka falur jetën djali im, Labinoti në vitin 2001, në Mateç të Kumanovës. Para tij, Lirisë së tokave të pushtuara ia kishte falur jetën edhe djali i axhës, Imer Krasniqi, që është dëshmori i parë në anën e Malishevës. Këto dhe fakte të tjera për mua dhe për familjen time i dinë të gjithë.

Këto përpjekje nuk e dinë dhe as nuk duan t’i dinë, një pjese të segmenteve të politikës hakmarrëse dhe primitive. Këto segmente duan të fusin armiqësi në mesin e shqiptarëve, ngjashëm siç pushtuesi sllav i deridjeshëm, argatë të të cilit ishin këto segmente të kësaj politike që bëhet sot në Kosovë, të cilët deri edhe ditën e varrimit të të vrarit flasin publikisht në emër të familjes që i ka ndodhur tragjedia, pa qenë fare anëtar i asaj familje, sepse ashtu i kanë thënë se duhej të fliste, po ato segmente kriminale, që janë dora e fshehur e tragjedisë së familjes Limaj dhe e fatkeqësisë së familjes Krasniqi.

Unë kam heshtur për të respektuar dhembjen e madhe që ka pasur familja që i është vrarë anëtari i saj. Kam heshtur edhe ditën e varrimit të tij dhe kam ndjerë dhembje bashkë me familjen e tij. Por pjesë e kësaj heshtje nuk do të thotë se është edhe ajo që thuhet në të gjitha mjetet e informimit publik, në gazeta të ndryshme dhe TV, të varura dhe të pavarura, publike dhe private.

Vetëm kur i dëgjon këto mjete të informimit, njeriu e kupton se cilat segmente të politikës së ditës duan ta shfrytëzojnë tragjedinë e familjes së të ndjerit, për të njollosur, për të denigruar edhe kombëtarisht një familje tjetër, e në fund të fundit edhe mua personalisht. Unë kam qenë kryetar i komunës së Malishevës, i zgjedhur nga vota e qytetarëve të saj. Jam baba dëshmori. Por nuk kam qenë i dëgjueshmi i këtyre segmenteve të kësaj politike kriminale.

Kam qenë i pari që kam argumentuar publikisht, në mjetet e informimit të atëhershëm dhe në shtypin e ditës, se çfarë lojërash bëhen për ta bërë pjesë të krimit edhe familjen, edhe mua, edhe jetën time. Gjë që, kuptohet, nuk e kam pranuar me asnjë çmim. Këto dhe fakte të tjera, do të bëhen publike, jo vetëm që të dihet struktura e këtyre segmenteve kriminalizuese, por të shihet se deri ku kanë arritur t’i fusin duart e tyre të zhytura në krim, për të luajtur me jetën e njerëzve.

Organet e pushtetit, e pranojnë se kanë shpëtuar jetën e një njeriu më 12 dhjetor 2010, pasi kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën atij që ishte i porositur të vriste, e mbajnë vetëm pesë ditë në arrest dhe e lirojnë, thuajse nuk ishte rrezikuar jeta e njeriut. Deri këtu kanë arritur duart që po kriminalizojnë jetën tonë, deri në organet e policisë dhe të gjyqësorit, që vrasësin në tentativë e lirojnë krye pesë dite.

Të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e dinë se as nuk kam qenë, as nuk jam dorë e këtij krimi. Edhe tash, kur jam kandidatë për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, siç tërë jetën që kam luftuar pushtuesin e tokave të atdheut tim dhe, të mos ketë vrasje në mes të shqiptarëve, do të luftojë që atdheu të bëhet i tëri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)