29 Mars 2024

Gahr Store shprehi mbështetjen e Norvegjisë për Kosovën

Prishtinë, 19 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.
 
Ministri Hoxhaj, ka falënderuar homologun norvegjez për kontributin e tij personal, dhe veçanërisht për kontributin e madh të shtetit norvegjez për Kosovën, në dekadat e fundit.

Ministri Hoxhaj ka veçuar mbështetjen e madhe të Norvegjisë për popullin e Kosovës në kohë shumë të vështira dhe historike, për pranimin e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Norvegji, tash e disa dekada.
 
“Norvegjia është një vend i cili e ka mbështetur Kosovën edhe pas çlirimit dhe është një ndër shtet e para që e ka njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun norvegjez është biseduar për shumë çështje, me theks të veçantë për format se si të thellohen marrëdhëniet mes dy vendeve, rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe nënshkrimin e një seri marrëveshjeve, të cilat, sipas Hoxhajt, do ta mbështesin zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, investimet e Norvegjisë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të avancojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve, njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve.
 
“Krahas kësaj ne biseduam edhe për çështjet e integrimeve euroatlantike. Ju e dini se Norvegjia nuk është pjesë e BE-së, por është një vend i fuqishëm evropian, është pjesë e regjimit të vizave shengen dhe ne biseduam me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë për një mbështetje që ta kemi nga ana e tij edhe për sa i përket përmirësimit të relacionit të Republikës së Kosovës me Brukselin, por edhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuese dhe çështjen e liberalizmit të vizave”, ka thënë Enver Hoxhaj.
 
Ministri po ashtu ka thënë se do të bëhen përpjekje që ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë të vendoset një komunikim në baza të rregullta. “ Jemi shumë të interesuar që relacionet në mes të vendeve tona të mos jenë vetëm relacione mes dy qeverive dhe institucioneve, por mes dy popujve, mes qytetarëve të dy vendeve tona, në mënyrë që të kemi shkëmbim të ideve dhe projekteve”, ka thënë Ministri Hoxhaj.
 
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ka thënë se Kosova është një shtet evropian me zhvillim të hovshëm, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij në të gjitha aspektet, përfshirë edhe në realizimin e aspiratave integruese euroatlantike.

“Unë edhe gjatë takimit me Kryeministrin kam theksuar mundësitë e Norvegjisë për të bashkëpunuar më shumë me Kosovën, të kemi më shumë investime, më shumë angazhim, më shumë projekte të përbashkëta dhe një inkurajim shumë të madh nga  Norvegjia për Kosovën, që të vazhdojë proceset reformuese, për të forcuar sundimin e ligjit dhe krijimin e një ambienti të duhur për investime nga jashtë, në mënyrë që Kosova të avancojë në rrugën drejt familjes së kombeve në Evropë”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Norvegjisë.
 
Jonas Gahr Store, po ashtu ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të shtetit norvegjez për pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.
 
Lidhur me rolin e Norvegjisë në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet të cilat ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë, Ministri Jonas Gahr Store, ka thënë se ky është një vendim i cili i takon çdo shteti, por ka thënë se Norvegjia do të angazhohet që të inspirojë dhe ta bëjë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vendim i qëlluar nga të gjitha shtetet.

Ai po ashtu ka thënë se Qeveria norvegjeze po ndihmon Kosovën me fonde qeveritare dhe se kjo ndihmë është e fokusuar në tre drejtime: sistemin ligjor, edukim dhe krijimin e ambientit për investime të huaja private.
 
Lidhur me investimet norvegjeze në Kosovë, Ministri Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se është iniciuar nënshkrimi i disa marrëveshjeve mes dy vendeve në këtë drejtim.

“Kemi nevojë të nënshkruajmë një marrëveshje sa i takon mbrojtjes dhe promovimit të investimeve në mes të dy vendeve tona dhe një marrëveshje të dytë sa i përket heqjes së taksave të dyfishta. Ju e dini që roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme është që të  bashkëpunoj me ministritë e tjera përkatëse që në një të ardhme, ne si Qeveri, të dalim me një draft të parë për nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve, që janë shumë kyçe për mbrojtjen edhe fuqizimin e investimeve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)