19 Prill 2024

Franca mbështet procesin e njohjeve të Kosovës

Paris, 31 maj - Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Francës, Alain Juppé, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në një vizitë zyrtare në Francë.

Në ditën e parë, Ministri Hoxhaj ka takuar Jean – David Lévitte, këshilltar për Diplomaci i Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy. Në këtë takim është biseduar për progresin e shtetndërtimit të brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe për perspektivën evropiane.

Në emër të Presidentit Sarkozy, Lévitte ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në agjendën e Francës. Ai ka shtuar se Franca përkrah progresin dhe reformat, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai po ashtu ka shprehur përkrahjen e Francës për shtimin dhe përmbylljen e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe për realizimin e aspiratave për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ministri Enver Hoxhaj, ka informuar Lévitte për reformat e brendshme, për sundimin e ligjit, për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe për punën që po bëjnë autoritetet kosovare për të përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave.

Në këtë kontekst, Enver Hoxhaj, ka kërkuar ndihmën e Francës për procesin e liberalizimit të vizave, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe për përmbylljen e procesit të njohjeve.

Të martën, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, para shumë diplomatëve, profesorëve dhe akademikëve ka mbajtur një ligjëratë me titullin “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës ”, në njërin nga Institutet më prestigjioze në Evropë – Institute Français des Relations Internationales (IFRI).

Duke iu referuar shtetndërtimit në Kosovë, Ministri Hoxhaj ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e tyre, ka shkuar paralelisht me vullnetin e shteteve të fuqishme për të parandaluar dhunën në Kosovë.

“Vetëm intervenimi i jashtëm në kuptimin e diplomacisë, në kuptimin e sigurimit të paqes ka qenë në gjendje të krijojë stabilitet politik në Ballkan. Pa intervenimin nga jashtë, pa intervenimin edhe të Francës, nuk do të kishte paqe në Ballkan”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai po ashtu ka folur për perspektivën Evropiane të Kosovës. Me këtë rast, Ministri ka thënë se Kosova nuk mund të mbetet vendi i vetëm në Ballkan, që nuk  e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.

“Paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të triumfojnë mbi tensionin dhe mungesën e zhvillimit, nëse shtetet e Ballkanit do të kenë një perspektivë të qartë Evropiane”, ka thënë Ministri Hoxhaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)