29 Mars 2024

Fol i kërkon Kuvendit të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit për Informim

Prishtinë, 12 gusht - Sot Komisioni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i’a ka dërguar Kuvendit listën e ngushtë të kandidatë(e)ve të kualifikuar për votim për pozitën Komisioner/e për Informim dhe Privatësi. Lista e ngushtë përbëhet nga kandidatët/et Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Muharrem Mustafa.

Përveç listës së rekomanduar, Komisioni ka intervistuar edhe kandidatët Enver Bujari dhe Jeton Oruqi. Komisioner/e do të bëhet kandidati/ja që arrin të marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës.   

Procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es është mbështetur nga projekti i Ambasadës Britanike “Rekrutimet e pavarura, llogaridhënëse, meritokratike dhe profesionale në Kosovë”.

Bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadës Britanike “institucionet e Kosovës zotohen të zgjedhin kandidatin më të mirë/të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga partneri zbatues.”

 Pas procesit të plotë të përzgjedhjes, ky projekt ka vlerësuar kandidaten Krenare Sogojeva Dermakun me më së shumti pikë (27 pikë).

Ne u bëjmë thirrje deputetëve dhe deputeteve të Kuvendit të Kosovës që në përputhje me zotimin e dhënë, të marrin parasysh vlerësimet e projektit të Ambasadës Britanike dhe votën e tyre ta bazojnë në këtë vlerësim profesional, e jo në preferencat e tyre politike e partiake. Pozita e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi është shumë më e rëndësishme për qytetarët dhe institucionet e vendit sesa preferencat ditore politike.    

Paneli Intervistues, në kuadër të  Komisionit Parlamentar është përbërë nga Fatmire Kollçaku, Bekë Berisha, Ganimete Musliu, Rasim Demiri dhe Ilir Tasholli. Deputeti Slavko Simiq, ndonëse fillimisht ka qenë anëtar i panelit intervistues, ka munguar gjatë procesit.

Procesi është monitoruar nga grupi ad-hoc i shoqërisë civile, si dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Ne vlerësojmë gatishmërinë e Panelit Intervistues për hapjen dhe transparencën, si dhe mundësimin e monitorimit të këtij procesi në mënyrë të papenguar nga organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile. Poashtu, vlerësojmë përkushtimin dhe bashkëpunimin e stafit mbështetës të Komisionit për Siguri përgjatë gjithë procesit.

Duke ditur që me përzgjedhjen e Komisionerit do të fillojë edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ftojmë Kuvendin e Kosovës që pa humbur kohë të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.

Koalicioni ad-hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF), Grupi për Studime Politike dhe Juridike(GLPS), Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)