07 Dhjetor 2019

FMN do të ndihmojë qeverinë e re në gjetjen e modelit për Bankën Zhvillimore

Prishtinë, 19 nëntor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, së bashku me kandidatin për deputet, Hekuran Murati dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci priti në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, i cili ishte i shoqëruar nga Këshilltari Steven Alan Barnett, Shefi i Misionit për Kosovë, Gabriel Di Bella dhe Përfaqësuesen e Lartë të FMN-së nga Zyra Regjionale në Vjenë, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, znj. Stephanie Eble.

Zhang uroi Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit, dhe u shpreh i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e re do të jetë në nivelin e duhur, sidomos për sa i përket menaxhimit të financave publike dhe zhvillimit ekonomik.

Kryetari Kurti në anën tjetër shpalosi prioritetet e qeverisë së re, duke theksuar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe luftimin e krimit e korrupsionit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e fuqisë blerëse, si dhe ndërlidhjen e shkollimit me tregun e punës.

Në takim u diskutua edhe për Bankën Zhvillimore, funksioni së cilës u tha se është i domosdoshëm për të ndihmuar me financim ato biznese që duan të rrisin punësimin e të rrisin eksportin.

Në lidhje me këtë, Zhang theksoi se FMN është e gatshme të ndihmojë qeverinë e re në gjetjen e modelit më të mirë të mundshëm për të realizuar këtë projekt, duke marrë për bazë modele që kanë funksionuar në shtetet tjera.

Në fund, Zhang falënderoi Kurtin për mikpritjen dhe shprehi gatishmërinë e stafit të FMN-së që të ofrojnë mbështetje për qeverinë në realizimin e objektivave për një menaxhim më të mirë të financave publike.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)