18 Shtator 2020

Fillon mocioni për rrëzimin e qeverisë 'koti'

Prishtinë, 6 gusht - Nga sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! fillon mbledhjen e nënshkrimeve për procedimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë ilegale dhe ilegjitime që po e shtynë vendin drejt një katastrofe humanitare, thanë sot në konferencë për media, Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, dhe Shefi i GP, të Lëvizjes, Rexhep Selimi, të cilët njëherit ftuan grupet paralamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës ta mbështesin këtë mocion.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se partia të cilës i përket ai, nga sot do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputëteve të kuvendit që ta përkrahin këtë nismë.

Megjithatë Selimi nuk ka treguar nëse ndonjëra parti ka treguar përkrahje për mocionin.

Para njoftimit të tij për mocionin, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qeveria aktuale është “jokushtetuese dhe joligjore”.

“Në anën tjetër kjo qeveri tashmë e ka dëshmuar se është e paafatë për të qeverisur vendin. Edhe pse kur erdhi në pushtet kishim raste minimalisht të reja me virus dhe madje me ditë kur kishim shënuar edhe zero raste të reja të infektimeve, kur vendi ynë ishte shembull model në botë për menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë COVID-19, në mungesë të planifikimit për t’u përballur me pandeminë kjo qeveri pa kompetencë e njohuri, e ka kolapsuar tërsisht sistemin edhe ashtu të brishtë shëndetësor të vendit tonë”, ka deklaruar Nagavci.

Përveç kësaj, Nagavci ka thënë se qeverisë Hoti i mungon edhe plani për rimëkëmbje ekonomike, duke vlerësuar se kjo përbërje qeveritare po e çon Kosovën “drejt një katastrofe humanitare”.

Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 vota.

Nagavci ka thënë se 31 vota tashmë veçse i kanë, duke aluduar në numrin e deputetëve që ka LVV-ja në kuvend.

Përgjatë konferencës, Selimi ka pretenduar se Qeveria e Kosovës nuk e ka më as shumicën në Kuvend.

Deklaratat e tij vijnë pas lajmit për urdhër-arrestin e lëshuar të martën nga Gjykata Themelore të Prishtinë ndaj deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim me subvencione, që kapin shumën mbi 25 mijë euro.

Urdhër-arresti ndaj Arifit ia komplikon punën Qeverisë Hoti

Deputeti Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Qeveria Hoti ishte formuar me 61 vota, derisa Arifi ka qenë një prej deputetëve nga radhët e minoriteteve, që ka përkrahur formimin e kësaj qeverie.

Kjo qeveri, që erdhi si rezultat i përmbysjes së vullnetit qytetar, presionit të presidentit mbi deputetë dhe votës së një deputeti që tashmë është i dënuar dhe në arrati, duhet të rrëzohet sa më parë.

"Përveç se ilegale dhe ilegjitime, kjo qeveri është e treguar e paaftë për të qeverisur, për të menaxhuar me efektet dhe rrezikun e pandemisë mbi ekonominë dhe jetën e qytetarëve duke treguar vetëm gatishmërinë për ta rikapur shtetin dhe për t’iu nënshtruar Serbisë, andaj ajo duhet të shkojë sa më parë, në mënyrë që vendi ta ketë një qeveri çfarë ka nevojë dhe e meriton", thanë Nagavci e Selimi në këtë konferencë.

Në fund, ata potencuan se teksti i mocionit është ende draft, dhe mund të ndryshohet në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Shtator 2020

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, do të bëjnë përurimin e shtimit të katit të dytë dhe renovimit të katit të parë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur. (Fshati Zhur, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e nëntë e Komiteti për Politik dhe Financa të Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në objektin e ri të administratës komunale të Rahovecit, ora 10:00)  

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ketë nje vizitë një grupi të të rinjve të Kosoves, nga etni të ndryshme. (Kabineti i Ministres MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi. (Salla “ 1 Tetori ”, ora 13:30)

- Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës protestojnë pas vendimit për mbylljen e disa shkollave në këtë qytet. (Para objektit të Komunës së Kamenicës, ora 14:00)