18 Prill 2024

Feith: Integrimi i veriut duhet të jetë përparësi për qeverinë

Washington, 27 maj - “Kosova pas dy vitesh” ishte tema e diskutimit në Institutin Amerikan të Paqes, ku Pitër Feith, Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare solli një pamje të shkurtër por të qartë të zhvillimeve të dy viteve të fundit në shtetin që tashmë është njohur nga 69 vende.

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pitër Feith, tha se Kosova ka bërë mjaft përparim që nga viti 2008 kur shpalli pavarësinë.

“Rruga që ka përshkuar Kosova gjatë dy viteve të fundit është padyshim mbresëlënëse. Si përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë dua të them se pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar ka mbështetur me vendosmëri përpjekjet e Kosovës për njohje nga të gjitha vendet.”

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të shprehë opinionin e saj në lidhje me çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës brenda këtij viti, e ndoshta që në muajin korrik.

“Ky opinion nuk ka të ngjarë të ndryshojë përkushtimin e vendeve që e kanë njohur Kosovën ndaj pavarësisë së këtij vendi. Pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm.”

Megjthatë, zoti Feith shpreson që opinioni i Gjykatës t’i nxitë Kosovën dhe Serbinë të angazhohen më tepër në çështjet teknike të bashkëpunimin praktik me njëri tjetrin si vende fqinje.

Një nga problemet më konkrete në këtë drejtim është pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, ku Beogradi vazhdon të ndihmojë strukturat paralele. Qeveria e Kosovës ka theksuar një qasje gjithpërfshirëse në veri, duke bërë thirrje për ndryshime bazuar në proceset demokratike. Zoti Feith thotë se integrimi i kësaj pjese të vendit duhet të jetë përparësi për qeverinë e Kosovës. Ai vë në dukje tre objektiva që duhen pasur parasysh:

“E para, ne duhet të shmangim dhe të parandalojmë çdo lloj dhune. E dyta, nuk duhet të ketë ndarje. Dhe e treta, nuk duhet ta lëmë veriun e Kosovës si konflikt të ngrirë.”

Zoti Feith thotë se Kosova përballet edhe me shumë sfida të tjera që nga nevoja për më shumë përparim në fushën e decentralizimit, ekonomia, niveli i lartë i papunësisë dhe investimet e pakta, reforma në sistemin e drejtësisë dhe të gjykatave, e deri tek krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Akuzat për korrupsion duhen hetuar dhe ndjekjet penale duhen bazuar në prova të besueshme. Megjithatë, duket qartë se populli i Kosovës pret me padurim ndryshime në këtë aspekt.”

Reformat në të gjitha fushat e zbatimit të ligjit janë qenësore që Kosova të sigurojë integrimin euro-atlantik. Zoti Feith thekson se nëse këto çështje nuk trajtohen me shpejtësinë e duhur ata do ta vonojnë perspektivën e vendit për integrim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)