23 Prill 2024

Erdogan ndërohet me Medaljen e Artë të Pavarësisë

Prishtinë, 4 nëntor - Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi e dekoroi kryeministrin e Turqisë Recep Tayip Erdogan me Medaljen e Artë të Pavarësisë, dekoratë kjo që iu jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.

“Pata nderin që sot ta kem për vizitë kryeministrin e Republikës së  Turqisë, Erdogan me një delegacion nga kabineti i tij. Kjo vizitë që ka filluar dje dhe është pritur mirë kudo në Kosovë edhe në Prishtinë edhe në Prizren, është një rikonfirmim i fuqishëm i miqësisë që Republika e Turqisë, institucionet e Turqisë, qeveria e Turqisë tregojnë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, theksoi z.Krasniqi.

“Turqia ka qenë një nga vendet që më së pari e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Turqia gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një prezencë të fortë ushtarake për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Agjencia për Zhvillim e Turqisë ka investuar gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë, ka edhe investime të tjera, sidomos prezenca dhe pjesëmarrja e fuqishme e biznesmenëve turq, sidomos në ndërtimin e autostradës, në Aeroportin e Prishtinës por edhe në shumë sfera tjera të jetës”, tha Krasniqi.

Ai tha se edhe vetë Kryeministri Erdogan gjatë këtyre viteve ka lobuar shumë për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga vendet e botës islame dhe arabe, por Turqia sipas Krasniqit ka marrëdhënie edhe me shumë vende të tjera të botës.

Ndërsa kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan tha se me Krasniqin kanë diskutuar se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë mund të realizojnë në rajon Turqia dhe Kosova si dy vende mike dhe vëllazërore.

Sipas tij, ka shumë gjëra që mund të realizojmë midis Turqisë dhe Kosovës. Disa prej tyre tashmë janë realizuar.

"Në fushën ushtarake, ne kemi prezencën e kontigjentit turk në kuadër të KFOR-it dhe kjo është e rëndësishme për qetësinë dhe stabilitetin në Kosovë. Angazhimet tona në këtë drejtim do të vazhdojnë. Ne jemi në solidaritet të plotë si para shpalljes së pavarësisë ashtu edhe pas shpalljes së saj", theksoi Erdogan.

Ai tha se në veçanti jemi duke i nxitur biznesmenët tanë për të investuar në Kosovë.

"Siç e dini, autostrada gjigante që është duke u ndërtuar nga një  kompani turke (konsorciumi Bechtel&Enka) do ta lidhë Kosovën me Adriatikun. Krahas këtij projekti, kemi edhe një firmë tjetër turke, Limac-u, e cila në konsorcium me firmën franceze Lion, nga muaji janar i vitit që vjen do të punojë në zgjerimin dhe modernizimin e Aeroportit të Prishtinës."

Të dy këto firma dhe të tjera që e kanë dëshmuar veten e tyre në këtë fushë sipas tij do ta bëjnë më modern Aeroportin e Prishtinës, do të ofrojnë shërbime më moderne.

Një prej hapave të tjerë të rëndësishëm sipas Erdogan është e lidhur me infrastrukturën e telekomit, pasi ka edhe hapa të rëndësishëm që mund t’i hedhim në këtë fushë.

"Ne kemi synim të ndërtojmë edhe një qendër kulturore si në Prishtinë ashtu edhe në Prizren, që do të jenë institucione që do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve”, theksoi kryeministri Erdogan. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)