25 Prill 2024

Deri me tash grave u ka munguar përkrahja që ato të jenë pjesë e Qeverisë

Prishtinë, 7 shkurt - Forumi për Lidership dhe Diplomaci, gjatë ditës së enjte ka mbajtur Debatin “Kapërcimi i barrierave për fuqizimin e grave në sferën publike”, në kuadër të Projektit “Akademia për Lidership”, me përkrahje financiare të GIZ në Kosovë.

Ky debat është realizuar në kuadër të këtij projekti pas shumë takimeve, debateve dhe aktiviteteve tjera me katërdhjetë pjesëmarrëse (gra dhe vajza) në kuadër të akademisë.

Njomza Emini, Drejtore Ekzekutive në Forumin për Lidership dhe Diplomaci, duke komentuar përbërjen e kabinetit qeveritar deklaroi se kjo po tregon që në Kosovë, ka edhe më shumë se pesë Ministre Gra që janë të afta e të zonja, por që ju ka munguar hapësira dhe përkrahja që ato të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.

"Është edhe një fillim i mbarë me Zonjën Vjosa Osmani, Kryetaren e Parlamentit të Kosovës, për herë të parë në histori që udhëhiqet nga një grua profesioniste dhe e zonja”, ka theksuar Emini.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zonja Ulrika Richardson, nënvizoi faktin se të drejtat e grave duhet të jenë prioritet i secilës qeveri.

“Është me rëndësi të dijmë që nuk kemi bërë zhvillim të mjaftueshëm,  gratë dhe burrat nuk i kanë mundësitë e barabarta dhe shumë nga ju jam e bindur që flisni për këto. Luftoni për këto gjëra, ndoshta do të mund të keni vërejtur që në çdo fushë mund të shohim dallimin e vendeve që kanë zënë meshkujt dhe ato që kanë zënë femrat."

"Nuk ka barazi dhe duhet të pranojmë se është e vështirë, duhet të dalim me argumente që jetojmë në një botë jo të barabartë. Natyrisht që ka përparim dhe është shumë më mirë tani, bota nuk do të ishte më e mirë nëse vetëm një gjini e ka gjithë pushtetin", ka pohuar Richardson.

Rozafa Ukimeraj nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, deklaroi se sfida me e madhe në vend është fuqizimi ekonomik i grave.

“Janë tri aspekte të cilat duhet t’i adresojmë, si sfida kryesore për përfaqësimin e barabartë gjinor. E para sigurisht është fuqizimi ekonomik i grave, duke hapur më shumë mundësi për të ngritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, e dyta është parandalimi dhe ulja e dhunës kundër grave, eliminimi i diskriminimit gjinor në arsim shëndetësi dhe shoqërinë në përgjithësi dhe e treat sigurisht është rritja e pjesëmarrëjes së grave në mekanizma vendimmarrës”, ka vleresuar Ukimeraj.

Projekti do të vazhdoj edhe me aktivitete tjera në shërbim të mbështetjes, fuqizimit dhe bashkëpunimit me gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në Projektin “Akademia për Lidership”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)