28 Mars 2024

Deklaratë politike e Këshillit Drejtues të AAK-së

Prishtinë, 14 qershor - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vlerëson sërish, siç ka bërë shumë herë deri më tash në të gjitha instancat e saj vendimmarrëse, që sundimi i ligjit dhe i rendit kushtetues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është kusht për stabilizimin e shtetit të Kosovës, për krijimin e rrethanave për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për vendosjen e Kosovës në binarët e procesit të inkuadrimit në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

AAK e çmon lartë mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, të Zyres Civile Ndërkombëtare (ICO), të EULEX-it, të KFOR-it, të Komisionit Evropian dhe të shteteve mike perëndimore për sendërtimin e këtyre qëllimeve.

AAK është e vetëdijshme që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për sundimin e ligjit në Kosovë, për krijimin e institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, për ndaljen e teposhtëzes së përgjithshme politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës dhe degradimin e shtetit të Kosovës.

Nuk mund të ketë kompromise, lëshim pe dhe zhagitje në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar prej instancave përgjegjëse të drejtësisë të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. 

AAK beson që autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe në të gjitha etapat e zhvillimit të institucioneve të lira dhe demokratike në Kosovë, që prej zgjedhjeve të para të mbajtura në tetorin e vitit 2000.

o       Korrupsioni  duhet të ndalet me çdo kusht. Pas aksioneve që pritet se do të ndodhin ditët/javët në vijim, Aleanca do të insistojë në thellimin e luftës kundër korrupsionit, duke mbështetur organet e drejtësisë në avancimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe krijimin e mekanizmave shtesë të cilët duhet të krijohen.

o       Veriu Ka mbetur tërësisht anash, duke marrë parasysh faktin se njerëzit e qeverisë Thaçi preokupim kryesor e kanë se si të shpëtojnë nga hetimet e EULEX-it. Zgjedhjet e fundit të Republikës së Serbisë, apatia totale e qeverisë Thaçi në implementimin e “Strategjisë për Veriun”, por edhe prononcimet dhe deklaratat e zyrtarëve qeveritarë, bëjnë që implementimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës të jetë shumë më larg se që ka qenë ndonjëherë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Institucionet e Kosovës, partitë politike dhe shoqëria civile bashkë me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, duhet t’i bashkërendisin veprimet, në mënyrë që të ndalet rrjedha e gabuar e zhvillimeve në Veri. Menaxhimi i kufijve në mënyrë të efektshme është njëri ndër kriteret kryesore për liberalizim të vizave dhe integrim në BE, andaj është plotësisht e vetëkuptueshme të kërkojmë që çështja e kontrollit të kufijve të shtetit të ketë përmbyllje sa më të efektshme dhe sa më të shpejtë. Secili mekanizëm vendor dhe ndërkombëtarë, duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo ide për modifikim apo “adaptim” të Pakos së Ahtisarit, paraqet një kthim shumë të rrezikshëm mbrapa. Ky kthim nuk është në interes të askujt në Kosovë.

o       Tryeza politike është tërësisht e paakceptueshme që Qeveria Thaçi të vazhdojë të marrë vendime të karakterit strategjik për vendin edhe pas arrestimeve dhe trajtimin e drejtësisë, që pritet të përfshijnë zyrtarë të ndryshëm qeveritarë. Kur në një vend qeveritarët janë subjekt i përditshëm i hetuesisë për krim të organizuar, shpërlarje parash dhe korrupsion, s’ka si të jetë ndryshe, përveç se ajo qeverisje do të ballafaqohet me mungesë legjitimiteti. Duhet të krijohet një tryezë politike në përbërje të gjitha partive parlamentare, mekanizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, e cila do të shqyrtonte dhe do t’i merrte të gjitha vendimet strategjike që janë të ndërlidhura me Kosovën në këtë periudhë kohore. Ky mekanizëm ad-hoc do të shërbejë si një mekanizëm shtesë dhe mandati i tij do të përfundojë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

o       Aftësimi i AAK-së.  Aleanca duhet të vazhdojë aftësimin e saj në përgatitjet për marrjen e obligimeve shtetndërtuese. Është e zakonshme që gjatë verës në Kosovë të ketë rënie të aktivitetit, por gjatë kësaj vere të gjitha degët dhe nëndegët e AAK-së duhet t’i dinamizojnë veprimet e veta. Është e domosdoshme që:

§        Të intensifikohen mbledhjet e strukturave të partisë dhe të implementohen veprime, të cilat mundësojnë aktivitet të ngjeshur gjatë kësaj periudhe.

§        Të rriten aktivitetet që mundësojnë një përgjigje adekuate të interesimit të qytetarëve për anëtarësim në AAK.

§        Të ketë një koordinim dhe informim më adekuat me mediat për të gjitha aktivitetet e degëve.

§        Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues të gjithë Kryetarët e degëve t’i prezantojnë aktivitetet e degëve gjatë kësaj periudhe.

 

Këshilli Drejtues i AAK-së,

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)