26 Nëntor 2020

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e mbyllur

Prishtinë, 21 tetor - Kryeministri i Kosovës, Avudllah Hoti, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e mbyllur dhe se për të njëjtën, pala kosovare nuk do të bisedojë në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pavarësisht se Serbia e ka kushtëzuar dialogun me temën e Asociacionit, Hoti, në një konferencë për media të mërkurën në Prishtinë, tha se kjo temë nuk do ta bllokojë procesin e negociatave.

“Unë nuk pres që Asociacioni ta bllokojë procesin e dialogut për shkak se është edhe një dakordim i ndërmjetësit për dialog, që çështja e Asociacionit, marrëveshja për Asociacionin është temë e mbyllur”, tha Hoti.

Ai shtoi se nëse procesi i dialogut bllokohet, kjo nuk do të ndodhë për fajin e Kosovës, pasi, sipas tij, qeveria që ai udhëheq, ka treguar përkushtim për këtë proces që prej marrjes së mandatit në fillim të qershorit.

Kryeministri Hoti u pyet edhe për ndryshimet kushtetuese në Kosovë dhe Serbi, për të cilat ka folur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Kushtetuta është prekur më 2013, kur është ratifikuar kjo marrëveshje (v.j. për Asociacionin). Është marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar me 2/3 (e votave të deputetëve të Kosovës)”, tha Hoti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Nëntor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave, Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi marrin pjesë në përurimin e kompletit te veprave të prof. Anton Çettës. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Kryetarin i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)