25 Prill 2024

Belgjika dhe Kosova nënshkruajnë protokoll bashkëpunimi

Prishtinë, 19 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti Zëvendëskryeministrin, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Steven Vanackere, takim pas të cilit, dy ministrat kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi mes dy ministrive të Punëve të Jashtme.

Ministri Hoxhaj, pasi ka falënderuar homologun belg për kontributin e gjatë të Belgjikës për Kosovën dhe ecjen e saj të deritashme, ka kërkuar përkrahjen e mëtejshme të këtij shtetit shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në proceset e ardhshme integruese të Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt, Ministri Hoxhaj, ka theksuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë pjesë e procesit të liberalizmit të vizave.

Duke iu referuar çështjes së azilkërkuesve kosovarë, Ministri Hoxhaj, pasi ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar shumë në adresimin  e saj në mënyrë të ngutshme dhe profesionale, ka thënë se kjo çështje jo patjetër lidhet direkt me çështjen e liberalizimit të vizave dhe udhërrëfyesin për këtë proces.

“Në takimin që kishim me Ministrin, biseduam për atë se si në të ardhmen këto dy çështje të ndahen me njëra-tjetrën dhe qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë një të drejtë që të punojnë drejt liberalizmit të vizave, sikurse vendet e tjera të rajonit. Unë ja sqarova Ministrit, se në mesin e 50 milionë qytetarëve të Ballkanit, janë vetëm dy milionë kosovarë që nuk mund të udhëtojnë pa viza”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Ministri Hoxhaj, po ashtu ka veçuar intensifikimin e bashkëpunimit të Kosovës me Belgjikën për adresimin e çështjes së azilkërkuesve kosovarë në këtë shtet, duke përmendur edhe faktin se gjatë dy-tri javëve të ardhshme, Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, pritet të nënshkruaj një marrëveshje e cila do të ndihmojë edhe Belgjikën edhe vendet e tjera të Beneluksit që të kenë progres në këtë çështje.

Ndërsa, lidhur me protokollin e nënshkruar pas takimit, Ministri Hoxhaj ka thënë se ky protokoll i bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme, synon që dy ministritë përkatëse të kenë konsultime, këshillime dhe takime në baza të rregullta, për çështje të interesit bilateral, të integrimeve euroatlantike, për çështje të politikës ndërkombëtare dhe për çështje të bashkëpunimit regjional.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Steven Vanackere, është shprehur shumë i kënaqur me rezultatet e vizitës zyrtare në Kosovë dhe takimet e zhvilluara me udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Vanackere ka vlerësuar edhe memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve edhe dy diplomacive. 

“Belgjika ka qenë një prej vendeve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo dëshmon se ne besojmë që shteti juaj ka një të ardhme përafruese me Bashkimin Evropian dhe ne duam të jemi mbështetës të atij evolucioni”, ka thënë Zëvendëskryeministri i Belgjikës.

Steven Vanackere ka thënë po ashtu se përveç memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar të hënën, së shpejti Kosova dhe Belgjika do të nënshkruajnë edhe marrëveshje të tjera të rëndësishme, duke iu referuar edhe marrëveshjes e cila pritet të nënshkruhet muajin e ardhshëm në Bruksel, që ka të bëjë me riatdhesimin.

Ai ka përshëndetur edhe hartimin e strategjisë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë belge që të ndihmojë në këtë drejtim

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)