24 Prill 2024

BE me qëndrim unik për të mbeshtetur Kosovën

Prishtinë, 20 qershor - Kryeministri Hashim Thaçi është kthyer sot nga vizita në Bruksel, ku ka qëndruar me ftesën e autoriteteve më të larta të Brukselit, nga Bashkimi Evropian dhe nga autoritetet belge.

Gjatë vizitës ka zhvilluar takime me komisionarin për zgjerim, Shtefan Fyle, pastaj përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe sigurinë, me baroneshën Catherine Ashton, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rassmunsen, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pjer Mirel, si dhe një takim të veçantë me kryeministrin e Belgjikës, Yves Letereme.

“Në takimin e parë të zhvilluar gjatë vizitës, me komisionerin Shtefan Fyle, është konfirmuar mbështetja evropiane për progresin e arritur në Kosovë, por edhe nevojën e bashkërendimit për përballjen me sfidat e reja me të cilat do të përballet edhe shteti i Kosovës në të ardhmen integruese”, ka theksuar kryeministri Thaçi. Kryeministri ka kërkuar përshpejtimin e procesit të perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës.

“Ne jemi duke kryer gjitha agjendat tona, të punëve praktike në mënyrë që të hapët sa ma shpejt dialogu për liberalizimin e vizave. Dua të besoj që kjo edhe do të ndodhë gjatë periudhës së verës”, ka thënë kryeministri Thaçi para gazetarëve në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Brukseli.

Kryeministri është shprehur se në të gjitha takimet është inkurajuar për vazhdimin e implementimit të reformave demokratike në Kosovë, nga Qeveria e Kosovës dhe nga gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës.

Duke komentuar takimin me përfaqësuesen e lart për politikë ta jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton, kryeministri ka theksuar se kanë diskutuar për përgatitjet pas prezantimit të shpejtë të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovë. Prezantimi i këtij opinioni do të përmbyll çështjen ligjore të këtij procesi dhe do të hapë një kapitull i ri.

“Është një qëndrim unik i të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian për mbështetjen e re për Republikën e Kosovës edhe në të ardhmen”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri ka deklaruar se gjatë takimeve në Bruksel ka prezantuar qëndrimin se realiteti i krijuar në Kosovë është duke e tejkaluar procesin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe se Kosova është në fazën e fundit e këtij procesi. “Unë kam besim të plotë se Bashkimi Evropian pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë një qëndrim unik për të ardhmen e Kosovës, për të ardhmen e integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.”

“E di se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është duke u pritur me padurim nga të gjithë, edhe nga politika edhe nga qytetarët. Dua të ju siguroj dhe t’i garantojë të gjithë qytetarët e Kosovës edhe njëherë, se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa, në asnjë rrethanë nuk do ketë hapja të çështjes së statusit të Kosovës, e gjithashtu as të çështjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi, në takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh  Rasmunssen, ka kërkuar që të mos ndryshojë periudhe dhe stadi në të cilin është, Marrëveshja e Kumanovës. Kosova po ndërton mekanizmat e veta të sigurisë dhe mbrojtjes. Reduktimi i trupave të KFOR-it është mesazhi më i mirë i stabilitetit dhe gradualisht edhe i marrjes së kompetencave të cilat ju takojnë edhe sipas Kushtetutës dhe ligjit, institucioneve të Kosovës.

“Belgjika do ta udhëheq presidencën evropiane në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe, janë jashtëzakonisht të rëndësishme raportet tona bilaterale, të cilat, për momentin, janë raporte të shkëlqyeshme”, është shprehur kryeministri në fillim të komentimit të takimit që ka zhvilluar me kryeministrin belg. Në takimin e kryeministrit Hashim Thaçi me kryeministrin Yves Letereme, janë nënshkruar dy marrëveshje në mes të shtetit të Belgjikës dhe të Kosovës. Marrëveshjen për transporte rrugore dhe marrëveshjen për transferin e të burgosurve.   

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryeministrin grek, George Papandreu. Në këtë rast, kryeministri Thaçi ka kërkuar mbështetjen e shtetit grek që edhe Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Na nevojitet edhe një votë, dhe mendoj se Greqia mund të luajë një rol aktiv edhe pozitiv në këtë drejtim” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se, pret lëvizje pozitive nga ana Greqisë, në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)