29 Mars 2024

BE-ja mirëpret reformën zgjedhore në Kosovë

Prishtinë, 2 dhjetor - Misioni Përcjellës i Zgjedhjeve i BE-së (EFM), i vendosur në Kosovë që nga 14 nëntori 2022, prezantoi sot gjetjet e tij preliminare mbi progresin e deritanishëm në implementimin e rekomandimeve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.

“Ne e mirëpresim progresin në fushën e financimit të fushatës dhe jemi të inkurajuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për finalizimin e rishikimit të rregulloreve të tij. BE-ja fton më tej ligjvënësit që të adresojnë rekomandimet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve me një konsensus të gjerë dhe vullnet politik”, tha shefi i Misionit Përcjellës të Zgjedhjeve i BE-së, Lukas Mandl.

“E inkurajoj Komisionin Ad-Hoc të Kuvendit të Kosovës për Reformën Zgjedhore që të vazhdojë angazhimin me të gjitha palët e interesuara në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, për të ndërtuar një nivel më të madh të besimit publik në procesin zgjedhor”, shtoi ai.

BE-ja në Kosovë monitoron vazhdimisht zbatimin e rekomandimeve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.

“Puna për përmirësimin e procesit zgjedhor ka filluar dhe ne duam të shohim që ajo të çojë në përfundimin e reformës zgjedhore, e cila është pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian të Kosovës”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 2021 ofroi 23 rekomandime, duke përfshirë gjashtë prioritare, duke u fokusuar, ndër të tjera, në regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, financimin e partive dhe fushatave, mediat dhe fushatën online, si dhe qartësimin e dispozitave për zgjidhjet e kontesteve zgjedhore.

“Shumë nga rekomandimet e vitit 2021 janë të ngjashme me ato të ofruara nga misionet e mëparshme të BE-së, dhe ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në proceset demokratike zgjedhore në Kosovë duke ndihmuar në përmirësimin e kornizës zgjedhore”, tha Mandl.

Misioni Përcjellës i Zgjedhjeve i BE-së, i kryesuar nga Lukas Mandl, deputet i Parlamentit Evropian dhe Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së për zgjedhjet komunale të vitit 2021, u vendos në Kosovë më 14 nëntor. Objektivat kryesore të këtij misioni janë të vlerësojë shkallën në të cilën janë zbatuar rekomandimet e BE-së për përmirësimin e kornizës zgjedhore, si dhe të diskutojë mënyrat për të arritur progres të mëtejshëm në reformën zgjedhore. Misioni do të qëndrojë në Kosovë deri më 8 dhjetor.

EFM u takua me përfaqësues të Komisionit Ad Hoc të Kuvendit për Reformën Zgjedhore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionit të Pavarur për Media, partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin ndërkombëtar.

Një raport përfundimtar gjithëpërfshirës i Misionit Përcjellës të Zgjedhjeve të BE-së do të publikohet në javët e ardhshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)