19 Prill 2024

BE-ja gjithmonë do të qëndroj dhe do ta ndihmoj Kosovën

Prishtinë, 5 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim, shefen e zyrës së BE-së, në Kosovë, ambasadoren Nataliya Apostolova, me të cilën pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, tha se ambasadoren Apostolova e ka falënderuar për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke shprehur po ashtu zotimin që t’i ndjekin me vëmendje dhe përkushtim të gjitha projektet dhe proceset e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

"Në veçanti e falënderova për ndihmën e fundit prej 75 milionë euro për filtrat në Termocentralin "Kosova B",  që me dhjetëra herë e kanë zvogëluar ndotjen e ajrit që na vije prej atje."

"Dhe, gjithashtu shpreha edhe përkushtimin tonë për ERA 2, që e shohim si vendimtar për zbatimin e reformave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Kosovës  dhe Bashkimit Evropian", ka theksuar Kurti.

Ndër tjerash, kryeministri Kurti theksoi se mbeten të përkushtuar në rrugëtimin evropian drejt familjes së madhe evropiane.  

"Republika e Kosovës, unë si kryeministër i saj, mbetemi të përkushtuar në rrugëtimin evropian drejt familjes së madhe evropiane dhe drejt realizimit të kongruencës, midis projektit më të madh të paqes e të zhvillimit në botë të shekullit XX, që në shekullin XXI të arrijë kongruencën me kontinentin evropian, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht Republikën tonë", ka pohuar Kurti.

Ndërkaq Përfaqësuese Speciale e Bashkimit Evropian, Natalie Apostolva ka përgëzuar kryeministrin Kurti, për marrjen e postit të kryeministrit dhe themelimin e Qeverisë dhe funksionimin e saj.

"Ishte takimi i parë dhe erdhëm në numër kaq të madh për ta përsëritur zotimin tonë të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, për Kosovën, për popullin e Kosovës, si dhe për Qeverinë e Kosovës."

"U deshtë pak kohë për krijimin e kësaj Qeverie dhe në shumë raste, ne, si partner ndërkombëtar kemi theksuar se sa me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri ekzekutive, sepse pa një partner të tillë në vendet ku jemi të vendosur nuk mund t’i përmbushim detyrimet që i kemi marrë përsipër."

"Siç tha kryeministri, marrëveshjet tona kontraktuale janë MSA-ja, në mes të Kosovës dhe BE-së, Agjenda Evropiane të Reformave, që është në fazën e dytë dhe së shpejti presim që faza e dytë të filloj", ka theksuar Apostolova.

Ajo që është me rëndësi sipas saj është që BE-ja gjithmonë do të qëndroj dhe do ta ndihmoj Kosovën. Kemi qenë të angazhuar në ndihmën, në programin tonë të dytë më të madh në botë për kokë banori.

"Nuk dua t’i përmend shifrat sepse ato nuk janë të rëndësishme për këtë konferencë për shtyp. Deklarata më e mirë që ja kam bërë është që e tëra që jemi pajtuar për Kosovën, është për Kosovën dhe popullin e saj."

"Dëshirojmë ta shohim një qeveri të përgjegjshme dhe ministra të dijshëm që do të jenë partner tanë në zbatimin e kësaj asistence, prioritetet tona, siç janë sundimi i së drejtës, arsimi, ndërtimi i shtetit."

"Dëshirojmë të shohim institucione të forta, administratë të fortë publike. Dëshirojmë të shohim natyrisht, që këto projekte që janë në linjë, një prej tyre është emblematike filtrat për “Kosovën B”. Dëshirojmë të shohim që mjedisi në Kosovë po përmirësohet dhe dëshirojmë të shohim që Kosova të avancoj në partneritet evropian."

"Mendoj se është emblematike që ky ishte takimi i parë sot. Komisioni Evropian tashmë ka njoftuar ose paralajmëruar një metodologji të re që ka të bëjë me zgjerimin e rajonit dhe mendoj që është një fillim i mirë për zotimin tonë të përtërirë që po e theksojmë në këtë komision për Ballkanin dhe Kosovën në veçanti", ka thënë në fund Apostolova.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)