20 Prill 2019

BE duhet ta marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave

Bruksel, 15 prill – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin ka biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.

Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një Status Quo të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 prill 2019

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media! (Selia e Vetëndosje, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri mban konferencë për media. (Press Qendra në Ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit, ora 10:00)

- Alternativa mban konferencën e radhës të partisë në të cilën prezanton të gjetura dhe rekomandime për gjendjen mjedisore në Kosovë. (Zyret e partisë Alternativa. ora 10:00) 

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Brigadës 136 Rugova, që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Teatri “Istref Begolli” në Pejë, ora 11:00)

- Biznesi anëtarë në Odën e Afarizmit të Kosovës “Altera”, bën promovimin e librit të autorit Bashmir Xhemaj, “Një shqiptar në CIA - dy jetët e Destan Berishës”. (Libraria Altera në Prizren, ora 13:00)

- Shoqata Atlantiku mbanë konferencë përmbyllëse për media në të cilën përfaqësuesi i shoqatës Gani Shehu, do të pasqyrojë ngjarjet që kanë shënuar 20-vjetorin e ‘Batalionit Atlantiku’, mesazhin kyç dhe vizionin për angazhimet në të ardhmen. (Hotel Grand, ora 14:00)