19 Prill 2024

Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm kur Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e tij

Prishtinë, 16 prill – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Presidenti Thaçi ka thënë se ardhja e kryeministrit Borissov në Kosovë është një ndër i dyfishtë për ne, sepse përveç faktit që ai përfaqëson shtetin mik Bullgarinë, njëherësh përfaqëson edhe presidencën bullgare të BE-së.

“Ne diskutuam për rrugën evropiane të Kosovës, të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur Kosova dhe e tërë Evropa Juglindore të jenë pjesë e tij. Kjo nënkupton jo vetëm paqe e stabilitet, por edhe ngritje të mirëqenies së gjithmbarshme”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka folur edhe për strategjinë e re të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është ritheksuar perspektiva e të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ai e ka falënderuar kryeministrin bullgar për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Bullgarisë si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së, që me të drejtë i ka vënë rëndësinë e duhur zgjerimit, duke e vënë si një nga prioritetet.

Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova kërkon jo vetëm që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon.

Ndërsa, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, theksoi se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit është në dobi të të gjitha palëve dhe tërë Evropa Juglindore e ka vendin në Bashkimin Evropian.

"Bashkimi Evropian është i hapur për vendet e Evropës Juglindore. Sigurisht, këto vende duhet të plotësojnë kushtet që ka vënë BE-ja për anëtarësim", është shprehur kryeministri Borissov.

Duke folur për zhvillimin e rajonit, kryeministri bullgar ka theksuar nevojën që të ndërtohet infrastruktura që do të lidhë më mirë vendet e Evropës Juglindore me njëra-tjetrën dhe me tërë kontinentin.

"Duke ndërtuar infrastrukturën, ndihmojmë zhvillimin dhe paqen në rajon", u shpreh kryeministri Borissov.

Presidenti Thaçi shtoi se Samiti i Sofjes do të jetë një mundësi e mirë për tërë rajonin.

“Samiti i Sofjes është një mundësi unike në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)