13 Korrik 2020

Auditori Osmani prezantoi para deputetëve Raportin Vjetor të Performancës

Prishtinë, 29 maj - Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të këtij komisioni, Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetin, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2019, si dhe u është përgjigjur deputetëve në të gjitha çështjet e parashtruara me interes për ta.

Osmani tha se të gjitha aktivitetet audituese të ZKA-së gjatë vitit 2019, janë realizuar në tërësi siç edhe ishin planifikuar me Planin Vjetor të Punës për sezonin auditues 2018 – 2019.

“Kemi përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit, prej të cilave, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje të dukshme nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11% të auditimeve të ZKA-së."

"Auditimi i Ndërmarrjeve Publike (NP) ka filluar në sezonin auditues 2016/17, me vetëm 4 sosh dhe tani kemi arritur në 14 NP të audituara këtë sezon përfshirë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit për auditimet e  Ndërmarrjeve Publike në fushën e  telekomunikacionit. 

Sa i përket cilësisë së raporteve të auditimit është konstatuar njëzëri  që është e një niveli të lartë, sepse në vazhdimësi është arritur  të sigurohet  mbështetje e vazhdueshme profesionale dhe trajnime specifike mbi metodologjitë dhe standardet e fundit audituese. Po ashtu, ka një  rritje të dukshme të numrit të certifikimeve profesionale të auditorëve dhe  shtrirje më të madhe të bashkëpunimit edhe me Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e Evropës dhe më gjerë, për të përfituar njohuri nga programe të veçanta edukimi dhe përvoja e gjatë e tyre”, tha Osmani. 

Me qëllim të përmbushjes së vizionit dhe misionit tonë, ne kemi zhvilluar Planin Strategjik 2018-2021, në kuadër të të cilit kemi përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat institucionale për tri vjet.  

Osmani, theksoi se një ndër të arriturat e rëndësishme, që e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019, është anëtarësimi me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), i cili ishte edhe një prej qëllimeve kryesore strategjike.

Ai vlerësoi se ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm, ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor dhe do t’i ofroj Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale me qëllim të mbajtjes përgjegjëse dhe përmirësimit të performancës së institucioneve publike,  rritjes së transparencës dhe kontrollit në menaxhimin e parasë publike.

Osmani deklaroi se me angazhim serioz të të gjitha palëve, rezultatet e auditimit kanë vetëm një qëllim dhe ato do të shndërrohen në shërbime më të mira për qytetarët. 

Nga ana tjetër Kryetari i Komisionit, z. Bedri Hamza dhe anëtarët e Komisionit, kanë vlerësuar pozitivisht punën dhe kanë shprehur  mbështetje të pa rezervë në sigurimin e pavarësisë funksionale dhe financiare për Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Korrik 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e hap fushatën e korrje-shirjeve. (Fushata e korrje-shirjeve nis në mes të fshatave, Livoq i Poshtëm dhe Velekincë, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt do të vizitojë kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. (Bajgorë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Salla e Kuvendit, ora 14:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti raporton në Kuvendin e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)