19 Prill 2024

ASHAK dhuron libra për Bibliotekën e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 31 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi,  ka pritur sot në takim përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të prirë nga kryetari i ASHAK-ut, Besim Bokshi, nënkryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, sekretari i ASHAK-ut,  akademik Engjëll Berisha, si dhe përfaqësuesit tjerë, Lindita Pula dhe Zija Bylykbashin.

Gjatë këtij takimi kreu i ASHAK-ut, z. Besim Bokshi njoftoi fillimisht Kryetarin e Kuvendit, dr. Jakup Krasniqin se ASHAK-u ka vendosur të dhurojë disa libra të Akademisë për Bibliotekën e Parlamentit të vendit.
Ai sqaroi se librat të cilat janë dhuratë për Kuvendin janë libra të akademikëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm, si dhe disa përmbledhje të  të konferencave dhe simpoziumeve të ndryshme shkencore.

Bokshi me këtë rast tha se ka libra që u përkasin autorëve të traditës, si dhe disa botime të albanologëve të sotëm.
 
“Pasi kuptuam se Kuvendi krijoi bibliotekën e tij, vendosëm që t’ua dhurojmë botimet e akademisë”, tha me këtë rast kryetari i ASHAK-ut, Besim Bokshi, duke sqaruar më tej se në 11 vjetët e fundit Akademia e Shkencave ka botuar më se 130 vepra, ndërsa shtoi se sasia e vogël e këtyre botimeve arsyetohet me gjendjen e vështirësuar në të cilën gjendet Akademia, përcjellë me mungesë të madhe të mjeteve buxhetore.

Gjatë këtij takimi përfaqësues të ASHAK-ut sqaruan po ashtu se kanë përgatitur monografi për Kosovën, botim i parë i këtij lloji në vend, megjithatë në mungesë të mjeteve financiare akoma nuk është vënë në botim, porse sqaruan se pritet shumë shpejt të ndodh një gjë e tillë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, duke falënderuar përfaqësuesit e ASHAK-ut për librat-dhuratë për bibliotekën e Kuvendit, tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë që i ka pasur në të kaluarën dhe sot ASHAK-u,  megjithatë në rrethanat në të cilat aktualisht është vendi akoma nuk mund t’i dilet mbanë plotësimeve të kërkesave që ka ky institut.

Ai tha se buxheti i kufizuar i vendit  nuk jep mundësi për ta shpërblyer punën e këtyre personave. Megjithatë shtoi Krasniqi Akademia si institut realisht është i rëndësishëm për çdo komb, në mënyrë të veçantë për ne, porse sigurisht se ne do të investojmë më shumë në këtë drejtim.

Më ketë rast Krasniqi përmendi edhe investimin që është bërë së fundi për objektin e ASHAK-ut. Ndërsa, shtoi se nuk do të mungojnë edhe investimet tjera në të ardhmen për ASHAK-un.

Më tej kryekuvendari Krasniqi përgëzoi përfaqësuesit e ASHAK-ut për bashkëpunimin që Akademia e vendit ka me atë të Shqipërisë, duke përmendur me këtë rast edhe nënshkrimin e një protokoll-bashkëpunimi kërkimor shkencor e artistik për vitet 2011-2013 mes Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës dhe  Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)