19 Prill 2019

Anulohet vizita e gjeneralit amerikan në Kosovë për shkak të tarifave

Prishtinë, 11 shkurt - Një vizitë e planifikuar e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr. në Kosovë, është anuluar për shkak të tarifave të Kosovës ndaj prodhimeve serbe dhe refuzimit të qeverisë për heqjen e tyre.

Anulimin e vizitës së gjeneralit Orr, i cili pritej të qëndronte në Kosovë me rastin e përvjetorit të 11-të të pavarësisë, e ka konfirmuar për Zërin e Amerikës ambasada amerikane në Prishtinë.

“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnja”, thuhet në një përgjigje të kësaj ambasade.

Mediat në Kosovë njoftuan se komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre për anulimin e kësaj vizite. Në letër thuhet mes tjerash se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.

Por ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka komentuar për masat e paralajmëruara. "Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.

Tash për tash nuk është e qartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar me tarifat. Bashkimi Evropian po ashtu po ushtron trysni politike ndaj Kosovës për heqjen e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 prill 2019 - Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendren Klinike Universitare i fillon punimet Simpoziumi mbarëshqiptarë i kirurgëve të fëmijëve. (Hotel Internacional Prishtina, ora 8:40)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në festivalin olimpik për fëmijët parafillor. ))(Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë, ora 9:30)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe partneri implementues, Kryqi i Kuq i Kosovës, do të organizojnë një ushtrim fushor në fshatin Maxhunaj në komunën e Vushtrrisë. (Fshati Maxhunaj, ora 10:00)

- Shtëpia Botuese “Faik Konica” organizon promovimin e librit të Dr. Islam Lauka, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”. (Bibliotekën Kombëtare, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjnë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të projekteve për ndërmarrësit e rinj. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë Akademinë Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Koshares dhe rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në kuadër të Manifestimit Tradicional "Ditët e Shqipes 2019", që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministri i Republikës se Kosovës, Enver Hoxhaj mban konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P32, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të përcjellin garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. (Objekti i Gjimnazit Natyror "Xhavit Ahmeti" në Gjilan, ora 13:30)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e lançimit të faqes së re të internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Sheshi 21, ora 15:00)

- Federata e Atletike të Kosovës do të mbaj konferencë për media në të cilën do të jepen informatat kryesore rreth organizimit të gjysmë maratonës së këtij viti. (Salla e shtëpisë së sporteve në Prishtinë, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Batalionit “Atlantiku”, që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë, ora 16:00)

- Në kuadër të tubimeve Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja Lëvizja Vetëvendosje  mban tubim në Drenas. (Shtëpia e Kulturës në Drenas, ora 16:30)

- Galeria e Qytetit të Gjilanit hap ekspozitën e veçantë të fotografive “Arti i Rrudhave”, të autorit Muhamed Sadriu, e cila do të shpalos fotorgafitë e 21 personave të cilët i kanë mbi 100 vjet, e që e simbolizon shekullin XXI. (Galeria e Qytetit të Gjilanit, ora 17:30)

- Në kuadër të tubimeve Kundër PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja Lëvizja Vetëvendosje  mban tubim në Prizren. (Shtëpia e Kulturës "Xhemajli Berisha" në Prizren, ora 19:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës hap ekspoziten "Grouping - Moving - Spreading" Metaxym e cila është kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe World Anonimous Society. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)

- Lumbardhi do të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe epizodit të dytë të Lumbardhi n’Behar. (Lumbardhi në Prizre, ora 21:00)