23 Janar 2019

Anulohet marrëveshja joligjore dhe abuzuese e Komunës së Fushë-Kosovës

Prishtinë, 8 janar - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Fushë-Kosovë ka bërë të ditur se me datën 14 nëntor Asambleja komunale e Fushë-Kosovës ka miratuar Marrëveshjen për Përkujdesin Social dhe Shëndetësor me Organizatën “CARITAS”, përkundër vrejtjes së asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! se kjo marrëveshje është joligjore, jotransparente dhe e dëmshme për buxhetin komunal.

Marrëveshja parashihte financimin e një programi prej 375,000 eurosh, në bashkëpunim me “Caritas” , prej të cilave kjo e fundit merr pjesë vetëm me 20,000 euro, ose diku rreth 5% e buxhetit për projekt.

Pushteti ka injoruar vërejtjet e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe ka mbivotuar këtë marrëveshje duke përdorur edhe votat e një pjese të minoriteteve dhe të një vote të opozitës, përkatësisht të AKR-së.

Denoncimi i vazhdueshëm i kësaj Marrëveshjeje nga LVV-ja është injoruar deri më datën 06.12.2018, kur Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal nxorri një interpretim ku thuhet se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me Rregulloren MT-04-2017 për Kriteret, Standardet dhe Procedurat për Financimin e OJQ-ve.

Komuna e Fushë-Kosovës ka një situatë specifike përsa i përket financimit të sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, për shkak se numri i banorëve që jetojnë në këtë qytet është gati dyfishi i numrit të banorëve të regjistruar si banorë lokal.

Këta banorë marrin shërbimet publike të Komunës, ndërkohë që financimi i nivelit qendror të qeverisjes është i lidhur ngusht me numrin e banorëve të regjistruar.

Lëvizja Vetëvendosje! konsideron se ky problem nuk zgjidhet duke nënshkruar marrëveshje jotransparente dhe joligjore. Deri sot kjo marrëveshje është përdorur për akomodimin e familjarëve të zyrtarëve komunal, por edhe për të shpaguar njerëz që kanë qenë të përfshirë në mobilizimin e  votës për kryetarin, Burim Berisha.

Asnjëherë nuk i ka përmbushur nevojat e qytetarëve të Fushë-Kosovës. Një numër i madh i objekteve shëndetësore nuk janë aktivizuar edhe pse komuna nëpërmjet skemës “Caritas” ka shtuar numrin e punëtorëve shëndetësor.

Po ashtu, ka pasur raste kur, për shembull, punëtorët shëndetësor janë punësuar në objekte shëndetësore falë afërsisë me pushtetin. Kështu, vendbanime me numër të madh të banorëve nuk kanë marrur shërbime shëndetësore, e në ndonjë fshat është tejkaluar numri i peronelit shëndetësor.

Edhe në fushën e arsimit kjo marrëveshje pothuaj se nuk ka ndikuar fare në përmirësim të kushteve për mësim. Shkollat e Fushë-Kosovës kanë mesatarisht 45 nxënës në një klasë, duke dëmtuar kështu kualitetin në procesin mësimor.

Duke marrur parasysh se kjo skemë me “Caritas” më shumë i ka shërbyer kryetarit të komunës, një numër i të angazhuarëve në procesin mësimor kanë fituar vend si shpërblim për përkrahjen ndaj tij sesa për shkak se i kanë plotësuar kushtet. Kjo ka bërë që Fushë-Kosova të shënojë nivelin më të ulët të suksesit në sektorin e arsimit.

Zgjidhja e kësaj situate, ashtu siç e ka thënë shumë herë LVV Fushë-Kosovë, vjen vetëm nëpërmjet analizës empirike të situatës dhe problematizimit të saj tek institucionet qendrore, regjistrimit të banorëve real në këtë komunë, sensibilizimit të banorëve që shfrytëzojnë shërbimet publike dhe deri te kushtëzimi i shfrytëzimit të shërbimeve publike me regjistrimin si banorë.

Asnjërën nga këto nuk e ka bërë Komuna e Fushë-Kosovës me Kryetarin aktual të saj. Ky abuzim nuk ka ndodhur vetëm tashti, por është aplikuar edhe në mandate më të hershme të po të njëjtit ekzekutiv të Komunës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019  - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)

- Jepet shfaqja “I vetëm në banesë” i autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit. (Teatri i qyteti te Gjilanit, ora 19:00)