28 Mars 2024

Ambasadori i ri i Kroacisë dorëzoi letrat kredenciale

Prishtinë, 17 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Kroacisë në vendin tonë, Zoran Vodopija, i cili më këtë rast, në një ceremoni solemne, dorëzoi letrat kredenciale.

Duke ia përcjellë Presidentit Pacolli urimet e Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq, ambasadori Vodopija theksoi se Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira dhe këto marrëdhënie do t’i zhvillojnë dhe zgjerojnë në të ardhmen edhe më shumë.

Ai tha se Kroacia do të japë përkrahjen e saj të vazhdueshme që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete, që ajo të anëtarësohet në sa më shumë institucione ndërkombëtare, si dhe të fitojë rolin e saj të rëndësishëm në rajon.

Kroacia, vijoi ambasadori Vodopija, do të japë ndihmesën dhe eksperiencën e saj që të ndihmojë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Presidenti Behgjet Pacolli theksoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira mes dy shteteve dhe u shpreh falënderues për faktin se Kroacia e ka ndihmuar në vazhdimësi Kosovën, si në periudhën e paraluftës, ashtu edhe në të gjitha fazat e shtetndërtimit të saj.

Prania e Kroacisë në Kosovë, në të gjitha format, theksoi Pacolli, është e një rëndësie të veçantë. Në veçanti, ai theksoi mundësitë shumë të mëdha të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe u bëri thirrje bizneseve kroate që të investojnë në Kosovë.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli u shpreh në të mirë të rritjes së bashkëpunimit të vendeve të rajonit, me qëllim të krijimit të lehtësirave për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ideve e mallrave, si një parakusht lëvizjen sa më të shpejtë të vendeve të rajonit drejt integrimeve euroatlantike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)