22 Shtator 2019

Ambasada Britanike nënshkruan Memorandum për përmirësimin e Sistemit Prokurorial

Prishtinë, 5 shtator - Me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe profesionalizmit dhe forcimit të Sistemit Prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, përmes partnerëve të saj implementues Axiom International dhe Agencia Ltd, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi.

Ky memorandum mirëkuptimi është nënshkruar nga Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni dhe Drejtori i Projektit, Axiom International dhe Agencia Ltd, Steve Pitts.

Lidhur me fillimin e këtij bashkëpunimi të ri në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë kanë folur Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Ambasadori Britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni tha se përvojat e ekspertëve britanik janë shumë të mirëseardhura dhe përmes projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, do ta forcojnë pa dyshim zbatimin e parimeve të përzgjedhjes bazuar në merita, llogaridhënie, barazi dhe transparencë.

Gjithashtu do të punohet bashkërisht me partnerët nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe me partnerët tjerë strategjik të sistemit prokurorial edhe në avancimin e sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve, në mënyrë që të jemi sa më llogaridhënës dhe të sillemi brenda standardeve të njohura ndërkombëtarësh, tha ndër të tjera Kryesuesi Hyseni.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandwr Lumezi tha ky bashkëpunim më partnerët ndërkombëtarë na jep të drejtë për të besuar se ky projekt në të ardhmen do të jep rezultate konkrete në forcimin e sundimit të ligjit."

"Ky bashkëpunim nëpërmjet këtij projekti do të ndikojë edhe në krijimin e standardeve gjatë procedurave të përzgjedhjes dhe rekrutimit të prokurorëve, avancimit, emërimit por edhe të vlerësimit të performancës."

"Memorandumi duhet të udhëhiqet nga parimi i mirëkuptimit, parimi i sovranitetit dhe interesit të ndërsjellët për arritjen e qëllimeve të përbashkëta në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës."

"Po ashtu, ky memorandum ka për qëllim mbështetjen, trajnimin dhe monitorimin e prokurorëve të cilët merren me rastet e krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave”, ka theksuar Lumezi.

Ambasadori Britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott, tha se sot është dita e parë si Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ka kënaqësinë të takohet me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorin e Shtetit dhe prokurorë – që kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në hetimin dhe luftimin ndaj dukurive negative.

Ai shtoi se beson se ky fakt përqon qartë përkushtimin dhe rëndësinë që Mbretëria e Bashkuar ka për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Jam shumë i kënaqur, gjithashtu, të jem i pranishëm në formalizimin e bashkëpunimit tonë edhe më të ngushtë, përmes mbështetjes programatike nga partneri zbatues Axiom dhe Agencia."

"Partneri jonë implementues është dorë e zgjatur e Ambasadës Britanike i cili tashmë është duke bashkëpunuar ngushtë me ju në shumë aspekte si: rekrutimet, promovimet, emërimet, vlerësimin e performancës dhe integritetit", tha Ambasadori Abbott.

Ky memorandum mirëkuptimi do të ndikojë që Këshillit Prokurorial i Kosovës të merr mbështetje në ngritjen e efikasitetit në rekrutim, avancim dhe transferim të të gjithë prokurorëve të Shtetit dhe vlerësimet e performancës së tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shtator 2019

- Federata e pingpongut të Kosovës zhvillon garat ekipore në Superligën e Meshkujve. (Pallati i Sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, , do të mbajë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti: “Drejtësia administrative në Kosovë, ligji VS praktika”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Përmbylljes Java e Kosovës për Zhvillim të Qendrueshëm dhe Java Europiane e Mobilitetit. (Tek monumenti Newborn, ora 12:30)

- Partia e Drejtësisë do të shënojë njëzet vjetorin e themelimit të Partisë. (Salla e Kuqe të Pallatit të Rinisë e Sporteve, ora 14:00)