22 Gusht 2019

Albright e vendosur që të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Prishtinë, 12 qershor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka prit në takim ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e cila po qëndron në Kosovë për të marr pjesë në shënimin e 20-vjetorit të çlirimit dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur falënderimin e thellë ndaj zonjës Albright për angazhimin dhe kontributin e saj për lirinë dhe mbrojtjen e popullit të Kosovës në kohët më të vështira.

“Ne kujtojmë me pietet dhe ndjenjë të respektit angazhimin tuaj gjatë luftës në Kosovë, për ndaljen e vrasjeve dhe të dëbimit të popullit tonë, si dhe për çlirimin e Kosovës nga forcat pushtuese serbe”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se janë të nderuar që sot, Sekretarja Albright po e shënon bashkë me ta 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që sot bashkë me ta, po nderon sakrificën ndër breza të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe po nderojnë e kujtojnë dëshmorët e martirët e kësaj toke, sakrificën e secilit.

“Në familjet e shqiptarëve, në zemrat tona dhe në kujtesën historike të vendit, ju keni mbetur përgjithmonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj në këtë rast i ka dorëzuar pullën postare të edituar nga Posta e Kosovës, me portretin e ish-Sekretares Madeleine Albright. “Përmes këtij veprimi të Postës së Kosovës, dëshirojmë të ruajmë respektin për zonjën e madhe Albright”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ish-Sekretarja Madeleine Albright ka falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe popullin e Kosovës, duke thënë se Kosovës i duhet liria, paqja dhe demokracia dhe se vlerëson progresin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre njëzet viteve.

Ajo është shprehur e vendosur që të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe afirmimit edhe në të ardhmen.

Albright konsiderohet mike e vendit tonë nga momentet vendimtare, gjatë luftës në Kosovë, kur i ka kushtuar kohë dhe ndihmë për ta mbrojtur nga gjenocidi serb dhe për çlirim.

Ajo ishte në pozitën e Sekretares së Shtetit në kohën e luftës në Kosovë dhe kishte një rol vendimtar në organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Rambujesë, që rezultoi me ndërhyrje të NATO-s në Kosovë dhe ndërprerjen e dëbimit dhe vrasjeve të popullit të Kosovës, dhe me lirinë e saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)