18 Prill 2024

AKR: Koalicioni PDK-LDK i dështuar në bashkëqeverisje

Prishtinë, 11 tetor - Partia opozitare Aleanca Kosova Re, ka konstatuar se Kosova po vazhdon të ballafaqohet me sfida politike, ekonomike e të sigurisë së përgjithshme në vend. Sipas Shefki  Abdullahu, këshilltar për politikë dhe siguri nacionale në AKR, fajtor kryesor për një gjendje të tillë, është dështimi sistematik i bashkëqeverisjes aktuale të dy subjekteve më të mëdha politike në vend.

“Deri më tani, e gjithë kjo tregon qartë, se Qeveria e koalicionit në fjalë  nga momenti i marrjes se pushtetit, dështoi në realizimin e premtimeve të dhëna qytetarëve të Kosovës, e madje nuk plotësoi as kërkesat më elementare të tyre, e mos të flasim për premtimet e tjera politike sikur rasti i implementimit të strategjisë shumë të përfolur për Integrimin e Veriut të Mitrovicës e cila dita ditës është duke dështuar”, tha Abdullahu.
Ai tha se siguria në vend është e qëndrueshme, kurse në Veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e brishtë dhe pjesërisht e kontrolluar nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare edhe pse ditëve të fundit, aksionet e përbashkëta të SHPK-së dhe EULEX-it në mbështetje të plotë të KFOR-it, janë inkurajuese.


“Aleanca Kosova e Re duke marrë parasysh situatën aktuale politike, kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës një bashkëpunim të plotë me institucionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, të koordinojnë veprimet e përbashkëta përmes institucioneve relevante në bazë të përgjegjësive që kanë dhe të ndërmarrin hapa konkret në fushat specifike”, tha ai.

Ai tha se AKR-ja ka 6 rekomandime për institucionet e Kosovës se si mund të arrihet deri te stabiliteti politik.

Rekomandimet e AKR-së:

1. Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rikthimin e sundimit te plotë të rendit dhe ligjit  dhe kontrollin e  plotë kushtetues në tërë territorin e Kosovës, posaçërisht në veri të Kosovës,
2. Vazhdimësinë e aktiviteteve të përbashkëta të SHPK-së dhe EULEX-in në mbështetje të plotë të KFOR-it në futjen e kontrollit të plotë në veri të Kosovës dhe kthimin e shërbimit doganor në pika doganore 31 dhe 1,
3. Vazhdimësia sistematike e strukturave zyrtare vendore dhe ndërkombëtare për organizimin e aksioneve speciale për konfiskimin e armëve ilegale në tërë territorin e Kosovës e posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës,
4. Intensifikimin e aktiviteteve për shuarjen e të gjitha institucioneve ilegale dhe eliminimin e plotë të grupeve të kontrabandave të cilat veprojnë në veri të Kosovës si faktorët kryesor për destabilizime sporadike, të cilat në vazhdimësi sfidojnë sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Kosovë dhe njëkohësisht ulin imazhin e Republikës së Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar,
5.  Rikthimin gradual të administratës së pushtetit lokal në shërbim të të gjithë qytetarëve në komunat e Mitrovicës veriore dhe nën mbikëqyrje të plotë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare,
6. Përgatitja graduale e SHPK-së në bashkëpunim të plotë me organet përkatëse për mbajtje të rendit dhe ligjit dhe krijimin e ambientit demokratik dhe të sigurisë së plotë për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht gjatë periudhës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në rezultatet përfundimtare të dala nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës.

“AKR-ja konsideron se pas realizimit të suksesshëm të gjashtë fushave të lartpërmendura, institucionet ekzekutive vendore të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato ndërkombëtare do të krijojnë stabilitet politik, qeverisje më të mirë dhe efektive, lëvizje të lirë dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët e Kosovës, zhvillim ekonomik dhe integrim të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, me prioritet të veçantë integrimin në BE dhe në NATO”, tha Abdullahu.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)