16 Prill 2024

AGPK: Qeveria është cenuesi më i madh i lirisë së shprehjes

Prishtinë, 3 maj - Në anketën e realizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, në kuadër të projektit për zgjerimin e kapaciteteve të AGPK-së, të mbështetur nga UNDEF-i, njëqind e një gazetarë të intervistuar përpos që e kanë vlerësuar gjendjen si të keqe, kanë identifikuar Qeverinë si institucionin që më së shumti e cenon lirinë e tyre.

Shumica e gazetarëve kosovarë vlerësojnë se gjendja e Lirisë së Shtypit në Kosovë është në pozitë të keqe. 

Trembëdhjetë prej të intervistuarve e kanë vlerësuar gjendjen e Lirisë së Shtypit si “shumë të keqe”, dyzet e shtatë prej tyre si “të keqe”, përkundër tridhjetë e tetë që e kanë vlerësuar si “të mirë” dhe vetëm tre prej tyre si “shumë të mirë”.

Gazetarët kosovarë kanë identifikuar qeverinë si cenuesin më të madh të lirisë së shprehjes, pasi që u është dhënë mundësia që të zgjedhin institucionet që ata mendojnë se më së shumti e bëjnë një gjë të tillë.

Për shkak të natyrës së vet, AGPK nuk ka mundur që ta vlerësojë si të pranueshëm faktin që institucionet e cenojnë lirinë e medias dhe, duke mos qenë paragjykues, i ka pyetur gazetarët për gjendjen e lirisë së shprehjes, ku institucionet mund të kenë rol më të madh.

Të gjithë të intervistuarve u është dhënë mundësia që të zgjedhin tre institucione që ata mendojnë se, me performansat e tyre, e pengojnë lirinë e shprehjes.

Nga gjithsejtë njëqind e një, shtatëdhjetë gazetarë kanë identifikuar Qeverinë si cenuese të lirisë së shprehjes. Partitë politike radhiten në vend të dytë. Ato janë identifikuar nga dyzet e dy gazetarë.

Gjyqësori zë vendin e tretë me gjithsej njëzet gazetarë që kanë dhënë këtë përgjigje. Pasojnë Prokuroria, EULEX-i dhe Ambasada Amerikane, të cilat janë shënjuar nga 19 gazetarë.

Sipas gazetarëve kosovarë, varshmëria financiare e mediave është duke e ngulfatur lirinë e shtypit. Shtatëdhjetë e tetë prej të intervistuarve kanë thënë se varshmëria financiare është duke e cenuar shumë Lirinë e Shtypit, nëntëmbëdhjetë kanë thënë mesatarisht, dy mendojnë se ajo e cenon pak, kurse dy të tjerë mendojnë se kjo varshmëri nuk e cenon fare këtë liri.

Rezultatet e intervistave tregojnë se shumica e gazetarëve kosovarë janë të kënaqur me mediat ku punojnë.

Në pyetjen se a janë të kënaqur me lirinë në median ku raportojnë, gjashtëdhjetë e pesë (65) prej të intervistuarve kanë pohuar se janë të kënaqur, njëzet e gjashtë (26) kanë thënë se janë të kënaqur mesatarisht, ndërkaq vetëm gjashtë (6) kanë deklaruar se nuk janë të kënaqur fare. Një i intervistuar nuk ka dhënë opinion për këtë çështje.

Kjo, si dhe një e dhënë tjetër, nxjerrin përfundimin se gazetarët kosovarë u janë përshtatur plotësisht politikave të mediave ku punojnë. Shtatëdhjetë e tre (73) nga njëqind e një (101) të intervistuar kanë deklaruar të mos u ketë ndodhur kurrë që për shkak të mungesës së Lirisë së Shtypit të mos u publikohet/transmetohet ndonjë storie e tyre. Njëzet e shtatë (27) gazetarë kanë thënë se u ka ndodhur disa herë dhe vetëm një (1) ka thënë se i ka ndodhur shumë herë që të mos i publikohen materialet.

Ndoshta edhe për shkak të mungesës së storieve që bien ndesh me gjendjen e Lirisë së Shtypit, gazetarët kosovarë janë treguar shumë vetëkritikë në këtë anketë. Shumica prej tyre mendojnë se edhe vetë njerëzit e këtij profesioni kanë një kontribut në cenimin e Lirisë së Shtypit. Dyzet e dy (42) prej të intervistuarve kanë thënë se vetë gazetarët janë duke e cenuar këtë liri “mesatarisht”.

Njëzet e gjashtë (26) kanë thënë se gazetarët e cenojnë “pak”, gjashtë (6) kanë thënë “shumë” dhe njëmbëdhjetë (11) të intervistuar mendojnë se gazetarët “nuk e cenojnë” lirinë e shtypit. Gjashtë (6)prej të intervistuarve nuk kanë dhënë opinion për këtë çështje.
 
Anketa nxjerr edhe një rezultat optimist. Duket se as gazetarët nuk ndryshojnë nga shoqëria kosovare, e cila vlerësohet të jetë optimiste. Tetëdhjetë e një (81) nga të intervistuarit kanë thënë se presin ndryshimin e gjendjes së Lirisë së Shtypit në Kosovë në pesë vitet e ardhshme, përkundrejt njëzet (20) të tjerëve që kanë thënë se nuk e presin ndryshimin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)