26 Prill 2024

ADS publikon raportin "Angazhimi i të Rinjve në Vendimmarrje"

Prishtinë, 1 korrik - Institucionet e Kosovës në nivelin qendror dhe lokal, kanë bërë dhe bëjnë shumë pak që t’i përfshijnë të rinjtë në procese vendimmarrëse, duke e mohuar kështu rëndësinë e kësaj pjese shoqërore që përbënë afro 30 përqind të popullsisë në vend.

Këtë e thotë edhe raporti me titull “Angazhimi i të Rinjve në Vendimmarrje”, i publikuar më 30 qershor nga Aksioni për Shoqëri Demokratike (ADS), në të cilin është paraqitur niveli i pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje.

Në këtë raport të formatit të dokumentit të shkurtër të politikave, është vlerësuar se të rinjtë në Kosovë kanë mundësi të kufizuara për të marrë pjesë në vendimmarrje. Në nivel të institucioneve qendrore dhe lokale, siç thuhet në këtë publikim, të rinjtë mund të marrin pjesë vetëm në mënyrë të tërthortë.

Përveç mungesës së vullnetit politik dhe institucional për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, si gjetje tjetër e rëndësishme është evidentuar edhe mungesa e komunikimit horizontal, mes ministrive të linjës (MKRS, MASHT, MPMS) dhe atij vertikal me komunat, përkatësisht me drejtoritë për Rini.

Përmes këtij publikimi është bërë e ditur se të rinjtë në Kosovë kanë mundësi që, kontributin e vet në procese vendimmarrëse, ta bëjnë vetëm përmes formave këshilluese, por jo edhe të jenë palë ekzekutive në marrjen e vendimeve.

Ky raport ka konstatuar se ekziston një mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve dhe nuk ka vullnet politik për t’i angazhuar të rinjtë kosovarë në procese të rëndësishme publike. Rrjedhimisht, përmes këtij raporti është arritur të jepen udhëzime dhe këshillime se si kjo pjesë e shoqërisë (të rinjtë) mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre në nisjen e aktiviteteve me ndikim në komunitet dhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Në këtë drejtim, raporti ka paraqitur dy rrugë apo forma, atë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, përmes së cilave të rinjtë mund të arrijnë më shpejtë të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes publike.

Ndikimi i drejtpërdrejtë, sipas këtij raporti, arrihet duke shfrytëzuar institucionet apo trupat institucionalë siç janë, Këshillat e Shkollave apo Senatet e universiteteve publike. Ndërsa ajo e tërthortë përmes Këshillit Qendror për Veprim Rinor dhe Këshillave Lokalë për Veprim Rinor.

Raporti i mbështetur nga skema e granteve “GRAS”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është pjesë e kampanjës së ADS-së për të ngritur aktivizimin rinor në shoqëri dhe përfshirjen e tyre ne procese vendimmarrëse publike.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)