25 Prill 2024

Aderojnë anëtarë të rinj në Degën e PDK-së në Ferizaj

Prishtinë, 30 nëntor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në një takim me strukturat e PDK-së në Ferizaj.

Në takim, ku merrnin pjesë edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, kandidatët për deputetë, Ilmi Reçica, Lumnije Morina, Ylber Topalli, Bahri Hyseni dhe bashkëpunëtorë tjerë, u rikonfirmua mbështetja e pa rezervë e qytetarëve të Ferizajt për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Thaçi.

Duke iu drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të shumtë të PDK-së në Ferizaj, kryetari i PDK-së, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se ndihet i inkurajuar me gjithë këtë angazhim të strukturave drejtuese të Degës së PDK-së në Ferizaj për fuqizimin e mëtejmë të fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me këtë rast theksoi se Partia Demokratike e Kosovës është familje e ngrohtë politike për të gjithë qytetarët që janë të përkushtuar për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur aderimin e anëtarëve të rinj nga partitë tjera në Degën e PDK-së në Ferizaj.

Në fjalën e tij, drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së në Ferizaj, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi iu ka bërë thirrje atyre për të zhvilluar një fushatë të qetë, të lirë, demokratike dhe dinjitoze, një fushatë të prezantimit të ideve, projekteve dhe vizionit shtetndërtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke e quajtur qytetin e Ferizajt, qytet rekord të fitores së PDK-së, kryeministri Thaçi i ka siguruar strukturat drejtuese të Degës së PDK-së në Ferizaj, se përfaqësuesit e tyre do të jenë pjesë e rëndësishme e Kuvendit dhe Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi ka folur edhe për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Ferizaj gjatë qeverisjes së nivelit komunal dhe qendrorë të Partisë Demokratike të Kosovës.  “Çdo qytetar i Ferizajt i ka prekur investimet që kanë ndodhur këtyre viteve në qytetin dhe rrethinën e Ferizajt. Unë ju siguroj që kjo mbështetje e qeverisë për qytetin e Ferizajt dhe për kryetarin tuaj, Xhemaili do të rritet edhe më shumë në mandatin e ardhshëm qeverisës të Partisë Demokratike të Kosoëvs” – tha Thaçi.

“Më 12 dhjetor e gjithë bota i ka sytë kah Kosova. Fitores së PDK-së do t’i gëzohet e gjithë Kosova, do t’i gëzohen miqtë tanë ndërkombëtarë në Uashington dhe Bruksel. Mandati ynë i ardhshëm do të jetë mandati i integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian” – tha Thaçi.

Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi theksoi se që nga 1 janari 2011, pas 15 muajsh, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Këtë vizion do ta realizojmë duke thelluar angazhimet tona për fuqizimin e reformave substanciale në ekonomi, legjislacion dhe në politikë.

“Unë gjatë jetës sime kam pasur 3 qëllime kryesore. Qëllimi i parë ka qenë çlirimi i Kosovës, qëllimi i dytë ka qenë pavarësia e Kosovës. Të dyja këto qëllime i kemi arritur bashkërisht. Edhe qëllimin e tretë, që është zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në strukturat e BE-së dhe në NATO do ta realizojmë bashkërisht”  - theksoi kryeministri Thaçi.

“Për të arritur qëllimin tonë të integrimit dhe të zhvillimit, na duhet fitorja e thellë dhe bindëse e PDK-së, një mazhorancë e fuqishme, që nuk varet nga ata që i braktisin institucionet e Kosovës për interesa private dhe partiake. Për Partinë Demokratike të Kosovës, interesi i Kosovës është në rend të parë. Pra, Së pari Kosova. Këtë e kemi dëshmuar edhe në kohët më të vështira, edhe tani, dhe do ta dëshmojmë në vazhdimësi”, - tha kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen që ka dëshmuar për gjithë qytetarët e Ferizajt, për investimet kapitale në komunën e Ferizajt.

Xhemaili në takim theksoi angazhimin e strukturave drejtuese të PDK-së në Ferizaj, të cilat i vlerësoi struktura dinjitoze, të cilat kanë ditur dhe do të dijnë ta fitojnë, por edhe ta mbrojnë me punë votën e qytetarëve të Ferizajt.

Gjatë ditës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka vizituar edhe Fabrikën e Bukës në Ferizaj, ku nga drejtuesit e saj është njoftuar me procesin e punës dhe me të arriturat e kësaj fabrike. Në këtë vizitë, kryeministri Thaçi ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme për biznesin privat, në krijimin e lehtësirave të gjithanshme, ngase siç ka thënë z.Thaçi motori i zhvillimit ekonomik të Kosovës është avancimi i punës së biznesit privat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)