29 Mars 2024

659 zyrtarë të lartë publik, mbajnë më shumë se një pozitë

Prishtinë, 10 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, ka mbajtur tryezën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në sistemin e drejtësisë”, si aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”.

Në këtë tryezë, u publikua raporti i përbashkët i Koalicionit të OJQ-ve me titull “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në Kosovë”, lidhur me të gjitha aspektet e qëllimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe zbatimin e këtij ligji nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

IKD ka prezantuar gjetjet e hulumtimit në lidhje me zyrtarët e pushtetit gjyqësor, të cilët mbajnë me shumë se një pozitë.

Kuvendi i Kosovës në pajtim me obligimet e marra lidhur me plotësimin e kritereve që dalin nga Agjenda e Reformës Evropiane kishte miratuar Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, i cili ligj, më 20 prill 2018, ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Ligji është publikuar në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës më 27 prill 2018, dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas publikimit, respektivisht më 12 maj 2018.

Në tryezë u bë e ditur se koalicioni “Java kundër Korrupsion 2018”, nga analiza dhe hulumtimi i afërsisht 4000 zyrtarëve të lartë publik, ka identifikuar se 659 zyrtarë të lartë publik, mbajnë më shumë se një pozitë.

Nga 659, personat që mbajnë më shumë se një pozitë, koaliconi ka identifikuar  581 zyrtarë mbajnë nga dy pozita, 63 zyrtarë kanë nga tre pozita, 10 zyrtarë kanë nga katër pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga pesë pozita.

IKD ka paraqitur kërkesa për qasje në dokumente publike lidhur me listat e pagave të zyrtarëve publik dhe të dhënat ku përfshiheshin pagat, kompensimet, mëditjet, shtesat dhe çdo shpenzim tjetër në kuptim të shpërblimit më pagesë të zyrtarëve të lartë publikë në sistemin gjyqësor, prokurorial dhe Akademinë e Drejtësisë, por që ka marrë përgjigje vetëm nga kjo e fundit. Si pasojë e kësaj, IKD ka qenë i obliguar që analizën dhe hulumtimin ta bazoj përmes analizimit dhe nxjerrjes së informatave prej formularëve të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Nga 631 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë funksione publike në sistemin gjyqësor, prokurorial dhe akademinë e drejtësisë, ku përfshihen anëtarë të Këshillit Gjyqësor, anëtar të Këshillit Prokurorial, gjykatës, prokuror dhe shërbyes civil, IKD ka identifikuar një prokuror dhe një gjykatës që ushtrojnë në të njëjtën kohë pesë funksione, një prokuror dhe tre gjykatës që ushtrojnë katër funksione, 13 zyrtarë të sistemit prokurorial dhe 11 zyrtarë të sistemit gjyqësor që ushtrojnë tre funksione, dhe 38 zyrtarë në sistemin prokurorial dhe 23 zyrtarë në sistemin gjyqësor që ushtrojnë nga dy pozita.

Gjatë tryezës, panelistët dhe pjesëmarrësit debatuan me fokus në tri çështje kryesore: numrin e pozitave publike që mund të ushtrojnë zyrtarët e sektorit të drejtësisë, kompensimi financiar i zyrtarëve publikë dhe qasja në dokumente publike.

Panelistët e kësaj tryeze vlerësuan se personat publik është më mirë të mbajnë një punë dhe të njëjtën ta kryejnë mirë, sesa të mbajnë disa pozita dhe të mos ketë produktivitet. Sipas tyre, aty ku ka konflikt të interesit, aty humb dhe i gjithë besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, dhe duhen shumë vjet që të rikthehet ai besim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)