12 Prill 2021

59 % e qytetarëve shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës

Prishtinë, 4 mars -  Programi i Zhvillimi i Kombeve të Bashkuara UNDP ka lansuar në mënyrë virtuale, Përmbledhjen Pulsi Publik 19.

Anketa e Pulsit Publik 19 është realizuar prej 25 nëntor deri më 8 dhjetor 2020, përmes intervistave ballë për ballë me 1.306 qytetarë të Kosovës dhe ofron një përmbledhje të perceptimeve të tyre në lidhje me proceset demokratike, kushtet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin, dhe pandeminë COVID-19.

Anketat e opinionit  të Pulsit Publik, të cilat janë duke u zhvilluar që nga viti 2010 dhe financohen bujarisht nga USAID, matin perceptimin e banorëve të Kosovës në 10 tregues kryesor social, ekonomik dhe politik.

Disa nga të gjeturat kyçe nga përmbledhja e fundit:

Gjetjet e anketës së Pulsit Publik të dhjetorit 2020 tregojnë një rënie domethënëse të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive dhe legjislative të Kosovës krahasuar me anketën e opinionit të kryer në prill 2020, përveç atij me Presidentin e Kosovës, i cili është rritur nga 18.7% në prill 2020 në 33.9% në dhjetor 2020.

Kënaqshmëria me punën e Kryetares së Kuvendit (46.7%) ka rënë me 25.7 pikë përqindjeje nga prilli i vitit 2020 kur u regjistrua në lartësi rekorde prej 72.4%.

Niveli i kënaqshmërisë me Kuvendin ka rënë nga 33.4% sa ishte në prill 2020 në 22.6%, ndërsa ai me Kryeministrin ka rënë nga 65.4% në prill 2020 në 23% në dhjetor 2020.

Në mënyrë të ngjashme, niveli i kënaqshmërisë me punën e ekzekutivit ka rënë nga 60.7% në prill 2020 në 21.3% në dhjetor 2020.

Tri çështjet kryesore madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (30.9%), varfëria (20.6%) dhe problemet e hapësirës urbane (6.7%).

Në ndërkohë, korrupsioni ka rënë në renditje nga vendi i dytë në të pestin në rangimin e shqetësimeve madhore (nga 23.5% në prill 2020 në 5.1% aktualisht).

Pavarësisht nga rënia në pozitën e pestë, mesatarisht, 28% e të anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike në Kosovë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (59.4%) janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës dhe gratë (60.5%) janë më të pakënaqura sesa burrat (57.2%).

Vetëm 6.9% të anketuarve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Ndërkohë që 64.3% e të anketuarve janë shumë të pakënaqur ose të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës.

Gjithsej 68.4% e të anketuarve deklaruan që ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë që është një rënie prej 17.9 pikë përqindjeje krahasuar me prillin 2020.
 
Gjithsej 45.9% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare, krahasuar me 66.3% në prill 2020.

Rënie është regjistruar edhe në perceptimet nëse institucionet lokale dhe qendrore punojnë sipas prioriteteve të popullit të Kosovës, përkatësisht me 41.5% dhe 30.6%, krahasuar me prillin 2020 kur këto shifra ishin 56.7% dhe 54.9%.

Gjithsej 78.1% e të anketuarve konsiderojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore.

Qëndrimet ndaj votimit kanë ndryshuar dukshëm ku 34.1% e të anketuarve deklaruan se vota e tyre mund të sjellë ndryshime, krahasuar me 46.7% në prill 2020. Nga ana tjetër, 27.4% konsiderojnë se vota e tyre nuk mund ta ndryshojë situatën në Kosovë, krahasuar me 26.8% në prill 2020.

Gjithsej 8.2% e të anketuarve thanë se dinë shumë lidhur me të drejtën për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, 27.4% pohuan se kanë njohuri mesatare, 37% e të anketuarve thanë se pak dinë për këtë temë dhe 27.4% thanë nuk kanë fare njohuri.

 68.7% (65.9% në prill 2020) e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 46.9% (40.7% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik, dhe 52.8% (59% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.

Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se ndikimi i COVID-19 në mirëqenien ekonomike ka qenë thelbësor tek të anketuarit nga të gjitha komunitetet etnike; 69.5% e shqiptarëve të Kosovës, 40.4% e serbëve të Kosovës dhe 71.2% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës raportuan ndikim negativ të COVID-19 në mirëqenien e tyre ekonomike.

Të anketuarit u pyetën edhe nëse janë të kënaqur me masat e marra nga institucionet publike të Kosovës për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Të dhënat sugjerojnë përmbysjen e perceptimeve krahasuar me prillin 2020, me shumicën e të anketuarve (58%) që janë të pakënaqur me masat e qeverisë së Kosovës dhe vetëm 15.6% të kënaqur.

Kjo është një rënie e madhe e kënaqshmërisë nga anketa e opinionit e prillit 2020, kur 78.8% shprehën kënaqshmërinë me reagimin e qeverisë së Kosovës ndaj krizës së shkaktuar nga shpërthimi i COVID 19.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Prill 2021

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Basri Maksuti për vepren penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Rolling Film Festivali i cili organizohet nga OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood mban konferencën për media. (Kino Armata, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Shëndetësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Fondi i Sfidave të Kosovës organizon eventin online për shpalljen e thirrjes së parë për shprehje interesi, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues. (Platforma Zoom, ora 11:00)

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Partia Liberale Egjiptiane do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me te drejtën e tyre të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit Serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. (Gjykata Kushtetuese, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me një studim hulumtues për qytetarët kosovar që vizituan Shqipërin dhe Malin e Zi, si pasojë e kufizimit dhe mbylljes në Kosovë e që këto patën pasoja ekonomike dhe financiare për vendin tonë. (Zyret e AKB-së, ora 13:30)