25 Prill 2024

Zymtësia e shënimit të epopesë së UÇK-së!

Shkruar nga Nehat Bllacaku

Me një renditje të pa rregullt dhe një zë komandues të zbehtë, ushtarët e FSK-së u paraqitën në parakalimin e parë, për nder të epopesë së UÇK-së. Ky grup prej rreth 30 ushtarësh nderuan këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Nga organizimi dhe pjesëmarrja shihej që edhe këtë vit ka një kujdes shumë sipërfaqësor për këtë ngjarje madhore. Në një hapësirë të ngushtë, mbuluar me qilimin e kuq parakaluan presidenti dhe kryeministri i vendit. Zymtësia dhe interesimi i pa mjaftueshëm i krerëve të shtetit vërehej kudo.

I pari që foli ishte presidenti, ai përshëndeti kryeministrin dhe komandantin e FSK-së, duke kujtuar të rënët sipas tij të 2 marsit 1998? Ai në asnjë moment nuk zuri në gojë fjalën UÇK. Më pastaj foli kryeministri, i cili përshëndeti kryetarin e Kosovës dhe atë të Kuvendit, por jo edhe komandantin e FSK-së. Ishin fjalime të shkapërderdhura. Ndoshta nga zymtësia e atmosferës, i tillë ishte edhe fjalimi i përfaqësuesit të familjes, ai tingëllonte krejtësisht fetar. Manifestimi zgjati pak më shumë se gjysmë ore.

Është viti i dytë që Kosova u pavarësua dhe çuditërisht dhe viti i dytë që kjo ngjarje madhore nuk shënohet ashtu siç do të duhej. Si është e mundur që nën sundimin e UNMIK-ut kjo ngjarje ishte aq madhore, shënohej aq veçantë dhe jehonte aq fuqishëm?

Është i dhimbshëm anashkalimi dhe indiferenca që po i bëhet epopesë së UÇK-së, 28 Nëntorit dhe datave tjera me rëndësi kombëtare. Duket sikur gradualisht jemi duke i lënë në hije këto data dhe në këtë mënyrë duke minimizuar rëndësinë e tyre.

Të gjithë e mbajmë mend që nga viti 1999 e këtej, ceremonia kryesore e epopesë së UÇK-së është mbajtur në stadiumin e madh të Prishtinës, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga të gjitha viset shqiptare, liderëve politikë, veteranëve, figurave të tjera nga jeta intelektuale dhe artistike.

Kudo në botën demokratike ngjarjet e tilla kanë karakter gjithëpërfshirës dhe përkujdesja e shtetit është maksimale. Mjafton të shohim kompleksin memorial në Prekaz. Ai ka mbetur në gjysmë, nuk gjendet vullnet për ta përfunduar atë siç është parashikuar. Ngjashëm është kompleksi për dëshmorin “Zahir Pajaziti”.

Me mijëra vizitorë nga trojet shqiptare, diaspora dhe të huaj vizitojnë këto komplekse dhe shpesh pyesin “kështu i lash dhe kështu i gjeta”! Përderisa shtatorja e legjendës është vendosur në qytete të vogla dhe në vende të ndryshme në trojet shqiptare, kryeqyteti i Kosovës, nuk e ka në plan dhe as prioritet afatgjatë ndërtimin e shtatores dhe rregullimin e sheshit.

Siç duket autoritetet janë mjaftuar me vendosjen e emrit të legjendës në njërin nga sheshet e qytetit! Politizimi i gjithçkaje në vendin tonë ka krijuar një krizë të thellë morale. Duke munguar institucione të pavarura, intelektual të pavarur dhe mungesë të vullnetit politik për vlerat, shoqëria kosovare është ngulfatur.

Është ngulfatur media, institucionet kulturore, akademike dhe për pasojë kemi mungesë debati dhe pajtim me të gjithat. Liderët totalitarë pëlqenin mbylljen e çdo debati dhe përvetësimin e vlerave. Vitin e kaluar në një fshat të Podujevës, një shkolle ju hoq emri i një dëshmori të njohur, për tu zëvendësuar me emrin e gjyshit të presidentit aktual.

Ndërsa para disa muajve në godinën e re të Akademisë së Shkencave u vendos një thënie kryeministrit. Pra duke anashkaluar datat e rëndësishme dhe duke mbyllur debatin për gjithçka, megjithatë liderët tanë dëshirojnë të përvetësojnë vlerat. Vlera që ju takojnë dëshmorëve dhe njerëzve që punuan dhe u sakrifikuan për atdhe.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)