28 Shtator 2020

Zgjedhjet e Serbisë

Shkruar nga Vetëndosje!

Politikanët e Kosovës dhe EULEX-i sërish e lejuan mbajtjen e zgjedhjeve të  Serbisë në Kosovë. Asgjë nuk ka ndërruar që nga viti 1999: politikanët janë po të njëjtit, EULEX-in e Pieter Feithin e kemi si UNMIK-un, dhe zgjedhjet e Serbisë në Kosovë po mbahen rregullisht. Zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur në Kosovë pothuajse po aq sa herë janë mbajtur edhe ato të Kosovës.

 

Meqë nuk i ndalën dot këto zgjedhje, dhe bile as provuan ta bëjnë këtë gjë, nuk iu mbeti tjetër përpos që nëpërmjet deklaratave t’ua ulin dëmin që ato vërtet ia shkaktojnë Kosovës. 

Politikanët e Kosovës vazhdimisht e kanë arsyetuar mosndërhyrjen e tyre për ndaljen e zgjedhjeve serbe me situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Por zgjedhjet e Serbisë u mbajtën edhe në mes të Kosovës – në Artanë. Qeveria dhe sidomos ministri pushtetit lokal, Sadri Ferati, qëllimisht e përqendronin krejt ankesën në mungesën e kontrollit në veri të Kosovës, kurse koordinatori për këtë pjesë, Ylber Hysa, madje na e kujton se si ky problem paska përmasa planetare. Këtë justifikim për mosveprim ata e bëjnë ashtu që të shpërqendrohet vëmendja qytetare nga fakti se zgjedhjet e Serbisë u mbajtën edhe aty ku Qeveria ka kontroll, apo së paku na gënjen kështu – në komunën e Artanës. 

Artana është  komunë e cila pothuajse është trefishuar territorialisht me Planin e Ahtisaarit. Aty janë futur shumë fshatra serbe, të cilat më parë i takonin komunës së Gjilanit, ashtu që qëllimisht të ulet përqindja e tyre në komunën e re dhe që ajo të ketë shumicë të popullatës serbe. Dhe ja – tash Serbia mbajti zgjedhjet e saj në këtë komunë të re të krijuar sipas Planit të Ahtisaarit. Kjo na tregon se politikanët e Kosovës me vullnet të plotë kanë zgjeruar territoret të cilat nuk i kontrollojnë, territoret e Kosovës të cilat kontrollohen nga strukturat paralele të Serbisë. Sadri Ferati thoshte se decentralizimi do t’i integrojë komunat e reja serbe në Kosovë. Kështu po u integrokan ato!? Nëpërmjet zgjedhjeve të Serbisë!?

Lejimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë do të thotë  të punosh për Serbinë. Serbia vazhdimisht propagandon se Kosova është shtet i dështuar dhe se shqiptarët nuk e meritojnë sovranitetin. Ky argument i Serbisë nuk do të pinte ujë te askush po të kishim politikanë të pavarur dhe atdhetarë, të cilët së bashku me popullin e vet do ta jetësonin sovranitetin e vendit. Duke u sjellur kështu, politikanët vendës po e krijojnë një përshtypje të rrejshme për Kosovën si një vend pa vullnet të vendosur për shtetësi dhe pavarësi. Këta njerëz po i shërbejnë agjendës së Serbisë. 

Duke e lejuar 25% të territorit të Kosovës në mëshirën e strukturave paralele të Serbisë, dhe duke lejuar që aty të mbahen zgjedhjet serbe, politikanët e korruptuar vendës, EULEX-i e Pieter Feithi, po ia falin këtë territor Serbisë. Siguria, jurisdiksioni dhe zgjedhjet mbi një territor janë veti të sovranitetit mbi atë territor. Po të mos kishin lidhje zgjedhjet me sovranitetin, atëherë shtetet do ta lejonin mbajtjen e zgjedhjeve të shteteve tjera dhe, thjesht, vetëm do t’i shpërfillnin ato zgjedhje.

Por nuk ndodh kështu ngaqë zgjedhjet janë rrugë demokratike dhe kushtetuese e legjitimitetit të pushtetit politik në shtetin sovran respektiv. Elementet thelbësore të shtetësisë janë territori, popullata dhe pushteti efektiv ku ndodhen këto dyja. Zgjedhjet janë legjitimiteti i këtij pushteti i popullit mbi atë territor. Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është shkelje jo vetëm e drejtpërdrejtë por edhe fundamentale e sovranitetit të Kosovës. Kjo na shtyn të përfundojmë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, jo vetëm që tregon se politikanët e Kosovës janë të kontrolluar nga tjetërkush, por se edhe Kosova nuk është tamam sovrane dhe e pavarur, sepse statusi i saj dhe legjitimiteti i pushtetit burojnë nga jashtë, e jo nga vullneti i brendshëm i popullit të Kosovës i jetësuar përmes vetëvendosjes. 

Tolerimi i këtyre zgjedhjeve serbe janë në dëm të Kosovës, përveç kësaj, edhe për shkak se janë kundër vetë serbëve të Kosovës. Duke i lënë politikanët e Serbisë si puna e Tadiqit, Koshtunicës e Nikoliqit, që të vijnë në Kosovës për zgjedhje, atëherë qëllimisht po investohet në varësinë e serbëve të Kosovës te Beogradi. Politikanët e Serbisë vijnë dhe lirisht i joshin serbët se si do të kenë rroga më të larta, punësim më të madh, perspektivë më të sigurt, por me një kusht – nëse Kosova kthehet në Serbi.

Në këtë mënyrë dhe përmes strukturave të veta paralele, jo vetëm që Beogradi po ndihmohet ta luftojë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovë, por edhe popullata lokale serbe qëllimisht po cytet kundër Kosovës. Ky është projekt i armiqësimit edhe më të madh të Serbisë me Kosovën, por edhe i serbëve të Kosovës me popullin e vendit tonë. Kështu që, ta lejosh mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kurse në anën tjetër të flasësh për integrimin e serbëve dhe integritetin territorial të Kosovës, është hiç më pak se dyfytyrësi e neverishme dhe agjendë proserbe. Kjo është hipokrizia e Thaçit, Kermabonit dhe Feithit. 

Tashmë  kemi ardhur në një kohë kur, politikanët tanë  jo vetëm që nuk kanë vullnet për integrimin e pjesës veroire të Kosovës, por madje mund të thuhet me plot siguri se ata kanë interes të thellë që gjendja ekzistuese të vazhdojë. Situata kriminale atje mundëson kontrabandën e mallrave serbe, dhe politikanët e lartë të Kosovës janë tregtarët kryesorë. Serbia i fiton 200 milionë euro nga mallrat e saj të padoganuara, kurse politikanët tanë përfitojnë diçka nga ky bashkëpunim. Ata po kanë edhe interes personal nga dëmtimi i Kosovës. Kjo do të thotë që e keqja që ata po ia bëjnë vendit është shndërruar në motiv të thellë personal. 

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është  mobilizuar edhe shoqëria civile e Mitrovicës. Me nismën e VETËVENDOSJE!-s, para dhjetë ditësh është themeluar Këshilli Organizativ i peticionit të shoqatave qytetare të cilat veprojnë në Mitrovicë, kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Këtë peticion e kanë nënshkruar 58 organizata të shoqërisë civile të komunës së Mitrovicës. 

Dje në Mitrovicë u mbajt edhe protesta e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë. Nisma ishte e mirë, por askund nuk u përmend përgjegjësia e Qeverisë për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në pjesën veriore por edhe në Artanë. Kjo lë të kuptohet se udhëheqësia e këtyre shoqatave kontrollohet nga Qeveria. Këto shoqata janë aktivizuar kohëve të fundit kundër EULEX-it prej kur është kontrolluar ministri Limaj. Gjithsesi, problemet e Kosovës nuk kanë filluar me këtë kontrollim, dhe as nuk janë përmirësuar me ndërrimin e qeverive, si me PDK-në, si me LDK-në, si me AAK-në.

Udhëheqësit e shoqatave po e mbrojnë Qeverinë, kurse një pjesë e shoqërisë civile po e mbron EULEX-in. Të dy këto pozicione janë të gabuara dhe prej tyre zhgënjehesh herëdokur: edhe kur e kuptojmë se hajnat e shesin Kosovën dhe njëri-tjetrin, edhe kur e kuptojmë se EULEX-i nuk e ka për drejtësi, por për t’i çuar politikanët në negociata tjera me Serbinë. Ne duhet të jemi me Kosovën, shtet me pavarësi të plotë dhe institucione sovrane, të cilat nuk mund të ndërtohen as nga politikanë të korruptuar, as nga misione të huaja qeverisëse për siguri e stabilitet. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës ku me pas do të ketë edhe konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në të cilën do të bëhët shqyrtimi dhe plotësimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, ora N10, ora 9:30)

- Valbon Krasniqi, ud. drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mbajnë konferencë për medie, në lidhje me rikthimin e shërbimeve shëndetësore, përfshirë punën e ambulancave specialistike, operacioneve jo emergjente dhe shërbimeve tjera elektive. (Para objektit të  administratës së ShSKUK-së ora 10:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon aksionin protestues "Kundër plagjiaturës të përbashkuar", për denoncimin e plagjiaturave të udhëheqësve të ministrive të Arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri, ministrit Ramë Likaj dhe ministres Evis Kushi. (Rruga Radovan Zogoviq në lagjen Pejton, para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ora 10:00)

-  Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në të cilën do të bëhët shqyrtimi i Përfundimit të Kryesisë së Kuvendit dhe shqyrtimi i draft - Planit të Punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Zëvëndësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Florian Dushi, ​mbnjë një takim koordinues në të cilën temë diskutimi do të jetë: "Trajtimi i rasteve të dhunës në familje në kohën e pandemisë". (ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë bën përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm si dhe cakton intervistat për dëshmitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit në të cilën do të bëhet zgjedhja e Avokatit të Popullit. (Salla e Kuvendit, ora 12:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmin e dëshmitarit Beqë Cufaj  – Ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës. (Salla e  gjyqit të Dhomave  të  Specializuara të Kosovës  (DHSK) në Hagë ora 15:00 - mund  të  përcillet edhe përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim)

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori EMCDDA do të nënshkruajnë marrëveshje pune. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, salla P-01, ora 16:00)

- Fillon java e tretë e programit publik në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë. (Drejtperdrejt në faqen facebook-ut të Festivalin e Arkitektures, ora 18:30)