19 Prill 2024

Zeqir Halili,100 vite nga rënia dhe flijimi për liri!

Zeqir Halili,100 vite nga rënia dhe flijimi për liri!        

Shkruar nga Gani Qarri

Sa ka dhënë Malësia trima
Nuk kanë dhënë disa krahina!

Ky do duhej të ishte refreni nderues apo himni i përhershëm përkujtimor, në shenj respekti ndaj të gjithë heronjve më sublim të Malësisë, e sidomos, në rastet si ky sot, kur në datën e 100 vjetorit të rënies, flitet për trima të veçantë dhe me emër historik, si Zeqir Halili me shokë.

Çdo vendi-kudo qoftë ai, pa marrë parasysh madhësinë, pozitën dhe shtrirjen gjeografike, vlerën dhe madhështinë ia përcaktojnë bijtë e vet, përmasa e të cilave varet nga bëmat dhe vepra që ata kanë lënë për gjallje të tyre.  

Të gjithë jemi dëshmitar se emrin e mirë Malësisë së Gjakovës, ia dhanë heronjtë, ndaj në këtë rrafsh, mund të themi me plotë gojën dhe krenari sipërore, se ajo ishte dhe mbeti amë e përhershme heroizmi e trimërie, e cila lindi bij të pushkës dhe të fjalës burrërore, që përherë "Zanin e Nanës" e quan lartë e më lartë, gjithandej dhe në të katër anët e globit tokësor.

Burrat më të përmendur të saj, ngritën e lartësuan vendlindjen, nderuan kombin dhe mbështollën gjithë atdheun me lavdi!

Të nderuar pasardhës të Zeqir Halilit
E nderuara familje dhe pinjoll të heroit
Të nderuar organizator dhe pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor;

Sot bëhen plot 100 vite nga rënia tragjike e heroit të kombit Zeqir Halili si dhe Dy Bajramave të mirënjohur për trimëri.

Bajram Manit asokohe Bajraktar i Krasniqes si dhe Bajram Nimanit, trim i njohur dhe kryengritës me nam nga fshati Margegaj (po ashtu i Krasniqes),të cilët që nga viti 1910 e deri më 1915, ishin bërë shembull për heroizmat kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Zeqir Halilit.

Edhe në këtë ditë kur me nderimin më të lartë dhe pietet të veçantë kujtojmë figurën më emblematike të njërit nga pasardhësit më të ndritshëm të konakut të Binak Alisë dhe Malësisë së Gjakovës, si heroi Zeqir Halili dhe bashkëluftëtarëve të cilët brez pas brezi luftuan e ranë për komb e atdhe dhe gjithë Shqipërinë etnike, më kujtohet se si duke lexuar e studiuar historitë e shumë heronjve të kombit, në të gjitha përpjesëtimet nga krahina në krahinë, numri më i madh i tyre, gjithmonë më dilte të jenë nga Malësia.  

Ata ose kishin lindur këtu ose ishin rritur e burrëruar në kullat e saj, apo të paktën kishin origjinë nga kjo trevë kreshnikësh, duke filluar nga Binak Alia, Mic Sokoli, Bajram Curri, Haxhi Zekë Biberi,Ali Ibër Neza, Shaban Binaku, Abdullah Hoxha, Zeqir Halili, Bajram Mani, Bajram Nimani e shumë të tjerë.

Për hirë të emër-mëdhenjëve të këtij vendi, të cilët çështjen kombëtare e kishin prioritet në jetën dhe veprën e tyre, nuk munda ta vazhdoja tekstin pa theksuar që në fillim, një fenomen të veçantë dhe shumë domethënës, që, megjithëse të përkufizuar në vetëm dy rreshta, mungesa e tij, më dukej se zbehte përmbajtjen e tekstit dhe e bënte  shkrimin pa kuptim.

Dy rreshta epik, që shprehin një të vërtetë dhe realitet historik me të cilën besoj të pajtohen të gjithë,se;

Sa ka dhënë Malësia trima
Nuk kanë dhënë disa krahina.

Fakt që megjithëse nuk ishte thënë apo publikuar më herët, historikisht nuk është mohuar asnjëherë.

Ndërsa shembulli më i mirë i dijes, trimërisë dhe flijimit kombëtar, ishte dhe mbeti konaku i Binak Alisë i cili me vllazni, djem dhe nipa, luftuan gjatë gjithë jetës me turk dhe shkja, e disa prej tyre edhe ranë trimërisht në fushëbetejë për mbrojtjen e tokave amtare, lirinë e popullit shqiptar dhe çlirimin e Shqipërisë etnike.

Madje në kronikën e tyre të lavdishme familjare, ka aq shumë heroizma dhe ngjarje historike, sa që nuk di njeriu se çfarë të zgjedhë a kujtojë më parë, nga bëmat kombëtare të këtij konaku;  

Heroizmin e Mic Sokolit, i cili ra trimërisht në dyluftim me topin e artilerisë turke dhe në të gjitha kronikat e luftërave të deritanishme kombëtare, mbeti një dhe i papërsëritshëm në historinë e popullit shqiptar, mençuritë e Binak Alisë, pa të cilat as romani “Prilli i Thyer”, libër ndër më të mirët të Ismail Kadaresë, nuk do ishte ai që është, apo luftërat dhe heroizmat e Zeqir Halilit, për të cilin vet baroni austro-hungarez, Franc Nopça (1877-1933), ekspert i njohur i Gjeologjisë, Etnologjisë, Historisë dhe të drejtës kanunore në trevat e veriut, në librin “Udhëtime nëpër Ballkan” që është vetëm njëri nga 54 veprat e tij mbi popullin, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë etnike, Zeqir Halilin e përshkruan si personalitetin më të rëndësishëm të shtatë bajraqeve shqiptare.

 Për aq më tepër, transmetimet epike dhe këngët e rapsodëve të kohës, dëshmojnë se në verën e vitit 1909, kur Xhavit Pasha qiti topat në Qafë të Morinës;

Kërkush luftës s`un ia nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili!

Historia na mëson se sulmeve shkatërruese të ushtrisë turke, nën udhëheqjen e Zeqir Halilit e të Bajram Currit, si në asnjë krahinë tjetër shqiptare, do tu përgjigjeshin flakë për flakë vetëm trimat e bashkuar të Krasniqes, Gashit, Bytyqit, Hasit dhe Rekës,të cilët më 12 qershor të vitit 1909 në Qafë të Morinës shkatrruan ushtrinë e Xhavit Pashës, vranë mese 800 ushtar turq dhe detyruan pashain turk të tërhiqej me turp në Gjakovë, i cili pas humbjes së madhe edhe vet do të pyeste me habi;

Zot kësaj Lufte kush ja nisi?!.......
E rapsodi i cili tanimë e kishte përgjigjen të gatshme, do t`i gjegjej;
Në Qafë të Morinës Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Boletini!

Të kujtojmë luftërat e lavdishme të Binak Alisë e Sokol Ramës kur Perandoria Turke në vitin 1862, do të dërgonte Maxhar Pashën me një ushtri të tërë, të armatosur edhe me topa artileri, për pushtimin e Bujanit dhe Krasniqes së Madhe, dy vite para se ti ndante trojet shqiptare në 4 vilajete, me qëllim të mbledhjes së taksave dhe rekrutimin e të rinjve me forcë edhe në këtë trevë heronjsh, ku turqit do të thyheshin e pësonin humbje të rëndë dhe iknin të shpartalluar si mos më keq, apo kësaj radhe, me rastin e 100 vjetorit të rënies së tij, të përqendrohemi në heroizmat e Zeqir Halilit, burri që e bën më krenare Tropojën, prijësi dhe luftëtari që e bënë më kryengritëse Malësinë dhe heroi që e mbështolli me krenari gjithë Shqipërinë, i cili ra heroikisht me bashkëluftëtarët Bajram Manin e Bajram Nimanin, në të njëjtën ditë e vend dhe mu në këtë maje zenitore të alpeve historike shqiptare me ëndrrën e lirisë në sy.

Vend i cili për hir të tyre dhe shumë luftëtarëve tjerë të lirisë që kanë gjetur strehim në konakun e Binak Alisë e Ali Ibrës dhe bërë qëndresë gjithandej trevës së Malësisë,që nga  Sefë Kosharja, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni,Dedë Gjon Luli etj,duhet të kthehet në vend përkujtimi kombëtar dhe muze historik të Malësisë, ku shqiptarët edhe për disa shekuj me radhë, kanë kënd ta nderojnë me pietetin më të lartë dhe shprehin mirënjohjet më të thella, me përulje dhe respekt të pafund.

Muze që e bënë gjithë Malësinë krenare për bijtë dhe trimat e saj, pa emrat dhe heroizmat e të cilëve, nga shumica prej nesh, ajo sot mund të përmendej vetëm si një krahinë piktoreske e me bukuri të rralla malore, por jo edhe si maja e piedestalit të historisë së heroizmit dhe trimërive kulmore në Shqipëri, për hir të të cilëve edhe lisat përreth,tash e atëherë,sikur përulen deri në tokë dhe u këndojnë himne trimërie,heronjve të tillë.

Këngë nderimi për Zeqir Halilin këtë burrë të madh i cili atdheun dhe lirinë, bashkë me Dy Bajramat, dëshmoi se i donin më shumë se veten.

Luftëtar i palodhur dhe patriot i pasionuar deri në pa besueshmëri pas ëndrrave për liri dhe çlirim, i cili sfidoi regjime, kohëra dhe vite, që ndoshta sot, mbeten vështirë të zbërthyeshme për ne, trimëritë e të cilit shkonin krahas atyre të Isa Buletinit e Bajram Currit, madje vargjet e rapsodit dëshmojnë se kishte raste, kur:

Kërkush luftës sun i`a nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Boletini

Heronj e bashkëluftëtar të pa harruar të cilët pareshtur luftuan e riluftuan, kundër cilitdo pushtues a okupator që pa lejen e shqiptarëve, mëtonte ti ulej atdheut mbi kokë dhe sundonte pa pyetur ata, përdhunshëm në Shqipëri!

Kontributi i Zeqir Halilit, nuk do të mungonte në kuvendet me rëndësi kombëtare, as në kryengritjet popullore të organizuara nga figurat më të larta patriotike edhe në vitet 1899 -1903, nga Lidhja e Pejës, për çlirimin e atdheut dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, të cilat figurën atdhetare të Zeqir Halilit, do ta bënin edhe më të ndritshme, në Kosovë dhe Shqipëri.

Personalitet i cili i dha aq shumë për lirinë e vendit sa që vetëm kujtimi i pa harruar nga Malësia, Gjakova, Prizreni, Shkupi e deri në Vlorë mbetet memoriali më i përkushtuar shpirtëror i ngritur përjetësisht nga zemrat e bashkëkombësve të të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike, për të!.

Ishte vera e vitit 1912,kur pas vendimit të dal nga Kuvendi i Junikut, për kryengritje të përgjithshme, Bajram Curri e Zeqir Halilin do të nisnin të parët luftën, me ç`rast duhet përmendur beteja e famshme e 9 Korrikut të atij viti,në Qafë të Prushit, ku pas shkatërrimit të tërësishëm të garnizonit turk, në mesin e mbi 300 robërve të luftës do të kapej edhe vet udhëheqësi i garnizonit Bedri beu, të cilin Zeqir Halili do ta pushkatonte në vend për veprimet e tij anti-shqiptare,gjatë viteve 1909,1910,1911 e këtej,ndërsa tre oficer tjerë të lart do ti dërgonte dhe varte në Malësi në kujtim të Shaban Binakut dhe Avdullah Hoxhës,të varur nga turqit më 1910 në Gjakovë.

Patriot ndër më të mëdhenjtë e vendit dhe tokës që e lindi, i cili flijoi çdo gjë për komb e atdhe dhe qysh për gjallje të vet, meritoi të gjitha poezitë më të mira të poetëve më të përkushtuar dhe këngët më të përzemërta të rapsodëve më të sinqertë e kreshnik, që pa kursim baladat më të lavdishme ia kushtonin atij.

Kryengritës e luftëtar besnik dhe idealist i paepur i motos “Ja vdekje, ja Liri”, të cilit edhe vdekja do ti vinte në heshtje, papritur dhe e përgatitur në mënyrë tinëzare, si dhe krejt ndryshe nga ajo që e kishte menduar ai vet, apo edhe të tjerët për të,vdekje jo e drejtë dhe tejet e pa denjë për një hero si Zeqir Halili, duke marrë me pabesi këtë frymëzues të madh të kauzës kombëtare, i cili përherë ishte dhe mbeti ushtarë besnik dhe ndër luftëtarët më të përkushtuar të atdheut.

Për fund, falënderojë përzemërsisht pasardhësit e denjë të familjes së heroit dhe stërnipat e nderuar të Zeqir Halilit, vëllezërit Agim e Shkëlzen Mulosmani, me ndihmën e të cilëve, para ca kohësh, arrita të bëja një tekst modest për Zeqir Halilin e lavdishëm dhe një kaptinë të veçantë edhe për Dy Bajramat; Bajram Manin e Bajram Nimanin, dy shokët dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë të Zeqir Halilit, ndërsa për heroin Zeqir Halili, veprimtaria e të cilit vazhdon të shkëlqej pa asnjë trazim edhe sot, çiltër dhe vezullueshëm si Dielli pranveror mbi bjeshkët e Shkëlzenit dhe Malësinë e tyre të mirë, çfarë mund të them tjetër përveçse i qoftë i lehtë dheu i bjeshkëve të Malësisë, lavdi dhe i përjetshëm kujtimi e krenaria për të nga Malësia e Gjakovës, Kosova dhe mbarë trevat e Shqipërisë etnike.

 



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)