20 Prill 2024

Vota kundër dëshmorëve

Shkruar nga Hysen Durmishi

Turpi ndodhi sot, më 20 dhjetor 2011. Dhe ku? Në vendin që do të duhej të ishte institucioni që përfaqëson vullnetin e popullit. Institucionalisht e humbëm Prizrenin. Prizreni i Lidhjes nuk ekziston më për Institucionet e Kosovës. Tash ekziston Prizreni i Kishës Ortodokse Serbe.

A thua a është ky vullnet i qytetarëve të Kosovës? Sigurisht që nuk është. Por nëse ka dyshime atëherë do të duhej të pyetën qytetarët. Ka edhe një gjë këtu. Prizreni nuk është vetëm i qytetarëve të Kosovës. Prizreni është kryeqendra historike e të gjithë shqiptarëve, prandaj duhet të pyetën edhe ata për këtë çështje.

Trupin e kemi të sakatuar nga decentralizimi. Tani na e ndalën edhe frymën. Frymën e Lidhjes. Sa të mjerë më duken ata deputetë që votuan për këtë ligj. Prifti ortodoks serb do të vendos nëse do të na lejoj apo jo shënimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitet në vazhdim.

Programi politik i Lidhjes së Prizrenit është aktual edhe sot. Më shumë se një shekull ranë shumë dëshmorë duke u përpjekur që ta përfundojnë programin politik të Lidhjes. Dhe na erdhi tani një elitë politike e cila dëshiron që të kaluarën tonë të lavdishme ta fshijë nga kujtesa jonë. Po duan që të na tjetërsojnë. Po duan të na shkombëtarizojnë.

Na i hoqën Himn e Flamur dhe gjithçka tjetër kombëtare. Trashëgiminë kulturore e historike na e morën edhe me votat e deputetëve shqiptarë. Unë dua të merrem me katër prej këtyre deputetëve. Sepse mendoj se qytetarët të cilët i kanë votuar kanë pritur që ata nuk do të votojnë kundër trashëgimisë kulturore e historike të Prizrenit. Dhe kush janë ata deputetët që votuan kundër dëshmorëve?

Fehmi Lladrovci ra dëshmor për Lidhjen e Prizrenit sepse siç thotë profesori i filozofisë Elvis Hoxha, Fehmi Lladrovci është bashkëkohës me Abdyl Frashërin. Janë bashkëkohës sepse që të dy luftuan për të njëjtin program politik. Vëllai i tij Ramizi votoi kundër Fehmiut. Fadil Vata gjithë jetën e tij veproi në përputhje me Programin e Lidhjes, vëllai i tij Rama votoi kundër Fadilit. Kadri Zeka ra dëshmor për Lidhjen, nipi i tij Zenuni votoi kundër Kadriut.

Hydajet Hyseni është rast i veçantë, dhe do trajtim edhe më të veçantë. Hyda është deputeti më i njohur për abstenime në Kuvendin e Kosovës, por kësaj radhe ai nuk abstenoi. E çuditshme kjo! Kësaj radhe ai votoi PËR. Por PËR për çka. Votoi për Prizrenin e Kishës Ortodokse Serbe e kundër Prizrenit të dëshmorëve.

Unë jam rritur me “Pushka amanet” të Hydës. Jam frymëzuar nga ai, e lexoja fshehurazi, e dëgjoja fshehurazi në një audiokasetë recitimin e kësaj poeme. Ishin kohëra të vështira dhe nuk mund t’i dëgjoje e lexoje hapur këto gjëra. I merrja mandej dhe i vendosja në këndin e tavanit ku i kisha fshehur gjërat e ndaluara të asaj kohe. Çfarë ndryshimi ka ndodhur. Ka ndodhur një transformim i madh i Hydës.

Nga Hyda i “pushkës amanet” e deri te Hyda i abstenimeve diagrami është monotono zbritës prandaj nuk do të duhej të habiteshim që sot Hyda votoi kundër dëshmorëve. Andej do të shkonte patjetër.

Nuk e di se si janë ndier Ramizi e Rama në momentin kur kanë votuar. A ju ka shkuar mendja këtyre se çfarë do të kishin vepruar Fehmiu e Fadili. Në momentin kur e kanë shtypur tastin për të votuar a ju kanë dalë përpara madhështia e heronjve?

E njëjta natyrisht vlen edhe për Zenunin e Hydajetin. Në atë moment kur kanë votuar a ju kanë dalë para fytyrat e Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit apo fytyrat e priftërinjve serbë Pavle e Artemije. Nuk mund ta kuptoj se si ka mundur që në vendimin e tyre për të votuar patën ndikim më të madh këta të dytët.

(Autori është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje!)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)