25 Prill 2024

Vitinë e ka marrë lumi jo uji

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Dje dhe sot ishin të mbushura gazetat dhe mediat tjera me lajmin interesant për Vitinë: “Vitinë e mori uji”, “Vitisë i hyri uji”, “Vitia u vërshua nga uji”!? Jo, unë si njohës mjaft i mirë i gjendjes, problemeve dhe zhvillimeve në këtë Komunë (që nga themelimi i kësaj Komune jam këshilltar komunal, gjatë mandatit dyvjeçar të PDK-së kam qenë nënkryetar i kësaj Komune…), do të thoja: “Vitinë e mori lumi”.

Lexuesi i painformuar, sidomos jashtë kësaj Komune, por edhe gazetarët që nuk jetojnë në këtë Komunë, mund edhe të çuditen me këtë konstatim timin.

Edhe lajmet që dëgjova, edhe ato që lexova nuk i kishin rënë pikës, nuk e kishin kuptuar shkakun e vërtetë të përmbytjes së qytetit.

Zyrtarët komunalë kishin gënjyer dhe manipuluar edhe gazetarët, edhe opinionin me “shpjegimet” dhe “arsyetimet” e tyre për shkaqet e këtij vërshimi të paparë në qytetin e Vitisë.

Kaq shumë ujë kishte në rrugët qendërore të qytetit, kaq e madhe ishte përmbytja sa shumë qytetarë nisën të besonin dhe të frikësoheshin se mos qenka ndërtuar ajo diga (penda) e famshme e Nexhmedin Arifit dhe, vaj halli, paska shpërthyer…!!

Për ndërtimin e “sigurtë” të kësaj pende kryetari i kësaj Komune (N. Arifi) kishte mbajtur mbi njëzetë konferenca shtypi, “gazetarët” (argatët e tij) kishin bërë dhjetëra lajme e shkrime…!!

Mashtrimi se kryetari po e bënë digën me një “ndërmarrje” (firmë) fantazmë gati ishte besuar nga qytetarët, që vërtetë e kuptonin dhe e dëshironin, sepse kjo do të ishte një vepër kapitale për Vitinë… Pastaj, ky N. Arifi bëhej edhe më bindës - manipulues kur thoshte se “fjala ime është ligj”!!

Nga gjithë kjo “mbarsje” e Vitisë dhe e opinionit publik dhe megjithë paratë që janë dhënë për këtë digë, në fund “polli” vetëm një MAKET, i cili një ditë do të vendoset në muzeun e këtij qyteti (kur do ta kemi muzeun) me një shënim: “mashtrimi i madh”!

Pra, Vitinë e ka marrë lumi me N. Arifin kryetar komune. Nuk do të zgjatem shumë te kjo qeverisje komunale ultra e keqe, e kundërligjshme dhe me nuance të dukshme mafioze, por po jap shpjegimet dhe shkaqet pse u përmbytë Vitia.

Vite më parë, gjatë qeverisjes së LDK-së, me kryetar Samet Dalipin (mandati i parë dy vjeçarë pas lufte), një pjesë e kanalit (rreth dyqindë metra) të ujit, që vjen nga lumi Morava dhe kalon prapa Pallatit të kulturës, ishte mbuluar tërësisht me beton në emër të ndërtimit të një parkingu veturash!.

Ne, këshilltarët e PDK-së, e patëm kundërshtuar këtë “projekt” (parking) të pamenduar – kuturu, që po bëhejë për interesin e dikujt, por jo për interesin publik. Ky kanal i mbyllur fillon në krye të Vitisë, te kisha katolike shqiptare.

Gjatë qeverisjes dy vjeçare të PDK-së, ai kontrollohejë dhe pastrohejë rregullisht. Madje, ne kishim paraparë edhe hapjen e tij pjesë – pjesë, sepse ndryshe kushtonte shumë mirëmbajtja e tij. Është e vërtetë, që përgjatë këtij kanali hidhen mbeturina, si kudo në Kosovë, nga qytetarë të pandërgjegjshëm, por edhe për këtë faji është i Komunës dhe jo i qytetarëve.

Gjatë mandatit të PDK-së kishim propozuar miratimin e një takse (e para në Kosovë) për “mrojtjen e mjedisit dhe natyrës”, e cila do të përdorej vetëm për grumbullimin e plehrave (mbeturinave) dhe mirëmbajtjen e një mjedisi të pastër. Ajo taksë u miratua, por u harrua dhe nuk po zbatohet nga N. Arifi, i cili ka ikur nga radhët e PDK-së dhe është bashkuar me AAK-në, AKR-në (formalisht), PSDK-në dhe LDK-në (joformalisht), nuk zbaton politikat e PDK-së dhe nuk i mbanë premtimet zgjedhore.

Pra, uji nuk doli nga kanalizimi i ujërave të zeza, sepse kanalizimi është bërë nga qeverisja e PDK-së dhe është bërë mirë, por nga mbyllja e kanalit (pjesa e mbuluar) të ujërave të bardha për fajin e Komunës, e cila nuk e ka mirëmbajtur këtë kanal të mbuluar nga Samet Dalipi, i cili tash është këshilltar (me pagë) i kundërligjshëm i kryetarit me legjitimitet të konsumuar, Nexhmedin Arifit.

Kjo është e vërteta për përmbytjen e Vitisë: Vitinë nuk e ka marrë uji, por e ka marrë lumi qysh se N. Arifi u bë ktryetar i saj, duke uzurpuar dhe trafikuar mandatet e PDK-së dhe duke uzurpuar dhe trafikuar votën e lirë të qytetarit të Vitisë dhe të PDK-së.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)