23 Prill 2024

Vidovdani dhe politika kosovare

Shkruar nga Shefqet Krasniqi

Ditë më parë, derisa serbët bëheshin gati për të hyrë në Kosovë për të manifestuar dështimin e tyre nga ushtria famëmadhe osmane, ndodhën edhe ca incidente. Ishin serbët ata që provokuan e madje edhe sulmuan njësitë policore në kufi, duke plagosur madje edhe një numër të madh policësh.

Në fakt, kjo nuk ishte risi. Problemet me fqinjët tanë janë shpeshtuar. Nuk janë problem këto ngjarje sikur pas tyre të mos qëndronte edhe politika serbe, e cila kësaj radhe, pas këtyre zgjedhjeve duket se e ka hequr vellon fare. Kushdo që ka dëgjuar himnin e njësitit famëkeq të xhandarmerisë serbe, i cili ishte riformuar pas një kohë të gjatë shuarjeje, mund ta ketë parasysh se çfarë marrëdhëniesh mund të zhvillojmë me një popull që jeton me mite dhe ka mentalitet të tillë.

Nejse, serbët erdhën në Kosovë dhe, edhe pse u “zhveshën”, manifestuan. Sinqerisht, nuk jam kundër të drejtave të njerëzve sikur ato të ishin njëmend të drejta, por, të vijnë në vendin tonë, pas tërë atij gjenocidi të ushtruar, pas krejt këtyre të zezave që na kanë bërë, pas kësaj politike armiqësore që vazhdojnë të ndjekin kundër nesh, e madje të festojnë edhe atë që paraqet kinse kujtimin për filozofinë dhe politikën që duhet të kenë, është shumë e paqartë.

Paramendoni sikur ne të shkonim atje dhe të përkujtonim rënien heroike të familjes Jashari në altarin e lirisë, si do ta prisnin këtë serbët?! Mendoni se do të na lejonin?! Se besoj fare. Përkundrazi, ne vetëm i zhveshëm ndërsa ata do të mbysnin fare.

Por, ç’të bësh, kështu e ka politika, e cila ne vendin tonë, pikërisht në këtë ditë shfaqi edhe një tjetër element, atë të papjekurisë. Derisa forcat tona ishin përballë atyre huliganëve dhe për ta mbrojtur vendin edhe u plagosën, politikanët tanë gjenin kohë për të qëruar hesapet ndërmjet vete.

Armik, si duket, nuk ishte serbi që po luftonte matanë kufirit, por shqiptari. Konsideroj se “hiti” i politikës kosovare për këtë vit, nëse vlerësimi bëhet edhe për të keq, do të jetë ky. Le t’iu vije turp dhe ta kenë parasysh mirë se çfarë janë duke bërë.

Kosova, sidomos tash kur përpjekjet janë intensifikuar për të fituar sovranitetin e plotë, madje lajmi u dha se një gjë e tillë do të ndodhë në muajin shtator të këtij viti, ka nevojë të reflektojë stabilitet më shumë se kurdoherë më parë.

Thënë të drejtën, ky lajmi i fundit, më gëzoi shumë. Me gjithë respektin për faktorin ndërkombëtar, vetëm se nuk kanë bërë sa duhet, sidomos EULEX-i. Askush nuk mund të më bind se pas problemeve në veri nuk qëndron dobësia e EULEX-it apo edhe qëllimet e këqija eventuale të tyre.

Si ta komentojmë ndryshe deklaratën e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtarë se duhet hetuar rastin kinse për përdorimin e tepërt të dhunës ndaj serbëve në Gazimistan nga ana e policisë, ndërsa i njëjti hesht plotësisht ndaj përdorimit të dhunës ndaj policisë sonë në Merdar!

Bile policisë sonë (simbas disa informatave mjaft të forta) ju kanë marr edhe armët për t’ju testuar se mos kanë qitur përderisa ishin në ballafaqim me robelët serb në kufi të vendit.

 E për çka e bartë policija armën, a nuk ka të drejt bile në vetëmbrojtje?! Vërtet deklaratë tendencioze dhe shumë e rëndë për popullin tonë. Ky nuk është rasti i parë, e kam frikë se as i fundit, kur serbëve ju jepet përkrahja dhe mbrojtja e plotë, ndërsa shqiptarët diskriminohen dhe u shkelen të drejtat.

Mos të harrojnë se historia do ti mbaj mend gjërat, ajo nuk harron. Pastaj ne Kosovarët e dimë pse gjithë ky diskriminin, pse gjithë kjo përkrahje serbëve ortodoks, e jo edhe shqiptarëve mysliman.

Tashmë kur lajmi për largimin e EULEX-it është dhënë, shumë do të doja që të na kursejnë nga problemet, respektivisht, të mos lënë probleme pas. Siç e dini, veriu i Mitrovicës është problem i minuar, shpërthimi i të cilit, tash pas xixave të dala sa e sa herë, mund të ndodhë nga çasti në çast.

Edhe mbetjet e UNMIK-ut do të ishte mirë të fshiheshin në shtator. Kosova ka të garantuar tërësinë territoriale dhe kjo duhet të ruhet me çdo çmim. Të parët dhe të vrarët tanë Kosovën nuk na e trashëguan për të bërë pazare me të, por për ta ruajtur.

Do të doja shumë që këto fjalë të thëna sot nga liderët tanë se Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të mos kenë kuptime mbi kuptimin real. Nëse deri më sot, për këtë apo atë arsye nuk janë marrë parasysh kërkesat e komunitetit më të madh fetar në vend, le të bëhet kjo tash.

Gjykata Kushtetuese mendon se është e drejtë ajo çfarë është vendosur nga qeveria për Kishën Ortodokse, por nuk mendon kështu për muslimanët kur madje në pyetje është edhe vënia e një shamie.

Kam përshtypjen se këto zhvillimet e fundit Kosovën dhe politikën e drejtësinë e saj e kanë paraqitur si një pikturë e shkarravitur, që mbase, duke u bazuar në atë thënien e moçme arabe se “arti është çmenduri” paraqesin një lloj arti. Duam të drejtat tona. Jemi shumica absolute në Kosovë.

Mjaft na shkelët të drejtat duke na gënjyer. Edhe ne jemi qytetarë, edhe ne jemi taksapagues, edhe ne jemi njerëz, madje jemi shumica e të gjitha këtyre kategorive, andaj na respektoni. Mos harroni kontributin tonë se ne ishim edhe atëherë kur shumica prej jush ishin të strukur në biruca apo duke “çuar” nga një me “vëllezërit” e dikurshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)