19 Prill 2024

Vendim i drejtë

Shkruar nga Gani Qarri

Shkarkimi i ish Komisionit për Demarkacion, është vendim i drejtë dhe i mirëseardhur për të gjithë ne.

Tash e sa kohë, është e njohur se mospajtimi për kufij, i shteteve të dala nga ish federata jugosllave, ekziston pothuajse tek çdo ish njësi e saj.

Rasti i kontestit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk është i pari as i vetëm. Probleme kufitare ndërmjet tyre kanë edhe Kroacia me Slloveninë, Malit i Zi me Kroacinë, Serbia me Kroacinë, Kroacia me Bosnjën etj.

Madje, kontesti ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, megjithëse për vetëm katër kilometra gjatësi të ujërave detare në Gjirin e Piranit, por që me pretendimet e Kroacisë për marrjen e këtyre ujërave, Sllovenisë do ti mbyllej dalja në korridorin ndërkombëtar të Adriatikut, vazhdon të mbetet për kohë të gjatë problem i rëndë dhe kontesti i pazgjidhur.

Të dyja ato, më 4 nëntor të vitit 2009,iu drejtuan edhe Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë, vendimi i të cilës duhej të ishte obligativ për të dy palët.

Por pas vendimit të këtij viti nga kjo Gjykatë, (në favor të Sllovenisë),me gjithë zotimin nga të dy shtetet, se ai do të pranohej, Kroacia tani konteston edhe Gjykatën e arbitrazhit, lidhur me përcaktimin e vijës kufitare ndërshtetërore të këtyre ujërave.

Asnjëra nga to, nuk pati një qeveritar alla-shqiptar, që ti shiste ato ujëra, siç i shiti jo fort moti Greqisë, Sali Berisha, ujërat bregdetare të Shqipërisë.

Madje shkaku i një kishe me vetëm një hektar tokë, këto dy shtete kishin një kontest të gjatë kufitar dhe nuk i bënin asnjë lëshim njëra tjetrës, për dallim nga ish mbreti i "shqiptarëve" Ahmet Zogu, i cili ia fali tërë Manastirin e Shën Naumit me rrethinë dhe pasuri e territor, Nikolla Pashiqit, për tu rikthyer edhe një herë në pushtet.

Kurse Bosnja, nuk lejon Kroacinë që mbi territorin e saj të ngushtë në rrethinat e Neumit, të ndërtojë edhe një urë të thjeshtë, për vazhdimin e autostradës së adriatikut, që do të lidhte pjesën tjetër të Kroacisë me Dubrovnikun.

Ndërsa jo vetëm njëherë, pa përmendur sërish Sali Berishën, ngjashëm me "mbretin e shqiptarëve”,vepruan edhe qeveritarët e Kosovës, të cilët u treguan të gatshëm të shesin edhe gjysmën e vendit, për mbetje në pushtet dhe përfitime të vazhdueshme grupore e personale.

Mali i Zi, nuk ka kontest vetëm me Kosovën për kufij, ai ka problem edhe me Kroacinë, për Gjirin e Prevllakës, të cilin Kroacia e cilëson të vetin.

Vetëm shqiptarët bëjnë falje marramendëse-mijëra hektarëshe dhe japin lirë e pa asnjë kontestim tokën e të parëve, në të gjitha anët, si në kufi me FYROM-in dikur, ashtu edhe me Malin e Zi tani, duke e bërë shtetin fqinj zotërues edhe të burimeve më vitale të një rajoni të tërë dhe ujërave kryesore për Rrafsh të Dukagjinit.

Ndaj, vendimi i Ramush Haradinajt për shkarkimin e Murat Mehës dhe komplet ish komisionit shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe propozimi i qeverisë aktuale që komisionin e ri për Demarkacion, ta formojë dhe udhëheqë eksperti më i mirë në vend, për gjeografi, Prof.dr. Shpejtim Bulliqi, është vendim shumë i drejtë dhe veprim i mirëpritur për të gjithë ne.

E për ti shkuar punës deri në fund, duhen ndërmarr edhe hapa tjerë shtesë, sepse versioni i kaluar i Demarkacionit, jo vetëm se është proces i një komisioni plotësisht të dështuar që duhet të rishikohet në tërësi, por edhe ish kryetari dhe grupi rreth tij, duhet sa më parë, të thirren para përgjegjësisë penale, për tu qartësuar çdo gjë dhe gjithçka rreth veprimeve të tyre edhe juridikisht. 

Rishikimi i Demarkacionit bëhet dhe duhet të bëhet edhe për heqjen e të gjitha dyshimeve dhe vendosjen e kufijve me argumente e drejtësi, ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.

Ndaj nuk ka pse të ketë kurrfarë përplasje të brendshme as shprehen mospajtime ndërkombëtare, qoftë edhe nga Ambasada e SHBA, në mënyrë që të mënjanohen problemet edhe në të ardhmen, kur kemi parasysh kontestet që vazhdojnë edhe sot ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat përkundër vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Arbitrazhit, nuk po arrijnë të dakordohen as pajtohen për vijën kufitare, që do të përcaktonte ndarjen e një sipërfaqe aq të vogël të ujërave detare, ndërmjet këtyre dy vendeve.

Ndërsa, sa u takon prononcimeve të opozitës rreth Demarkacionit,ato as që duhet marrë fare seriozisht , deklaratat e tyre nuk janë asgjë tjetër, përveçse lojëra monotone politike për arsyetimin e dështimeve në të kaluarën dhe përpjekje të plogëta për zhagitje e vonesa të panevojshme, ngase Demarkacionin në Kullë e Çakorr, do ta votojë shumica e deputetëve të pozitës dhe opozitës, kurdo që ai të procedohet në Kuvend, pa marrë parasysh kapriciet dhe diktatet komuniste të Isa Mustafës.

Madje, nëse siç thuhet, pikë reference për jetësimin e shtetësisë së Kosovës është marrë pikërisht Kushtetuta e vitit 1974, mbi të cilën ka filluar të ndërtohet edhe procesi i pavarësimit të saj, dihet botërisht se kufijtë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, sipas përcaktimit të asaj Kushtetute, ishin në Çakorr e Kullë.

Kështu që edhe Komisioni i ri, do të punojë për të argumentuar me fakte, siç ka dëshmuar dhjetëra herë deri më tani, se vija e Demarkacionit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duhet të kthehet atje ku ishte dhe vendoset në  çakorr e Kullë, e jo të tërhiqet 8-12 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës, siç veproi kapadaiu Murat Meha me dostat e tij.

Siç dihet nga të gjithë, për shqiptarët e Kosovës, Demarkacioni si pika më e ndjeshme jo vetëm me Malin e Zi, por sidomos ai me Serbinë, do mbetet pikë dominuese për kohë të gjatë dhe deri në vendosjen përfundimtare të tij.

Vendimi për demarkacionin me Malin e Zi, nuk do të thotë patjetër, se duhet të zgjas pafund, nëse tregohet mirëkuptim nga ky shtet fqinj, arrihet pajtimi i dyanshëm dhe nuk shkohet në Arbitrazh, i cili natyrisht mund të marrë, si në rastin e Kroacisë e të Sllovenisë, deri në 6-7 vite kohë.

Ndërsa, sa i takon "asociacionit të komunave me shumicë serbe" edhe nëse ishte pjesë e marrëveshjes për koalicion, mendojë se "Lista serbe" së pari duhet të votojë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e pastaj të formohet (por jo patjetër dhe vetëm nëse duhet domosdoshmërishtë, ngjashëm me asociacionet e komunave tjera, e pa kompetenca ekzekutive që do ta rrezikonin qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe gjithmonë vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)