19 Prill 2024

Urime shteti im

Shkruar nga Gani Qarri

Ne si popull dhe gjeneratë e pavarësisë, jemi njerëz me shumë fat, që Kosova jonë e lirë, sot feston me gëzim jubileun e parë historik të shtetësisë së vet. Kujton arritjet më të mëdha kombëtare në këtë pjesë të trojeve tona, me të cilat populli shqiptar i Kosovës ka qindra arsye të ndjehet tejet mirë, pafundësisht i lumtur dhe përjetësisht krenar.

Kremtimi i dhjetëvjetorit të mëvetësisë, vërtet është një gëzim i madh dhe shumë i veçantë, sidomos për banorët e shumëvuajtur autokton të saj, të cilën si akt sublim, vetëm idealistët më të mëdhenj, kishin besim se do të arrihej nga populli i Kosovës për të ndërtuar një shtet të lirë e demokratik shqiptar mbi vlerat e drejtësisë etnike e territoriale dhe barazitë themelore të njeriut.

Një dekadë e tërë, e cila u mbush kaq shpejtë, me numërimin e përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë, gjegjësisht i njëmbëdhjeti që nga vizita e parë dhe e vetme historike e ish presidentit Gjorgj W. Bushit në Shqipëri, i cili rreth 8 muaj, para shpalljes së mëvetësisë së shtetit tonë, në institucionet vendore, nga atje paralajmëroi pavarësinë e Kosovës, shprehje që nuk ishte një qejf-bërjeje rasti, për popullin shumicë, por vërtetësi planetare, e cila pa kaluar as një vit i plotë, u jetësua plotësisht dhe bë realiteti më fatlumë për shqiptarët e këtij trualli.

Kosovën nuk e ndihmoi vetëm një udhëheqës por disa sosh, president e kongresmen të nderuar, nëpër vite dhe në vijimësi, ndaj dhe populli i saj, me rastin e kësaj feste madhështore, do duhej që në shenjë mirënjohje dhe respekti të pafund, për ish presidentin George W. Bush, në vitin e par jubilar të Pavarësisë, pas Bill Klintonit e Toni Blerit, ta kujtonte dinjitetshëm dhe në mënyrë të merituar edhe këtë personalitet të lartë, me ngritjen e një monumenti simbolik, kushtuar atij si burrështetas dhe ish president amerikan, si dhe nderonte vet SHBA-t, për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që i dhanë vendit tonë, pa të cilën, kushedi se a do të kishim për çka, të festonim fare ne shqiptarët sot.

Një bust kushtuar paralajmëruesit maratonomak të pavarësisë, ngritur krejt pranë vendit ku edhe u realizua akti i shenjtë i mëvetësisë sonë dhe pikërisht pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në brendinë e të cilit, siç jemi në dijeni të gjithë, vetëm disa vite më parë, të deleguarit e popullit tonë, jo vetëm se nuk mund ta paramendonin publikimin e një akti të tillë, por të bllokuar nga policia e pushtuesit serb, ata as nuk guxonin të hynin në objektin e tyre edhe kur kishin nevojë për jetësimin e detyrave të mëdha dhe me rëndësi shtetërore për vendin e vet.

Ndaj, jo vetëm për mbamëndje historike dhe kujtesën tonë popullore, duhet rikujtuar me nostalgji-pikërisht ngjarjen e 28 viteve më parë dhe datën e 2 korrikut të vitit 1990, ditë kur 111 delegatët shqiptar të Kuvendit të Kosovës, të bllokuar nga forcat e policisë pushtuese serbe, të cilat kishin mbyllur me forcë edhe dyert e ndërtesës, në pamundësi që të futeshin në objektin e tyre institucional, u detyruan të tuboheshin para dyerve të mbyllura të Kuvendit, dhe me qëndrimin në këmbë, të lexonin deklaratën kushtetuese dhe shpallnin Kosovën njësi të barabartë të ish federatës jugosllave, veprim i cili megjithëse nuk u përkrahë nga bota, tash e atëherë, konsiderohet si fillimi i plejadës së njohur të rezistencës paqësore, në përpjekjet për arritjen e lirisë dhe krijimin e shtetit të pavarur.

Pas rënies së komunizmit në vitet e 90-ta, edhe në Kosovë ndodhi një realiteti i ri historik, me ç ‘rast udhëheqjen politike të vendit, e mori në dorë, politikani më karizmatik që patën shqiptarët, dr. Ibrahim Rugova.

Atë jo vetëm se e përkrahën bashkëkombësit nga të gjitha trojet tona etnike nën pushtimin serbosllav, por e pranuan krahëhapur si lider, SHBA dhe Evropa, si dhe e vlerësoi lartë e gjithë bota demokratike dhe konsideroi burrështetas të shquar dhe politikan të nivelit të lartë, personalitet largpamës e të sinqertë dhe me cilësi të jashtëzakonshme unifikimi.

Përkundër të gjithave, lirinë e njëmendët dhe shpalljen shtet i pavarur e sovran, Kosova mundi ti realizoi vetëm pas një lufte maratonike të gjatë e përgjakshme me pendë e me pushkë dhe kalimin e mese18 viteve të mundimshme nga miratimi i deklaratës kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

Madje, mëvetësisë sonë, u dashtë ti paraprinte edhe një deklaratë domethënëse e vendimtare e burrështetasit më të lartë të asokohshëm, amerikan dhe botëror si Gjorgj Bushi i riu, i cili më 10 qershor të vitit 2007, derisa po shënonte vizitën e parë historike të një presidenti të SHBA-s, në Shqipëri, nga atje deklaroi, se bisedimet për status nuk mund të zgjasin deri në pafundësi, dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur.

Pra një popull dhe vendi i vogël, si ky i yni, vetëm falë mbështetjes së vazhdueshme të një shteti të fortë dhe të madh si Amerika, e cila në vijimësi dhe me sinqeritet na ofroi gjithë përkrahjen e nevojshme, duke mos kursyer asgjë, madje edhe bombarduar për 78 ditë me radhë shtetin pushtues serb, mundi të qoi deri në fund realizimin e ëndrrës së vet shekullore dhe pak më tepër se 8 muaj, pas deklaratës së Gjorgj W. Bushit në vendin tonë amë, shpalli edhe publikisht pavarësinë e Kosovës.

Ndaj me rastin e festimit të këtij viti të parë jubilar, do të ishte e udhës dhe në nderin e të gjithë shqiptarëve, që në shenjë falënderimi, ti ngrihej një monument këtij burri dhe ish presidenti të një shteti të super-fuqishëm mik, si Amerika, në mes të Prishtinës. 

Një, simbol falënderimi që do ta respektonte në mënyrë të merituar atë si personalitet të lartë, kujtonte historinë e mbështetjes së pareshtur të SHBA-s, për vendin tonë të vogël dhe flasë në mënyrë të vazhdueshme dhe me zë, mbi kronikën e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të arritjes sonë të përbashkët deri këtu.

Këtë e them edhe për faktin se si çlirimi ashtu edhe pavarësia e Kosovës, ka forcuar edhe vet Shqipërinë si shtet amë, si dhe ka faktorizuar shqiptarët e shumëvuajtur në të gjitha trojet e veta etnike si komb, të arritura historike, të cilat pa angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentëve Bill Klinton e Gjorgj Bushit 1 dhe 2, si dhe kongresmenëve të shumtë të SHBA-s, as që mund të paramendoheshin.

Ne, të vetëm, edhe kush e di për sa vite, nuk do të arrinim këtu ku jemi, nuk do të shënonim kaq suksese, as prodhonim arsye për festime jubilare dhe gëzime si këto që lartësojmë sot!

Madje, rrugëtimi pa ndihmën e Amerikës, do të ishte një fiasko e rëndë për të gjithë ne, sidomos kur kihet parasysh fakti se pushtetarët abuzivë e të inkriminuar vendor edhe rreth 19 vite pas çlirimit dhe dhjet sosh, nga shpallja e pavarësisë, jo vetëm se ende mbajnë shtetin të kapur dhe qëndrojnë me të dy këmbët mbi ligjin, por zotërojnë miliona të grumbulluar në mënyrë të dyshimtë, organizojnë udhëtime e pushime të shtrenjta dhe posedojnë makina që nuk i ka parë ndonjëherë ky vend, si dhe kanë ngritur shtëpi e vila përrallore, çfarë nuk i kanë as udhëheqësit në shtetet më të zhvilluara evropiane, të cilët bëjnë jetë sheikësh bashkë me familjet e tyre, në një kohë dhe vend ku populli i mjerë mezi arrin të sigurojë bukën e gojës dhe mbijetojë nga dita më ditë, por që me gjithë skamjen dhe përkundër të gjitha vështirësive të jetesës, në momente si këto, të cilat ishin ëndërr për të gjithë shqiptarët, harron veten, gjen forcë që ti gëzohet pavarësisë dhe bëhet pjesë e festimit jubilar.

Ndaj me rastin e kësaj ngjarjeje madhore dhe historike për vendin tonë, të gjithë familjeve të dëshmorëve, martirëve e heronjve të rënë për liri,shtetit dhe gjithë popullit tim shqiptarë i cili ka vuajtur më së shumti dhe kontribuuar më së tepërmi për këtë ditë të shenjtë, nga thellësia e zemrës,u shprehë urimet e mia më të mira, mirëqenie dhe jetë më me dinjitet, veçanërisht me rastin e këtij vit jubilar të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës së lirë!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)