02 Prill 2020

Udhëkryqet e Kosovës

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Qeveria e Republikës së Kosovës në strategjinë për bisedime me Serbinë, prioritet kryesor duhet ta ketë rimarrjen e veriut të Kosovës. Koncepti ‘lehtësues’ i rrugës së integrimit evropian të Kosovës, (përmes dialogut me Serbinë) është akti më i pamatur dhe më i papjekur i elitizmit politik. Ndryshe, Serbia do të përpiqet gjithnjë ta mbajë të tënsionuar dhe jostabile situatën në Kosovë edhe pas bisedimeve.

Kosova pas 12-vjetorit të çlirimit dhe tre vjet të shtetësisë, gjendet në një situatë tejet delikate, jo vetëm me çarjen e imazhit të saj në kontekstin ndërkombëtar, por edhe për hartimin e një strategjie efikase, e cila do t’i sherbente forcimit institucional e shtetëror të vendit tonë.

Shteti i Kosovës, duhetë të tregojë maturi dhe pjekuri të lartë para çdo nisme për dialog me Serbinë. Kjo nënkupton edhe qëndrimin e fortë, tashmë si një shtet i pavarur dhe sovran duke i mbetur besnik parimit të paluhatshmërisë për ato tema që mund të cënojnë autoritetin e sovranit.

Shteti i Kosovës realisht gjendet në një situatë të disfavorshme për shkak të imazhit të lenduar.Kësaj i kanë ndihmuar (shpifjet dhe aventurat e Serbisë në arenën ndërkombëtare), por edhe shkalla e papërgjegjësisë së klientelizmit tonë në planin e brendshëm. Kriza e vazhdueshme ekonomike (rritja e pandalshme e inflacionit), e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e Kosovës.

Gjithashtu, çarja deri në kontest institucional, pozitë-opozitë, mund të jenë oponentët vendimtar të jetëgjatësisë së autoritetit qeveritar. Kjo garë tregon se autoritetet politikëbërëse të vendit tonë janë në ABC-në e demokracisë dhe duhet kohë dhe ngritje më të madhe vetëdijësimi për përgjegjësinë e udhëheqjes së detyrave shtetërore.

Shqiptarët nuk e duan geton

Diplomacia e Kosovës duhet të hapë rrugë në itinerarin e integrimeve ndërkombëtare, qëndrueshmërisë ekonomike e zhvillimore për të hyrë në garën e madhe të vlerave euroatlantike. Ndryshe, qëndrimi në geto, jo vetëm se është i pameritueshëm për shqiptarët, por edhe i rrezikshëm për të ardhmen e rajonit dhe më gjerë. Shqiptarët janë dëshmuar si kombi më proPerëndimor dhe proAmerikan në botë. Gjithashtu, Kosova, prioritet të vetin kryesor duhet ta proklamojë paprekshmërinë e kufijve shtetërorë, vendosjen e doganave në pikat kufitare 1 dhe 31 si dhe largimin e elementeve pushtuese serbe nga veriu i Mitrovicës.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës në strategjinë për bisedime prioritet kryesor duhet ta ketë rimarrjen e veriut të Kosovës, të faktorizojë çështjen shqiptare të Kosovës Lindore, e jo të kërkojë konsensus nga Serbia, qe kjo e fundit të lejojë funksionimin e institucioneve të Kosovës në Mitrovicën veriore. Serbia, vazhdon të dëshmojë se nuk është e interesuar fare për qasje pragmatike ndaj Kosovës, jo vetëm për të njohur realitetin e shtetit të ri, por mbetet mbështetëse kryesore e elementeve destruktive për ta quar në kaos Republikën e Kosovës, duke përdorur pakicën serbe si mjet fabrikimi e manipulimi.

Po ashtu, Serbia, përpiqet të përfitojë në planin shumëdimensional në bisedimet me Kosovën: Të lehtësojë rrugën e vet drejt BE-së, si dhe të legalizojë praninë e saj në Kosovë. Kjo dëshmon se me Serbinë nuk ekzistojë probleme teknike, por politike. Çfarëdo dialogu i proklamuar si  teknik, (pavarësisht përmajtjes për çështje personash të pagjetur, targa a dokumente indentifikimi), të gjitha këto elemente janë të pandashme nga përmbajtja politike. Shembull shumë i thjeshtë: Si mund të njihen targat RKS, nga një shtet ‘inegzistent’ (rasti i Kosovës), ose dokumentet e qytetarëve të një shteti pa adresë( pa vendqendrim, shtetësi etj.)

Ndryshe, kontekstet teknike nuk mund të përfundojnë si zgjidhje për kontestet politike (duke ëprfshirë edhe statusin), ngase niveli teknik është mekanizëm ad hoc, ndërsa ai politik bazohet mbi parimet më të larta të shteteve, (interesave bilaterale ). Institucionet shtetërore të vendit tonë, duhet ta kenë të qartë se nëse Serbia heq dorë nga ndarja klasike e Kosovës, (për shkak të presionit ndërkombëtar dhe kthimit të mundshëm domino), atëherë qeveria e Beogradit do të kërkojë formatizim kufijsh, për të aneksuar dhjetëra kilometra katror territor të Kosovës.

Edhe pss kjo nuk do të quhej ndarje, (por kompromis për njohjen e pavarësisë së Kosovës), një gjë e tillë do të qonte në kundërreagim të menjëhershëm për shpalljen e pavarësisë së Luginës (Kosovës Lindore). Sinjalet e para të lëkundjës se kufijve ekzistues të Kosovës, kanë ndodhur paraprakisht me Maqedoninë, për të vazhduar herët a vonë edhe me Malin e zi, dhe me vet Serbinë. Këtë më se miri e dëshmon reagimi nga i

ashtuquajturi Këshill Nacional Serb për veriun e Kosovës, që nëkupton praninë ruse në këtë rang bisedimesh, qe në përkthimin tonë do të thotë dështim. “Vetëm pjesëmarrja aktive e OKB-së dhe e Federatës Ruse mund të pengojë planin anti-serb të Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës”. A nuk ngjanë kjo thirrje ngjajshëm me afishet ultranacionaliste të kohës së Millosheviqit!

Faktorizimi shqiptar

Është koha që mos të kënaqëmi vetëm me gëllënjkën e shpalljes së pavarësisë, por të angazhohemi me përgjegjësi të plotë, për një Kosovë më të zhvilluar dhe më prospoeruese. Rruga e integrimeve evropiane për shqiptarët vazhdon të shoqërohet me rreziqet tejet reale për humbjen e territoreve të tjera të saj (edhe ashtu të tkurrura).

Ky rrezik permanent i hartuar nga mendësia e sëmurë ballkanase (veçmas ajo serbo-sllave) ka shtuar zëshëm qëllimet ekspansioniste për zgjerim territoresh në dëm të shqiptarëve. Se sa janë të përgatitur shqiptarët për tu përballur me sfida të tilla, dëshmojnë faktet në terren. Pavarësisht gjenocidit dhe terrorit serb kundër Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës Lindore, vendi ynë është ndalur në planin defansiv, duke u marrë me jo-të e shpifjeve serbe kunder shtetit më të ri. Asgjë më shumë! –Qëndrimi tepër përulës i elitizmit politik shqiptar në shkallë nacionale, ka bërë qe çështja jonë kombëtare të shënojë rënie të rolit dhe faktorizimit të vet në rajon.

Kjo në masë të dukshme ka ‘trimëruar’ tendencat sllave për zhvatje territoresh ndaj gjeografisë shqiptare. Serbia vazhdon të mbajë nën kontroll veriun e Mitrovicës, duke vazhduar me taktikën e spastrimit etnik në Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.  E gjithë kjo detyron kushtimisht të dëgjohet edhe zëri Luginës, ( Kosovës Lindore). “Situata aktuale politike e sigurisë në rajonin e Luginës së Preshevës është e paqëndrueshme.

Angazhimi direkt i përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve të këtij rajoni në negociatat, Kosovë-Serbi, do të ndikonin pozitivisht në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët, të cilët jetojnë këndej e matanë kufirit shtetëror me Kosovën”, vlerësojnë përfaqësuesit e Kosovës Lindore.

Serbia, edhe pse e renditur në anën e ngërçeve politike në këndin global, vazhdon të jetë më e përafruar me vet BE-në (liberalizimi i vizave), gjithashtu Maqedonia me qëndrim racist ndaj shqiptarëve (Enciklopedia famëkeqe dhe rasti i Kalasë së Shkupit), është përfshirë në liberalizim vizash, po ashtu Greqia, me tendenca për eksterritore ndaj shtetit shqiptar është anëtare e BE-së, përderisa Shqipëria dhe Kosova, edhe për fajin se kultivojnë politikën tepër labile, vazhdojnë të jenë të shpërfillshme në këtë drejtim.

Rikthimi i imazhit të humbur

Kosova e dalë me qeveri gati minorene dhe me opozitë, shpeshherë kontraverse, mbetet në piskun e ruajtjes së stabilitetit ekopolitik e bashkë me këtë edhe atë të imazhin të thyer në kontekstin ndërkombëtar. Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, ka deklaruar se sfidat kryesore të qeverisë së Kosovës vazhdojnë të jenë forcimi i shtetit ligjor dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike.

Ndërkaq, kongresisti amerikan, Eliot Engel thekson se BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, rreth dialogut Kosovë-Serbi, për faktin se Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën në planin ndërkombëtar. Një gjë e tillë duhet të merr fund përgjithmonë.

“Kosova duhet të këtë një plan të përcaktuar drejt Bashkimit Evropian dhe është shumë e rëndësishme që Kosova të nisë procesin e anëtarësimit sa më shpejt që të jetë e mundur”. Kongresisti Engel citon faktin se Serbia ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke u angazhuar si prag pengues së bashku me Rusinë. Është paksa i quditshëm fakti se, pothuajse, në të gjitha nismat për dialog flitet për problemin serb ( kontesti politik Kosovë-Serbi, problemin serb në Kosovë etj.), duke anashkaluar çështjen shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe atë në Luginë. Pavarësisht kësaj, Serbia përpiqet më të gjtha format ta mbajë të tënsionuar dhe jostabile situatën në Kosovë, e jo të ndihmojë në krijimin e imazhit të qëndrueshëm.

Ndërkaq, analisti, James Pettifer, mendon se bisedimet e tilla, përveçse ia rrisin Serbisë legjitimitetin dhe imazhin në komunitetin ndërkombëtar, shoqërohen edhe me rreziqe. “Qeveria e Kosovës nuk e ka sa duhet të qartë për rreziqe të tilla, sepse është lehtë të fillosh të bisedosh për këto gjëra, por pastaj mund të vihesh përpara trysnisë për të biseduar për diçka tjetër”.

Kosova e ka autorësinë për të qëndruar, vepruar dhe funksionuar si shtet i pavarur dhe sovran, në sistemin e vet shumëdimensional edhe për faktin se është njohur nga 75 vende përfshirë 22 vende të BE-së dhe vet SHBA-në. Gjithsesi, shteti ekzistencial edhe pse i garantuar, duhet t’i mbrojë interesat e veta ekopolitike, juridike e kombëtare.

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)