06 Gusht 2020

Tri dekada nga thyerja e censurës dhe mbyllja e radiotelevizionit të prishtinës

Shkruar nga Nuhi Bytyçi

Gazetarët, redaktorët, regjisorët dhe punëtorët e tjerë të Radiotelevizionit të Prishtinës në mënyrë të veçantë gjatë fundviteve 80-ta të shekullit të kaluar dëshmuan profesionalizëm dhe vetëdije kombëtare, duke thyer censurën e regjimit okupues serb dhe shërbëtorëve të tyre.

Radiotelevizioni i Prishtinës u mbyll vetëm pse ishte në shërbim të informimit të drejt të popullit dhe të afirmimit të aspiratave për liri e pavarësi.

Nga një medium i kontrolluar shumë nga politika e kohës, Televizioni i Prishtinës në vitet 1987, 1988, 1989 dhe 1990 u shndërrua në një medium shumë të shikueshëm dhe të besueshëm. Bashkë me kolegun Muhamet Mjeku dhe me disa kolegë tjerë kontribuam në demaskimin e politikës antishqiptare të Sllobodan Millosheviqit.

 Si gazetar bashkë me kolegun Mjeku raportuam nga tubimi i Millosheviqit me qytetarët serbë në Fushë Kosovë në prill të vitit 1987.

Dhe, pikërisht përmes ekranit të Televizionit të Prishtinës, duke thyer censurën totalitare që mbizotëronte asokohe në TVP, përveç në edicionin qendror të lajmeve, transmetuam edhe emision special nga ky tubim ku Sllobodan Millosheviqi shfaqi publikisht politikën antishqiptare.

Emisionin special për tubimin e Fushë Kosovës ua dërguam për transmetim edhe të gjiha televizioneve tjera të Jugosllavisë së atëhershme, duke përfshirë edhe Televizionin e Serbisë, të cilat e transmetuan të plotë fjalimin e Milloshevqit dhe diskutimet tjera antishqiptare.

Për atë kohë, ky veprim i yni i prezentimit të pacensuruar ishte një goditje e fuqishme ndaj politikës antishqiptare të Serbisë.

Angazhimi im dhe i kolegëve të Televizionit të Prishtinës për të thyer censurën që mbizotëronte në TVP vazhdoi edhe me prezantimin e denjë televiziv të tubimeve masovike të punëtorëve, rinisë dhe qytetarëve shqiptarë në nëntor të vitit 1988 në Prishtinë, si dhe të grevës së njohur të minatorëve të “Trepçës” në shkurt të vitit 1989.

Me guxim dhe profesionalizëm prezentuam në ekranin e TVP-së kërkesat e minatorëve dhe të rinisë shqiptare të Kosovës kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia dhe angazhimin për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, gjë që ndikoi në mobilizimin e të gjitha shtresave të popullit shqiptar të Kosovës dhe e unifikuan atë për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës.

Thyrja e censurës komuniste dhe informimi objektiv nga këto ngjarje i patën penguar shumë udhëheqjes së atëheërshme të Serbisë dhe ajo kishte reaguar dhe kërkuar masa ndëshkimore ndaj gazetarëve dhe redaktorëve të Televizionit të Prishtinës, në mesin e të cilëve edhe ndaj meje.

Beogradi synonte që shqiptarët t’i zhvishte nga autonomia e atëhersdhme që kishin dhe çdo gjë ta kontrollonte dhe të merrte vendime vetë. Kështu, Televizioni i Prishtinës shumë shpejt u bë medium jo vetëm i shikueshëm, por edhe tribunë e vërtetë dhe e hapur, ku trajtoheshin, në mënyrë profesionale të gjitha ngjarjet dhe proeokupimet e qytetarëve të Kosovës.

Kjo u arrit falë përkushtimit dhe guximit profesional të gazetarëve e redaktorëve, por edhe mbështetjes nga drejtorët e atëhershëm, Qemal Hasni e Agim Mala.

Në Ditarin qendror të orës 19:30 transmetonim edhe komente konkrete, me të cilët demaskonim politikën e Serbisë ndaj Kosovës.    

Se lajmet qendrore të TVP-së përgatiteshin në mënyrë profesionale dhe ishin bërë të besueshme edhe për opinionin e gjerë mbarëshqiptar, dëshmon fakti se një periudhë, sidomos gjatë tubimeve protestuese në Prishtinë dhe grevës së minatorëve në vitin 1989 Televizioni Shqiptar në Tiranë në orën 19:30 lidhej drejtpërdrejt dhe transmetonte Ditarin qendrot të TVP-së.

Televizioni i Prishtinës u bë tribunë e informimit të lirë dhe populli e mbështeti financiarisht atë

Mund të thuhet lirisht se gazetarët, redaktorët, regjisorët dhe punonjësit e tjerë të Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) i kontribuan shumë krijimit të klimës së kundërshtimit të politikës së nënshtrimit nga Beogradi.

Rruga jonë ishte detyrimisht njëkahëshe: informimi dhe mobilizimi i popullit për fuqizimin e rezistencës kundër regjimit pushtues serb.

Sidomos në fundvitet tetëdhjeta, Televizioni i Prishtinës u bë medium shumë i fuqishëm dhe shumë kredibil për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë.

Në atë kohë ishte një ekip profesionalisht i mirë, i gatshëm për të sakrifikuar, me qëllimin e vetëm për ta informuar opinionin për zhvillimet dramatike në Kosovë.

Bashkëpunonim ngushtë dhe konsultoheshim me njëri-tjetrin se çfarë është me interes t’u ofrohet shikuesve.

Ndonëse në një periudhë gjatë fundviteve tetëdhjeta në studion e TV të Prishtinës me qëllim që të bënin presion ndaj nesh qëndronin 2 policë serbë, disa nga ne gazetarët dhe redaktorët e TVP-së shpesh përdornim edhe metoda shumë diskrete për të transmetuar kronika e lajme që nuk ishin të pëlqyera për Beogradin dhe për udhëheqjen politike të Kosovës, e cila njërën këmbë e mbante në Kosovë, tjetrën në Beograd. 

Duke pasë besim në punën profesionale të gazetarëve, redaktorëve, regjisorëve dhe punëtorëve tjerë të TV të Prishtinës, pas kërcënimit të Beogradit për ndërprerjen e financimit, qytetarë të shumtë të Kosovës vinin çdo ditë në televizionin tonë dhe prisnin në radhë të gjata për të dhënë të holla për ta ndihmuar finaciarisht këtë institucion vital të Kosovës.

TVP dhe raportimi më 2 korrik 1990 dhe deri në mbyllje

Në “Librin e luftës” kam shkruar në mënyrë të detajuar për mbledhjet shumë dramatike të Kuvendit të Kosovës të mbajtura në maj dhe qershor të vitit 1990, kur delegatët shqiptarë kërkuan që të hidhet poshtë amandamenti i Kushtetutës së Serbisë për marrjen e kompetencave organeve dhe institucioneve të atëhershme të Kosovës dhe në rend të ditës të futet Deklarata kushtetuese për Kosovën njësi e pavarur në kuadër të Federatës-Konfederatës së atëhershme Jugosllave.

Gjatë kësaj periudhë, unë bashkë me kolegët e mi gazetarë të TV të Prishtinës kishim raportuar nga këto mbledhje dhe iu kishim prezantuar opinionit të gjitha diskutimet e delegatëve shqiptarë dhe përpjekjet e delegatëve serbë në krye me kryetarin e atëhershëm të Kuvendin Gjorgje Bozhoviq dhe të udhëheqjes së Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin për të injoruar dhe për të penguar kërkesën e drejtë e legjitime të delegatëve shqiptarë. Ne si gazetarë patëm krijuar atmosferë shumë mobilizuese në mesin e popullit të Kosovës për të mbështetur kërkesat legjitime të delegatëve shqiptarë, të cilat u mbështetën edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nga alternativa e atëhershme shqiptare në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës drejtuar nga dr.Ibrahim Rugova.

Më 2 korrik 1990, si gazetar i TV të Prishtinës kam raportuar nga mbledhja historike, miratimi i Deklaratës kushtetuese të 111 delegatëve shqiptarë e të tjerë të Kuvendit të Kosovës, sipas të cilës Kosova u shpall njësi e pavarur, e barabartë me njësitë-republikat e tjera në kuadër të Federatës-Konfederatës së atëhershme Jugosllave.

Ndonëse, kjo ngjarje u tentua të pengohet nga njësitë speciale të policisë serbe të ardhura edhe nga Beogradi, delegatët arritën që të kryejnë misionin e tyre si përfaqësues të popullit.

Edhe ne si gazetarë kemi qenë në shërbim të plotë të informimit të popullit të Kosovës për këtë ngjarje historike për atë periudhë. Janë të njohura për publikun pamjet e intervistave të mia dhe kolegëve tjerë me delegatë të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, si dhe bisedat e mia me qytetarë, ku megjithë pengimin e punës sime nga ana e komandantit të policisë serbe, arrita që bisedat me arsimtarët Hamzë Gashin dhe Hamzë Rracin t’i realizoj në një lokacion tjetër.

Desanti policor serb në TV e Prishtinës

Regjimit serb i pengonte shumë puna profesionale e gazetarëve, redaktorëve, regjisorëve dhe punëtorëve të tjerë të Televizionit të Prishtinës dhe gazetës “Rilindja”.

Kështu, më 5 korrik 1990 Kuvendi i Serbisë arbitrarisht anuloi vendimet e delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, e suprimoi Kuvendin, Qeverinë dhe aplikoi masa të dhunshme në shumë institucione, e mbylli programin shqip të RTP-së dhe e ndaloi gazetën “Rilindja”. Udhëheqja e RTP-së, në krye me Agim Malën, u shkarkua.

Në vend të tij u emërua Petar Jakshiq, kurse Drejtor i Televizionit të Prishtinës u emërua Beqir Hoti, që të dy njerëz të besueshëm të regjimit të Beogradit.

Më kujtohet kur para 30 vjetësh, pikërisht më 5 korrik isha në vendin e punës. Para orës 15:00, në marrëveshje me kolegun Rexhep Kasumaj, i cili ishte redaktor i Ditarit të parë, i paraparë me skemën programore që të transmetohej pas orës 15:00, e përgatita një kronikë me bisedat me delegatët e Kosovës, të cilët deri më 2 korrik 1990 ishin të deleguar në Kuvendin e Serbisë (Agim Haskajn dhe Xhevat Pllanën).

Kronika u transmetua në këtë edicion lajmesh, ku fillimisht u dhanë kronikat për kundërshtimin e vendimeve të Kuvendit të Serbisë për suspendimin e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të Kosovës, deklaratën e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, të simbolit të rezistencës Adem Demaçit, të akademik Rexhep Qosjes dhe kronika të tjera.

Mirëpo, nuk arritën të transmetoheshin të gjitha lajmet e përgatitura, sepse policia serbe në objektet e RTP-së hyri me dhunë, e armatosur deri në dhëmbë dhe e ndërpreu programin shqip të TVP-së. Për këtë akt të paparë në botën civilizuese, më kishte rrëfyer po atë ditë edhe kolegu Haki Jashanica, i cili ka qenë kujdestar pikërisht në regjinë e programit, ku edhe është ndërprerë dhunshëm programi shqip.

Si më kërcënoi me armë në zyrën time dhe si m’i mori videokasetat e kronikave televizive komandanti serb i policisë?

Unë, më 5 korrik 1990, pas ndërprerjes së programit shqip, kam qenë në Televizion, në ndërtesën e vjetër, në katin e parë, ku qëndronin redaktorët e Ditarit. Aty ka hyrë komandanti i policisë serbe, që si më kujtohet, e kishte emrin Marko.

Ai ishte, po i njëjti që më kishte penguar t’i intervistoja qytetarët më 2 korrik 1990 në qendër të Prishtinës. Ai prapë më pengoi, por tash në lokalet e punës në televizion.

Me automatik në krahë dhe revole në brez u drejtua kah unë dhe pa më pyetur tentoi të m’i marrë dy kaseta “Beta” që i kisha mbi tavolinë.

Vërejta se një kameraman serb, që erdhi bashkë me policët serbë, po xhironte komunikimin e komandantit me mua, reagova dhe menjëherë refuzova t’ia jepja kasetat.

I thashë se ato ishin kaseta me xhirime për Ditarin qendror të orës 19:30, por xhirimet që janë në to mund t’i shihni vetëm kur të transmetohen në televizion.

Me çdo kusht insistoi t’i merrte kasetat dhe t’i shikonte para se të montohej kronika.

Prapë u mundova të kundërshtoj, por ai më kërcënoi me armë dhe arriti t’i marr kasetat.

Xhirimi i hyrjes së komandantit serb në zyrën time dhe marrja me dhunë e kasetave është transmetuar në mediet botërore si ilustrim për gjendjen e jashtëzakonshme në Televizionin e Prishtinës.

Pastaj na urdhëruan që ata kolegë që ishim në ato çaste në objektin e TVP-së të vendoseshim përkohësisht në një zyrë një kat më lart (bashkë me inxhinierin Mehdi Këpuskën, gazetaren Qerime Avdiun-Gashin e të tjerë).

Pas një kohe na thanë se mund të dalim nga kjo zyrë dhe të shkojmë dhe ta vazhdojmë punën në zyrat e tjera të programit informativ, të edicionit të lajmeve, në barakën (aty ku tash është e vendosur Agjencia Kosovare e Privatizimit), ku ishin edhe kolegët e tjerë: Sylejman Shaqiri, Skënder Durmishi dhe Asllan Bajrami. Komandanti na tha: “Ju mund të vazhdoni të punoni, por duhet të prisni që të vijë drejtori i ri i TVP-së, Beqir Hoti, i cili do të vlerësonte se cilat lajme duhet të transmetoheshin e cilat jo”.

Mirëpo, ne para komandantit serb shprehëm kundërshtimin tonë për zgjedhjen e Beqir Hotit drejtor të TVP-së dhe, derisa për një moment komandanti serb doli nga zyra e redaktorit përgjegjës të programit informativ dhe kontaktoi me kolegët e programit në gjuhën serbe, u morëm vesh që mos ta pranojmë censurën dhe ndërhyrjen e njerëzve nga Beogradi në programin tonë.

Kështu, kolegët tanë, Skënderi, Asllani dhe të tjerë, kishin kontaktuar me drejtorin, Beqir Hotin.

Kur e kishin vërejtur se ai kishte marrë përsipër që ta instalonte politikën redaktuese të regjimit serb të Beogradit në RTP, kishin refuzuar përgatitjen e edicionit të lajmeve dhe ishin larguar nga objekti i televizionit, duke u kthyer në shtëpi.

Pse nuk u transmetua Ditari i Televizionit të Prishtinës në orën 19:30?

Atë natë, pavarësisht prej përpjekjeve të udhëheqjes së dhunshme të RTP-së që të na detyronte t’u nënshtroheshim urdhrave të Beogradit, ta propagandonim politikën e Serbisë në Kosovë, që të gjejnë redaktorë, gazetarë e folës shqiptarë që t’i përgatisnin lajmet qendrore të orës 19:30 në gjuhën shqipe, nuk ia kishin arritur.

Të gjithë ishim unikë dhe me vendosmëri kundërshtuam censurën dhe ndërhyrjen policore të Serbisë në Televizionin e Prishtinës.  Në orën 19:30 ekrani u errësua dhe TVP u lidh me lajmet e Televizionit të Novi Sadit në gjuhën serbe.

U dha edhe kronika nga ndërhyrja e policisë serbe në TVP. E pashë veten duke kundërshtuar komandantin serb në vendin e punës. Ishte një çast shumë i rëndë, sepse kështu u mbyll programi në gjuhën shqipe në TVP.

Por, ndiheshim krenarë që regjimi serb dhe shërbëtorët e tij shqiptarë nuk ia arritën që redaktorët, gazetarët, folësit dhe kameramanët shqiptarë t’i nënshtronin dhe detyronin të jenë në shërbim të politikës antishqiptare të Millosheviqit.

Pas një kohe drejtoria e dhunshme kishte arritur të gjejë një folëse, Hajrije Jahën, që populli e quante Hajrije “Spikerica”, si dhe disa refugjatë malazezë nga Vrraka, që përkthenin nga serbishtja në shqip lajmet e dirigjuara nga Beogradi, por ato lajme nuk ndiqeshin nga shqiptarët dhe nuk ishin të besueshme.

Çfarë ndodhi në RTP pas 5 korrikut 1990 ?

Më 5 korrik, pas okupimit të Radio Televizionit të Prishtinës, janë aplikuar masat e dhunshme në këtë institucion informativ dhe është zgjedhur udhëheqja e dhunshme e RTP-së nga Kuvendi i Serbisë.

Më 6 korrik 1990 ne punëtorët shqiptarë të RTP-së u mblodhëm para objektit të TVP-së, protestuam për masat e dhunshme të Serbisë në Kosovë, edhe në RTP.

Kërkuam që të hyjmë në objektet tona, që të kthehemi në vendet tona të punës, me kusht që mos të ketë censurë, ndërhyrje në punën tonë profesionale.

Mirëpo, menjëherë drejtoria e dhunshme publikoi listën e parë të redaktorëve dhe të gazetarëve të cilët ishin të larguar nga puna, në të cilën isha edhe unë. Kështu që, prej kësaj kohe filloi një fazë e rëndë. Vetë mbyllja e RTP-së në gjuhën shqipe ishte mbyllje e informimit në gjuhën shqipe në Kosovë.

Megjithatë, ekzistonte një unitet, një vetëdije e lartë te të gjithë punëtorët shqiptarë, që në asnjë mënyrë nuk duhet t’i shërbejmë propagandimit të politikës antishqiptare të Serbisë.

Dua me këtë rast të rikujtoj rolin e jashtëzakonshëm të gazetarëve shqiptarë, sidomos të TV Prishtinës, Radio Prishtinës, gazetës „Rilinjda“, javores „Zëri” dhe të gazetarëve të mediave sllovene, amerikane e evropiane me rastin e informimit nga ngjarjet historike për popullin e Kosovës në korrik të vitit 1990.

Me gjithë përpjekjet e regjimit të Millosheviqit për të penguar informimin objektiv dhe profesional, gazetarët kanë arritur që ta kryejnë me sukses misionin e tyre në shërbim të së vërtetës për Kosovën, duke demaskuar politikën e dhunës e të diskriminimit ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike në ish-Jugosllavi.

Kur përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe gazetarët janë në nivel të detyrës, atëherë shumë lehtë artikulohen dhe realizohen kërkesat e drejta, legjitime të tij.

Kjo u dëshmua edhe në qershor dhe 2 korrik 1990, më 7 shtator 1990, kur në Kaçanik delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.                  

Informimi në rrethana okupimi         

Të gjitha këto ishin uvertyrë e mobilizimit të popullit shqiptar të Kosovës për të krijuar sistemin e pavarur paralel të institucioneve legjitime, formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil në krye me dr. Bujar Bukoshin, krijimin e Fondit të kësaj qeverie i njohur si 3 për qindshi, organizimin e sitemit paralel të pavarur arsimor në të gjitha nivelet, të shëndetësisë, sistemit të informimit shqip dhe në sfera tjera.

Nga vjeshta e vitit 1990 në kuadër të Radio Kroacisë në Zagreb, filloi të transmetohej emisioni i Lajmeve në gjuhën shqipe, pasi që Kosova ishte në terr informativ.

Në këtë kuadër, unë kam qenë pjesë e ekipit të gazetarëve dhe redaktorëve të RTP-së që punonim dhe transmetonim edicionin e lajmeve në rrethana lufte në Zagreb, në Radion Kroacia.

Në një periudhë të mëvonshme kam realizuar emisione televizive për Televizionin Shqiptar lidhur me funksionimin e sistemit ta pavarur arsimor të Kosovës, sistemin e financimit të institucioneve të pavarura të Kosovës, emisionin mbështetës për organizimin e demonstratave të Lëvizjes Studentore të 1 tetorit 1997 dhe shumë emisione tjera.

Në mënyrë të veçantë, gjatë periudhës së luftës çlirimtare të Kosovës, bashkë me kameramanin Sadik Shabani, Abaz Zeka, producentin ekzekutiv Migjen Kelmendin, montazherët Ekran e Ergyn Dobërçani dhe kolegët e tjerë, jam angazhuar në realizimin e emisioneve aktuale dhe dokumentare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat transmetoheshin në Programin satelitor të Televizionit Shqiptar dhe në mediat botërore.

Pas çlirimit të Kosovës falë gjakut të dëshmorëve dhe sakrificës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetur nga populli i Kosovës dhe intervenimit të forcave ajrore të NATO-s, më 19 shtator 1999 filloi punën Radiotelevizioni publik i Kosovës.

Shumë shpejtë edhe ky medium publik filloi ta realizojë me sukses misionin e tij për të informuar opinionin e gjerë për të gjitha zhvillimet në Kosovën e re.

Në rrethanat aktuale, gazetarët, redaktorët, regjisorët dhe punonjësit e tjerë të RTK-së dhe të mediave të tjera të pavarura kanë obligim parasëgjithash profesional që të kontribuojnë për informim të panashëm, përherë në shërbim të publikut, por edhe për të mobilizuar dhe unifikuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe mbarë popullin e Kosovës në rrumbullaksimin e procesve të shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2020 - Mbahet mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Tek Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ora 10:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme Agim  Veliu, Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi dhe Ministri i Bujqësisë Besian Mustafa vizitojnë komunën e Istogut. (Zyra e Kryetarit të Istogut, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 12:00)

- Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi mes drejtorëve të organizatave ETEA dhe The Library Project Kosovo dhe drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit te Prishtinës, Gjilanit dhe Obiliqit. (Hapësirat Qendrës për Edukim dhe Kulturë "Libart", objekti i bibliotekës "Hivzi Sulejmani" në lagjen "Dardania", ora 14:00)