28 Mars 2024

Tregjet e lira ende mund ta ushqejnë botën

Shkruar nga Robert Zoellick



Nicolas Sarkozy, presidenti i Francës, me të drejtë ka identifikuar brishtësinë e çmimeve të artikujve ushqimorë si një prioritet për vendin e tij përderisa ai kryeson Grupin prej 20 ekonomive kryesore këtë vit. Shifrat e publikuara së fundi nga Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) tregojnë se çmimet për artikuj elementarë tashmë kanë tejkaluar majat që kishin arritur në vitin 2008.

Me ushqimin që zë një pjesë të madhe dhe të paqëndrueshme të buxhetit të tkurrur të familjeve në vendet më të varfra, çmimet në rritje janë duke u rishfaqur si një kërcënim për rritën globale dhe stabilitetin social.

Kur çmimet e artikujve kryesorë ngriten lartë, janë të varfrit ata që pësojnë më së keqi. Pa një aksion global, popullata në vendet e varfra do të jetë e privuar nga artikujt adekuatë dhe me vlera ushqyese, me pasoja tragjike për individët dhe për prosperitetin e vendeve të tyre në të ardhmen.

G20 duhet të pajtohet të vë ushqimin mbi të gjitha – sepse buka është thelbi i jetës dhe veprimet praktike nga G20 mund të ndihmojnë të arrihet një ndryshim i vërtetë për qindra miliona njerëz.

Synimi kyç duhet të jetë që të sigurohet se popujve dhe vendeve më të rrezikuara të mos u mohohet qasja në artikuj me vlera ushqyese. G20 mund të arrijë këtë, me kusht që të ndërmarrim hapat praktikë dhe të ndërlidhur si më poshtë.

Të përmirësohet qasja publike në informacione mbi cilësinë dhe sasinë e rezervave të drithërave. Informacionet më të mira i qetësojnë tregjet dhe ndihmojnë në zbutjen e çmimeve astronomike të nxitura nga paniku. Institucionet multilaterale do të mund të ndihmonin në identifikimin e mënyrave për të përmirësuar transparencën.

Të përmirësohen parashikimet dhe monitorimet afatgjate të motit, sidomos në Afrikë. Parashikimi i saktë afatgjatë i motit merret si punë e kryer nga bujqit dhe konsumatorët në vendet e zhvilluara; në vendet e varfra kur prodhimet varen nga të reshurat, vlerësimet e dobëta për rendimentet vetëm sa rrisin luhatjen e çmimeve.

Parashikimi më i mirë i motit do t’u ndihmonte njerëzve të bëjnë planifikime paraprake dhe do t’u ndihmonte të parashikojnë nevojat për ndihmë. Organizata Botërore Meteorologjike dhe Banka Botërore janë të gatshëm të ndihmojnë, por kërkohet edhe më shumë.

Të përmirësohet të kuptuarit tonë për marrëdhëniet mes çmimeve ndërkombëtare dhe çmimeve lokale në vendet e varfra.

Faktorët si kostoja transportuese, llojet e prodhimeve dhe normat e këmbimeve mund të nënkuptojnë se çmimet lokale mund të jenë të shkëputura nga çmimet ndërkombëtare: në Kamboxhia, çmimet e orizit ishin të njëjta me çmimet ndërkombëtare kah mesi i vitit 2009, por ndonëse çmimet vendore që nga atëherë janë rritur për një çerek, çmimet ndërkombëtare janë për 15 përqind më të ulëta.

Puna do të mund të përqendrohej së pari në ata artikuj dhe ato vende të cilat janë më të rrezikuarit nga paqëndrueshmëria.

Të themelohen rezerva të vogla humanitare në rajonet të cilat janë më të rrezikuara nga fatkeqësitë, në zonat me infrastrukturë të dobët. Rezervat e mëdha mund të jenë të kushtueshme, mund të prishen lehtë dhe të pengojnë prodhuesit.

Por në vendet ku krizat ushqimore kanë shumë të ngjarë të rishfaqen dhe ku lidhjet transportuese janë të dobëta, si në Kepin e Afrikës, rezervat e vogla strategjike të vendosura paraprakisht do të siguronin ushqimin për të uriturit shpejt, e sipas të gjitha gjasave edhe me çmime më të ulëta. Programi Botëror për Ushqim (WFP) do të mund të menaxhonte këtë sistem.

Të arrihet pëlqimi mbi një kod të sjelljes për të perjashtuar ndihmën humanitare në ushqim nga ndalesa për eksport. Kufizimet eksportuese e keqësojnë edhe më tej brishtësinë e çmimeve të ushqimit. Do të ishte ideale sikur vendet të mos ngarkonin asnjë ndalesë për eksportime; në vitin 2011 ato duhet të paktën të pajtohen që ushqimet për qëllimet humanitare të lejohen të lëvizin lirshëm.

Të sigurohet një mbrojtje sociale efektive. Është jetike që të mbrojmë popullatën më të rrezikuar siç janë gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me gji dhe fëmijët nën moshën dyvjeçare. Ne na duhet të lidhim bujqësinë me të ushqyerit dhe të ndihmojmë vendet të përqendrohen tek ata që kanë më së shumti nevojë, me një kosto të arsyeshme.

T’u sigurohet vendeve qasje në mbështetjen për shpërndarje të shpejtë si një alternativë ndaj ndalesave eksportuese ose kontrollit të çmimeve. Të ndihmohen vendet për të shmangur politikat të cilat dëmtojnë bujqit dhe fqinjët e tyre, ne na duhet të ofrojmë alternativa të besueshme e të shpejta të hartuara enkas për nevojat lokale.

Banka Botërore ka krijuar një dritare për reagim ndaj krizave përmes Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA), me një fond prej 49 miliardë dollarësh amerikanë për vendet më të varfra dhe ka ndihmuar në themelimin e një Fondi për Siguri për Ushqim për reagime të shpejta, por ne po ashtu do të mund të gjurmonin krijimin e linjave kreditore ose kredive me pezullim të kthimit të borxhit dhe shtyrje të pagesës së borxhit gjatë periudhave të tronditjes së çmimeve.

Të hartohet një listë e thellë e instrumenteve për menaxhim të rreziqeve. Në disa raste, instrumentet më të dobishme do të mund të ishin sigurimi nga dëmtimet e shkaktuara nga moti ose treguesit e të reshurave, apo kufizimi i çmimeve të rrymës për të mbajtur koston transportuese dhe të prodhimit të ulët.

Të ndihmohen bujqit që janë pronarë të parcelave të vogla që të bëhen pjesë e zgjidhjes për sigurinë e ushqimit. Tetëdhjetë e gjashtë përqind e artikujve kryesorë në zona të varfra vijnë nga burimet lokale, andaj mbështetja për përpjekjet e udhëhequra nga shteti për të përkrahur fermat e vogla bujqësore është e rëndësisë parësore.

Një hap konkret për G20 në këtë drejtim do të ishte të ndihmojnë bujqit të përfitojnë nga tenderët nga blerësit humanitarë siç është WFP. Kjo mund të kërkojë fleksibilitet për të lejuar përfitimet zhvillimore siç janë ndërtimi i tregjeve lokale për t’u marrë në konsideratë në vendimet strategjike. Sudani jugor do të mund të shërbente si një shembull pilot në këtë moment.

Përgjigja ndaj brishtësisë së çmimit të bukës nuk do të thotë të ndiqen penalisht shkelësit ose të bllokohen tregjet, por të shfrytëzohen më mirë. Duke fuqizuar të varfërit, G20 mund të ndërmarrë hapa praktikë për të garantuar sigurimin e artikujve me vlera ushqimore. Z. Sarkozy ka treguar lidership në paraqitjen e kësaj çështjeje në agjendën e G20; tash G20 duhet të veprojë për të vënë ushqimin në krye të listës.

(Autori është President i Grupit të Bankës Botërore)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)