28 Mars 2024

Thirrje për një tryezë mbarëkombëtare!

Shkruar nga Behgjet Pacolli


Siç kam bërë me dije më gjerësisht kohët e fundit, unë jam përpjekur më herët me nxit një reagim të Kosovës ndaj zonjës Karla Del Ponte pas botimit të librit të saj. Të njëjtin paralajmërim e kam bërë dhe ndaj Dik Martit, kolegut të saj që gjatë kohës kur ai vizitoi Kosovën prej nga nuk pritej ndonjë gjë e mirë.

E kam shpjeguar këtë dhe në librin tim autobiografik “Nga sfida në Sfidë”. I kam bërë thirrje asokohe zotëri Hashim Thaçit, dhe drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, por thirrja ime e mëhershme nuk u dëgjua.

Sot situata është pak më ndryshe. Nuk bëhet më fjalë për libra kundër Kosovës, që të mund të nënvleftësohen si atëherë. Kemi një raport monstruoz të këtij njeriu, që nuk e ka fshehur që më herët  simpatinë për Serbinë. Ky raport na akuzon se kemi kryer një krim të tmerrshëm për qytetërimin- trafik organesh me robërit e luftës.

Ky raport doli në mediat kryesore të botës dhe na dëmtoi shumë në imazhin tonë kombëtar, të cilin e kemi përmirësuar me shumë mund. Nëse projektrezoluta që i paraprin raportit miratohet në Këshill të Europës, atëherë akuza do të mbajë të njollosur për një kohë të gjatë jo thjesht Hashim Thaçin, jo thjesht Kosovën, por edhe Shqipërinë, gjithë kombin shqiptar. Madje pjesërisht dhe Perëndimin, aleatin tonë kryesor në këto fitore të mëdha të kohëve të fundit- pavarësinë e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Ka një rrugë të vetme, me e heqë nga kurrizi akuzën e rëndë, që na e ka vendosë Serbia nëpërmjet emrit të parlamentarit zviceran, i cili harxhoi dy vjet e gjysëm paratë e taksapaguesve europianë për të ricikluar shpifjet e Beogradit, siç tha kryeministri Berisha.

Në 24 janar 2011, Asambleja e Këshillit të Europës, duhet ta hedhë poshtë tërësisht projektrezolutën e Dik Martit, dhe kështu bashkë me të, raporti i tij i mbushur me shpifje çmendurake do të përfundojë në koshin e historisë.  Ky do të jetë një akt i vetëm, me të cilin ne do të fitonim menjëherë përballë  Serbisë në rrafsh ndërkombëtar, njëjtë sikur me GJND-në dhe në raste të tjera. Po si mund të arrihet kah kjo fitore?

Unë mendoj se janë tre pikat kyçe që të çojnë kah fitorja. Së pari, kompaktësimi i faktorit shqiptar në Ballkan në sulm ndaj këtij raporti dhe ideatorëve të tij, sepse sulmi është mbrojtja më e mirë. Së dyti, koordinimi me perëndimin (grupet parlamentare perëndimore në Këshill të Europës, kancelaritë perëndimore, përfshi SHBA-në).

Së treti, ofrimi i gatishmërisë për t’u hetuar për akuzat, por jo nëpërmjet urdhërit të Këshillit të Europës siç don Dik Marti dhe Serbia. Hetimi duhet të bëhet nëpërmjet krijimit të një grupi ad hoc të EULEX-it, plus prokurorisë së Kosovës, apo nëpërmjet një grupi ad hoc ekspertësh të hetimit siç sugjeronte profesori i i njohur Ivo Banac.
 
Berisha të thërrasë një tubim mbarëkombëtar të partive parlamentare

Sot unë nuk ndihem më vetëm. Sot nuk mendoj t’i drejtohem Hashim Thaçit dhe Organizatës së veteranëve, sepse raporti nuk kritikon ata- kjo duhet kuptuar njëherë e mirë në Kosovë dhe kudo.  Sot kam ide të tjera për të realizuar këto tre pika, në objektivin tonë për të hedhur poshtë projektrezolutën dhe bashkë me të për ta mundur Serbinë në një forum europian.

Kam folur me mikun tim Shpëtim Idrizi, kryetarin e PDU-së, një partie me bosht të fortë kombëtar, njëherazi  anëtar në delegacionin e Shqipërisë në Këshill të Europës. Kemi arritur në përfundimin se zotëri Sali Berisha duhet të thërrasë urgjentisht një tubim të krerëve të partive parlamentare të hapësirës shqiptare.

Pse Sali Berisha? Pse ai do të shkojë në Këshill të Europës në 24 janar! Pse ai përfaqëson vendin amë, i cili akuzohet gjithashtu prej Martit ndaj atij i duhet të reagojë në emër të saj! Pse zotëri Sali Berisha ka autoritetin personal me i thirrë liderët e kësaj hapësire në një tubim mbarëkombëtar!

Do kisha dashur ta thërrisja vetë, por si drejtues i AKR-së, gjegjësisht i Koalicionit për Kosovë të re, nuk përfaqësoj një institucion me autoritetin e nevojshëm për ta realizuar këtë tubim. Nga ky tubim, unik në historinë e pluralizmit në viset tona, nga ky demonstrim i unitetit dhe forcës së faktorit shqiptar përballë akuzave të tilla monstruoze të Serbisë, duhet të dalë një dokument, një letër, një thirrje të gjitha kancelarive perëndimore.

Atyre duhet t’u sqarohet pse Serbia duhet të heqë dorë nga fajësimi i shqiptarëve si komb, por duhet t’u kërkojë ndjesë atyre, njëjtë sikur Bosnjës, Sllovenisë dhe Kroacisë. Atyre duhet t’i shprehet gatishmëria për të pranuar një hetim të institucioneve që kanë mandat për hetimin. Atyre do t’u kërkohet bashkërendimi në 24 janar për ta hedhur poshtë raportin.

Unë jam i bindur se Perëndimi do ta kuptojë forcën tonë si faktor i përbashkuar, forcën e aleatit më të mirë të perëndimorëve në Ballkan. Unë jam i bindur se Perëndimi do ta hidhte poshtë gjithsesi atë pjesë të projektrezolutës që ka brenda absurde të mëdha. Si mundet Këshilli i Europës, një organizatë jo vendimmarrëse të mendojë të fajësojë apo të urdhërojë Bashkimin Europian, EULEX-in, të bëjë këtë, apo atë gjë?

Si mundet të besojë Dik Marti, apo Serbia se Këshilli i Europës nëpërmjet një rezolute jovendimmarrëse plot shpifje antihistorike, do të marrë kompetencat e Bashkimit Europian në një territor si yni ku ne jemi sovranë dhe ku BE nëpërmjet EULEX-it na ndihmon në ushtrimin e sovranitetit? Unë jam i bindur se Serbia do të mendohet mirë para se të ndërrmarrë inisiativa të tilla antishqiptare.

Unë jam i bindur gjithashtu se zoti Berisha do ta pranojë këtë ide, do ta pranojë thirrjen që po i bëj nëpërmjet këtij shkrimi dhe nëpërmjet një letre që do ja dërgoj këto ditë, sepse koha nuk pret. Unë dua që kolegët e mi të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, e cila ka gjithashtu delegacion parlamentar në Këshillin e Europës të kapërcejnë dasitë e tyre politike të brendshme dhe t’i përgjigjen kësaj thirrje.

Nga simbolika e këtij takimi, me vlerë kombëtare, kur të shohim sa shumë jemi, dhe sa mirë do ndihemi bashkë, do të dalin mesazhe me vlerë për të gjithë. Bashkë jemi më të fortë. Nëse nuk reagojmë sot, të gjithë bashkë, nesër do të jetë vonë. Në kohë! Të gjithë si komb!


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)