04 Gusht 2020

Të pagjeturit e luftës të përfshihen në bisedimet Kosovë-Serbi

Shkruar nga David L. Phillips

Javën e kaluar u shënua 25 vjetori i Gjenocidit në Srebrenicë. Nga Bosnja, ne e dimë se identifikimi i viktimave është thelbësor për shërimin shoqëror.

Një llogari e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë duhet të jetë pjesë e negociatave për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Paqja e qëndrueshme kërkon zbulim, drejtësi dhe përgjegjësi.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC) në Beograd, rreth 1,500 persona u zhdukën gjatë konfliktit të Kosovës. Sipas HLC-së, rreth 4,000-5,000 persona ishin viktima të krimeve të luftës. Ky total përfaqëson rreth një të tretën e shqiptarëve të Kosovës që vdiqën gjatë luftës.

Më 1999, në Serbi u zbuluan varreza masive. Sikurse në rastin e Bosnjës, Serbia shkatërroi dëshmitë forenzike dhe mbetjet mortore në një përpjekje sistematike për t’i mbuluar krimet e veta.

Deklarata përfundimtare e samitit të Triestes e procesit të Berlinit bëri thirrje për një Komision Rajonal (KOMRA) për të zbuluar faktet (24 mars 2017).

Procesi i Berlinit është një proces ndërqeveritar që ka për qëllim rikthimin e raporteve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së.

Megjithatë identifikimi i personave të pagjetur është zbehur. E intervistova një nënë në Gjakovë e cila më tregoi fotografi të djalit të saj të pagjetur. Derisa ajo nuk e di se çfarë ka ndodhur, plagën do ta ketë të hapur.

Njëzetenjë vjet pas luftës së Kosovës, vështirë se ndonjë prej të pagjeturve është i gjallë. Megjithatë, është esenciale që të dihet statusi i tyre. Kosova si shoqëri nuk mund të shërohet derisa të ketë zbulim të plotë dhe familjet të mund të mbajnë zi për fëmijët e tyre në pajtim me zakonet lokale.

E rivitalizuar me financim nga vendet donatore, KOMRA duhet t’i identifikojë viktimat; identifikojë varret masive; dhe të zbulojë fatin e atyre që humbën. Personat e pagjetur duhet të qëndrojnë në agjendën e procesit të Berlinit, i cili po vazhdon.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) luajti rol të rëndësishëm pas Srebrenicës.

Ai ka bërë punë të rëndësishme edhe në Kosovë. Në fillim të vitit 2003, ICMP asistoi Kosovën përmes identifikimit forenzik të viktimave përmes ADN-së, duke punuar në bashkëpunim me Misionin e OKB-së në Kosovë dhe me Misionin e atëhershme të BE-së për Sundim të Ligjit.

Përpjekjet e ICMP-së po vazhdojnë. Detyra e tij nuk është thjeshtë teknike. Fati i personave të pagjetur duhet të jetë në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi.

E kuptoj se shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës janë prekur nga lufta. Shoqata e Viktimave Serbe mbajti një ekspozitë para parlamentit me fotot e personave të pagjetur për vite me radhë. Megjithatë, ka një dallim në kuantitet.

Shumica absolute e të pagjeturve dhe viktimave ishin shqiptarë të Kosovës. Është edhe një dallim kualitativ.

Shqiptarët e Kosovës u vranë si pjesë e ndërmarrjes kriminale të drejtuar nga shteti, ndërsa shumë më pak serbë të Kosovës u viktimizuan përmes veprimeve ad hoc të individëve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëheq delegacionin e Serbisë në dialogun me Kosovën. Moralisht, ai është i papërshtatshëm si bashkëbisedues.

Vuçiqi ishte gazetar në Pale (Bosnje e Hercegovinë) më 1992-1993, duke punuar përkrah kriminelëve serbë të luftës.

Ai ishte partner i lojës së shahut i Gjeneralit Ratko Mladiq, kasapi i Srebrenicës, i cili udhëhoqi forcat serbe të Bosnjës dhe organizoi masakrimin e myslimanëve.

Veç kësaj, Vuçiqi shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, parti nacionaliste serbe e ekstremit të djathtë e themeluar më 1991 nga lideri paramilitar Vojisllav Sheshel.

Kur Gjykata Ndërkombëtare Penale dënoi Sheshelin për krimet kundër kroatëve në Vojvodinë, Shesheli u përgjigj: “[Jam] krenar për të gjitha krimet e mia të luftës” dhe “jam i gatshëm t’i përsëris sërish ato.

Vuçiqi ishte edhe palë e nxitjes së urrejtjes, duke deklaruar më 10 korrik, 1995: “Nëse vritet një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”. Vuçiqi ka një reputacion të ndyrë pasi shërbeu si ministër i Informacionit për Sllobodan Millosheviqin gjatë luftës së Kosovës.

Me atë rol, ai drejtoi një mision për mbulimin e krimeve duke ndaluar ekipet e huaja televizive nga Beogradi.

Si propagandist kryesor, ai me zell punoi për të nxitur urrejtje të serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjatë një paraqitjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiqi deklaroi: “Dikush duhet t’i zbusë e disiplinojë ata”.

Nëse Gjykata Speciale i bën fajtorë shqiptarët e Kosovës për shkelje të Ligjit Ndërkombëtar Humanitar (IHL), duhet të ketë një proces që do t’i mbante përgjegjës edhe Vuçiqin e bashkëluftëtarët e tij për krimet e tyre.

Kosova s’e ka luksin t’i zgjedhë bashkëbiseduesit e vet në negociata. Megjithatë, Qeveria e Kosovës mund të kërkojë drejtësi. Krimet mund të ekspozohen duke i identifikuar të pagjeturit.

Nevoja për t’i zbuluar të pagjeturit në konflikt është e mishëruar në IHL. Konventa e Katërt e Gjenevës kërkon që palët në konflikt lehtësojnë hetimet për individë të pagjetur si rezultat i armiqësive.

Protokolli shtesë 1 në mënyrë eksplicite “kërkon nga të gjitha palët e konfliktit të kërkojnë për personat që janë raportuar të pagjetur nga pala kundërshtare”.

Normalizimi dhe pajtimi nuk mund të arrihen derisa personat e pagjetur të identifikohen dhe që kryerësit e krimeve të luftës të dalin para drejtësisë.

Kurrë nuk është vonë për të vërtetën dhe kërkimfaljen. Nëna që e takova në Gjakovë, si shumë të tjera sikurse ajo, kërkojnë drejtësi dhe meritojnë kompensimin.

Adresimi i çështjes së personave të pagjetur do të përmirësonte shumë perspektivën e negociatave të suksesshme për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Një marrëveshje në të cilën Serbia e njeh Kosovën brenda kufijve të vet nuk mund të neglizhojë fatin e personave të pagjetur dhe viktimave të krimeve të luftës. 

/David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në Nju Jork. Ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i Departamentit të Shtetit duke punuar mbi ish-Jugosllavinë gjatë Administratës Clinton. Ai është autor i librit “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and US Intervention” (Harvard’s Kennedy School). Libri i tij i ri është “Front Line Syria: From Revolution to Proxy War”/

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2020

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. (Salla e seancave plenare, ora 9:00)

 

- Riccardo Serri, Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë do të dorëzojë 30 Ventilatorë të ICU, 200 Pulse Oximeters dhe 20 makina elektrokardiografike Ministrisë së Shëndetësisë në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream on facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Prizrenit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Mbahet takimi konsultativ rreth procesit për përgatitjen e programit të reformave në ekonomi 2021 - 2023. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P 38, ora 13:30)