19 Prill 2024

Të mëdhenjtë i hanë kumbullat të vegjëlve u mpihen dhëmbët

Shkruar nga Xhevat Bislimi

(“Mallkimi”, ndjekja, gjobitja dhe dënimi i komisionerëve të vendvotimeve)

 Për sistemi politik dhe cilsinë e institucioneve të një vendi rëndësi dhe ndikim të veçantë ka sistemi zgjedhor. Kjo e vërtetë e provuar teorikisht dhe praktikisht në shumë vende dhe shoqëri të botës u vërtetua edhe në shoqërinë tonë, në Kosovë. Menjëherë pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së në Kosovë u vendosë (pa dëshirën tonë) administrata e OKB-së, UNMIK-u.

Në të njëjtën kohë erdhi edhe OSBE-ja dhe shumë shoqata “joqeveritare” në emër të ngritjes së institucioneve të përkohëshme, në emër të demokratizimit, transparencës, zhvillimit ekonomik, pajtimit ndërnacional (shqiptarë e serbë), etj. Këto misione, shoqata joqeveritare dhe organizma të tjerë, përveç këtyre “detryrave” kishin ardhur të na mësonin edhe se si bëhen zgjedhjet e lira, të ndershme (atyre u pëlqen të thonë “fer”) dhe demokratike.

Ky projekt dhe ky program kaq ambicioz, i shpallur me bujë e tam-tame, ua ngrohu zemrat shqiptarëve të hequr keq, të ndjekur, të vrarë e të masakruar në përmasa gjenocidale nga Serbia dhe sivëllezërit e saj. Zbatimi (për t’ua rritur peshën shqiptarët po thonë “implementimi”) i këtyre projekteve as që mund të mendohej pa shqiptarët, të cilët përzgjidheshin me disa kritere të rrepta (e para do të duhej të kishin qenë lojalë ndaj pushtuesëve), etj. Nejse.

Sa i përket sistemit zgjedhor dhe zgjedhjeve rol të dorës së parë kanë luajtur drejtuesit ose udhëheqësit e partive, të cilëve u pëlqen shumë të quhen “liderë”, sepse kështu besojnë se bëhen “amerikanë”! “Liderët” partiakë janë shumë të angazhuar sidomos për zgjedhjet e përgjithshme ku kandidohen ata dhe të dëgjueshmit e tyre! Në zgjedhjet e parafundit “liderët” e partive fituan bindshëm pa iu nënshtruar votimit fare!!

Qytetari kishte të drejtë t’i votonte dhjetë kandidatë për deputetë!! Parregullësitë ishin të shumta, gjithëpërfshirëse dhe të pashmangshme. Shumica e votave u morën nga komisionerët, jo nga qytetarët!! Qytetari mesatarisht votonte dy-tre kandidatë të një partie për deputetë, kurse pjesën tjetër 6-7 kandidatë, ose sa të donte ai, i votonte komisioneri i partisë!!

Prodhimi (deputetët) i dalur nga ky proces zgjedhor ishte i cilësisë së dobët. Besueshmëria në këtë proces dhe te ata që u zgjodhën ishte e një shkalle të ulët. Fatkeqësia është se nga ky proces dhe nga këta deputetë varej edhe cilësia dhe besueshmëria e të gjitha institucioneve dhe organeve tjera (me atë miellë ajo bukë bëhet).

Të gjendur para kësaj “fotografie” zgjedhore tepër komprometuese për ta dhe për partitë e tyre, “liderët” u morën vesh që në zgjedhjet e fundit të ndryshohejë sistemi zgjedhor dhe në vend të dhjetë votave qytetari të kishte në “xhepin” e tij vetëm pesë vota, të kishte të drejtë t’i votonte pesë kandidatë të një partie!! Edhe “lideri” i partisë iu “nënshtrua” procesit zgjedhor, votës së qytetarit (formalisht).

Gjatë procesit zgjedhor u dëshmua se parregullësitë, vjedhjet e votave dhe hatërmbetjet midis miqve e shokëve të të njëjtës parti ishin edhe më të mëdha. Përsëritja e zgjedhjeve u bë në disa komuna dhe në disa qendra vendvotimesh!! Shkalla e besueshmërisë në këto zgjedhje ra edhe më shumë, kurse shkalla e vjedhjes dhe manipulimit të votimeve u rritë dukshëm.

Të zgjedhurit (produkti) e këtyre zgjedhjeve ishin kryesisht rezultat i manipulimit dhe vjedhjes së votave! Ata që nuk morën në gjithë Kosovën nga 2-3 mijë vota (kryesisht të “dashurit” e “liderëve”) gjatë këtyre votimeve me përsëritjen e tyre në dy-tri komuna morën mbi dhjetë mijë vota!!

Vjedhja dhe manipulimi i votave u bë kryekëput midis kandidatëve të të njëjtës parti! Fati i kandidatëve edhe në këto zgjedhje ishte në duart e komisionerëve!! Ishin komisionerët ata që ua hiqnin dhe ua jepnin votat kanditatëve sipas porosive që kishin marrë nga kandidatët, “logjistika” dhe “sponzorët” e tyre!!

Nga ky “brum” nuk mund të dilte një Kuvend (parlament) ndryshe, nuk mund të kishim një Qeveri tjetër, nuk mund të kishim një Kryetar (u pëlqen ta quajnë “president”) Kosove tjetër… Çmimin më të shtrenjtë për këtë sistem zgjedhor dhe për këto zgjedhje e pagoi PDK-ja.

Menjëherë pas zgjedhjeve, sikur edhe pas zgjedhjeve të parafundit, filloi një fushatë denoncimesh, padish dhe dënimesh kundër komisionerëve!! Kjo fushatë e paskrupullt dhe ky anatemim i komisionerëve bëhejë nga “liderët” dhe sejmenët e tyre sa për t’i “larë” duart dhe faqet e tyre nga ky turp i madh që po i linin Kosovës dhe qytetarëve të saj në sytë e botës.

Denoncimi, paditë dhe dënimet e organizuara në bashkëpunim të ngushtë edhe me (anti)drejtësinë (prokuroritë dhe gjykatat), KQZ-në dhe mediat kishte për qëllim të parë humbjen e adresës së vërtetë të këtij shpërdorimi, manipulimi dhe të kësaj vjedhjeje masive të votës së qytetarit!!

Me një sistem të këtillë zgjedhor nuk mund të ketë dhe as nuk do të ketë asnjëherë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme në Kosovë. Janë këta “liderë” dhe mbështetësit e tyre që llogarisin të bëhen deputetë me vota të vjedhura, ata që edhe për zgjedhjet e ardhshme propozojnë që një qytetar t’i ketë dhjetë vota(!!), kurse “lideri” i partisë të mos përfshihet fare në votim!!

Ai shkon deputet pa u votuar fare, me vota të partisë!! Është e rëndësishme të thuhet këtu se për këtë (anti)zgjidhje (anti)demokratike dhe (anti)civilizuese janë pajtuar dhe po pajtohen edhe tash të gjithë “liderët” dhe, kuptohet, edhe partitë e tyre, sepse te ne partia është e “liderit” dhe “lideri” është vetë partia!!

Të tjerët janë për të duartrokitur dhe për të kapur ndonjë post a privilegj (kockë) nga zemërgjerësia e “liderit” me kriterin sipas shkallës së dëgjueshmërisë dhe shërbimit!! E kisha fjalën që kur është puna me u bë deputet me vota të manipuluar, të vjedhura, të blera dhe të grabitura të gjithë janë dakort!! Hidhërimi dhe hatërmbetjet u mbeten kandidatëve të të njëjtës parti, pasi të numrohen ato të shkreta vota dhe të shihet se kush kujt ia ka hedhur ose ia ka fut!!

Ajo që më shtyri të shkruaj është fushata, ndjekja dhe dënimi i pamshirshëm dhe i padrejtë i komisionerëve që duhet të jenë fajtorët kujdestarë për “hallkatjen” dhe zhgarravitjen e procesit zgjedhor! Dyqindë, njëqindë e pesëdhjetë, njëqindë, pesëdhjetë, tridhjetë… komisionerë të kësaj  e të asaj komune po akuzohen dhe dënohen me akuzën se kanë shpërdoruar, manipuluar, blerë, shitur ose vjedhur votat e njërit a të tjetrit kandidat!! Kuptohet, gjithmonë brenda llojit, partisë së tij!!

Nëse paska ndodhur kështu në çdo komunë, atëherë a mund të flitet për legjitimitet dhe legalitet të këtyre zgjedhjeve, të këtyre të zgjedhurve dhe të këtyre institucioneve të dalura nga ajo votë ose nga ai process zgjedhor?! Pa përjashtuar përgjegjësinë individuale dhe personale të komisionerëve, por drejtësia (nëse është e tillë), media, KQZ-ja dhe çdo qytetar do të duhejë të pyeste: Kush e zgjodhi dhe përcaktoi sistemin zgjedhor dhe rregullat e lojës? Kush organizoi manipulimin, blerjen dhe vjedhjen e votave? Për kend ose për llogari të kujt u vodhën ato vota? Kush u bë deputet me ato vota, komisioneri apo kandidati?

Cili deputet dha dorëheqje ose cilit iu mor mandati se është zgjedhur me vota të vjedhura ose të blera? Kush janë fajtorët, ata që kanë zgjedhur dhe miratuar një sistem të këtillë zgjedhor të manipulueshëm dhe që ka lënë të hapur dyerë e dritare për të vjedhur apo ata që bëjnë atë që imponon sistemi zgjedhor (kafshojnë mollën e Adamit)?

Kush është më fajtor dhe kush do të duhej të dënohejë më shumë komisioneri që kreu “detyrën” e tij apo kandidati që u bë deputet me vota të vjedhura? Pastaj, kush garanton se nuk ka patur manipulime, vjedhje dhe stërvjedhje në qendrën e numrimit?

 Shembull dhe fakt se i tërë sistemi zgjedhor ka qenë i “kapur” është edhe Komuna e Vitisë. Nga kjo komunë nuk ka patur asnjë ankesë nga asnjë palë për votimet. Ishte hera e parë që vërtetë me përkushtim edhe të partive edhe të komisionerëve ishte bërë një punë e mirë dhe ishte zhvilluar një process zgjedhor i pranueshëm edhe me këtë sistem të manipulueshëm.

Me ato pak vota të Vitisë dhe me gjithë ata kandidatë që garuan në këtë Komunë nuk pritej të fitonte kush. Mbrojtja e votave në komunat tjera për kandidatët tanë ishte e pamundur. Vota jonë në komunat tjera ishte në mëshirën dhe rahmetin e komisionerëve dhe atyre grupeve të organizuara që “orientonin” votën!! U habitëm pa masë kur dëgjuamë se edhe një numër i kutive të Vitisë do të hapeshin në qendrën e numrimit!! A është e mundur?!

Nga Vitia nuk kishte patur asnjë ankesë, nga Vitia nuk kishte fituar asnjë kandidat për deputet!? Sidoqoftë, po besonim se të paktën kur të hapeshin kutitë do të ftohejë KKZ-ja nga Vitia dhe përfaqësuesit e partive politike që të bindeshin për “parregullësitë” dhe ta mbikëqyrnin hapjen dhe (ri)numrimin e votave. As kjo nuk ndodhi!! Kutitë e Vitisë u hapën dhe u (ri)numëruan votat pa praninë e përfaqësuesëve tanë!! Bënë si dashtën vetë, gjetën “parregullësi” dhe (ri)numëruan votat sipas porosive që kishin marrë!!

Megjithatë, mbi njëqindë e tridhjetë komisionerë u akuzuan në Komunën e Vitisë dhe po përgjigjen për fajet e të tjerëve, që zgjodhën dhe miratuan sistemin (ligjin) zgjedhor, që u bënë deputetë dhe që hapën kutitë tona pa praninë e asnjë përfaqësuesi ose dëshmitari nga Vitia!! Kush garanton dhe kush mund ta bind Vitinë se u gjetën parregullësi dhe se u (ri)numëruan votat pa hile?

Nuk ka hiç rëndësi pse Vitia nuk ka asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës!! Edhe kjo (Vitia) duhet të dënohet, duhet të marrë hisen e saj, bile të dënimeve dhe gjobave të “drejtësisë”!! Kështu ndodhi që kumbullat t’i hanë të mëdhenjtë, ata që u bënë deputetë, kurse dhëmbët t’u mpihen të vegjëlve (komisionerëve), që bënë atë që u kërkuan ata që flasin sot në emër të këtij populli dhe ia fusin Kosovës. Kanë ndërruar kohërat… Dikur kumbullat i hanin të vegjëlit, kurse dhëmbët u mpiheshin të mëdhenjve… Sot?!! 


(Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)