20 Prill 2024

Të gjithë i fitojnë zgjedhjet, vetëm një parti do të jetë fitues

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Kush do të jetë i dyti sepse i pari dihet : Një mik imi më tha se më është lagur baroti dhe se nuk po më dëgjohet zëri në këto çaste historike (si të gjitha ngjarjet tjera në Kosovë), dhe se po më mungon guximi për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve eventuale të parakohshme që pritet të mbahen në tetor të vitit 2019.

Realisht, edhe më heret pata thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në muajin nëntor të këtij viti por disa zhvillime të pa – parashikuara e shpejtuan këtë proces që ka filluar të bëhet i mërzitshëm për faktin se zgjedhjet nuk po janë zgjidhje dhe nuk po sjellin cilësi të dëshiruar të qeverisjes. Të mbajnë njëfarë rendi:

Gjykata Speciale si katalizator i zgjedhjeve  të parakohshme : Opozita e Kosovës, e fuqishme në numra por impotente në veprime, LDK –ë dhe LVV –ë, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të fundit e ka pasur vetëm një kërkesë; organizimin e zgjedhjeve të reja.

Tërë kohën e ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, me seanca të jashtëzakonshme duke i dhunuar seancat e rregullta.

Tehu i luftës për pushtet ishte drejtuar kundër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj kurse PDK-në e konsiderojnë më armiqësore se të gjitha ish pushtetet e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene, Jugosllavisë së AVNOj –it, asaj të Zhablakut, Serbisë së Millosheviqit, Ilija Garashaninit, Nikolla Pashiqit, Drazh Mihajlit, Aleksandar Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit kurse Josip Broz Titon nuk e fusë në këtë mes sepse, jo pak politikanë të opozitës në Kosovë janë spermatozoidë politikë të Titos.

Thuaja ishin afër sigurimit të nënshkrimeve për mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Në këtë kontekst i luteshin Gjykatës Speciale që sa më shpejt të arrestojë kundërshtarë politikë e që ishin në pozitë në mesin e të cilëve, e pranoj se ka keqbërës të mëdhenj, hajdutë të shndërruar në milionerë si pasojë se u bënë dirigjentë të krimit të organizuar dhe të tjerë, të hirit dhe të konopit me të cilët ishin të gatshëm të bashkëpunonin më parë për marrje të pushtetit.

Dëshira e tyre shkoi në vesh të  Zotit (Gjykatës Speciale) e cila e thirri, në cilësinë e të dyshuarit për intervistim, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili, duket të jetë i parapaguar te të gjitha gjykatat për krime lufte, si klient i pashmangshëm, që nga Tribunali i Hagës, gjykatat hibride të UNMIK-ut (e përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe atyre të Serbisë ), gjykatat e EULESH-it, që e bënë punën, jo lesh por krejt m.t, nga gjykatat e Serbisë dhe, më e reja nga Gjykata Speciale.

Ramush Haradinaj e bëri një veprim të admirueshëm shtetërorë dhe moral duke dhënë menjëherë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe duke shkuar në Hagë si person apo individ privat në mënyrë që Kosovën mos ta ngatërrojë në këtë prostitucion të drejtësisë.

Tash, reagimet ishin se Ramushi dezertoi dhe se nuk ka pasur nevojë të dorëhiqet sepse këtë nuk e bëri askush deri më tani!

Ta shohim anën tjetër ; po të kishte shkuar Ramushi në Hagë si kryeminister i Kosovës, do të sulmohej nga po këta partizanë kujdestarë se, vetëm për ta ruajtur pushtetin, nuk ka pranuar të dorëhiqet nga posti dhe, në këtë mënyrë po e ngatërron edhe shtetin e Kosovës, përmes postit më të lartë ekzekutiv, në krime të luftës.

Tash po thonë se Ramushi, nga kjo dorëheqje dëshiron të përfitojë politikisht ! E pse të mos të ketë të drejtë të përfitojë politiksht kur ka investuar aq shumë (dorëheqja nga posti) ndërsa të tjerët, pa e bërë edhe investimin më të vogël në shërbim të vendit dhe popullit duan ta marrin pushtetin e që është edhe më keq, angazhimin e tyre të mëparshëm kundër popullit dhe vendit, duan ta materializojnë me marrje të pushtetit.

Historia e Kosovës dhe shqiptarëve nuk ka filluar në vitin 1989 por shumë më heret. Nëse asgjë nuk ka bërë gjatë këtij mandati të përgjysmuar të Ramush Haradinaj, vendosja e taksës 100% për mallra nga Serbia e Vuçiqit dhe Bosnja e Dodigut, ia lanë të gjitha të tjerat sepse ka penguar ndarjen e Kosovës.

Realisht , i biri i Fahriut dhe Shimi patën prerë rroba për nënshkrim të marrëveshjes “ historike “ dhe detyruese në Garden Roses, në oborrin e marrë me qera nga Trampi për 4 vite sikur që mendonin se ku do të shpenzonin paratë nga Çmimi Nobel pëe Paqe e që e llogarisnin si punë të kryer.

Përsëri Shimi dhe Ujku, me nënën Rea Mogerini. Këto matematika ua prishi Ramushi me një ekuacion të thjeshtë  dhe pa një asnjë të panjohur ; nuk ka marrëveshje që rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës. Disa veprime që merren në kohë të duhur dhe që bartin shumë rreziqe, e vulosin historinë dhe ardhmërinë.

Taksa 100% e Ramush Haradinaj është dhe do të mbetet vulë e përjetshme e përpjekjeve për kthim të krenarisë shtetërore dhe kombëtare.

Pashmangshëm se ky veprim i siguron rritje të votave për Ramushin dhe partinë që e drejton.

Ramushi e ka luajtur potezin e duhur, në kohën e duhur që do të duhej të bënte çdo politikan që është pjesë e garës politike!

Dikush po e përdorë bashkimin kombëtar për qëllime politike, dikush po ia bashkon Tërrnovcin e Madh, me 35 xhamia Kosovës, gjithashtu për qëllime politike.

Të tjerët po kërkojnë vota nga Varri kurse disa të tjerë gjithashtu po kërkojnë vota nga varri ku është varrosur “ Heroi i Kosovës “, Pablo Eskobari.

Dikush po kërkon vota nga dezertorët apo nga ata që e luftuan UÇK-në përmes një formacioni që bënte shtatë palë qejfe larg fronteve të luftës kurse të tjerët presin vota nga një maskarallëk siç janë veteranët e rrejshëm.

Po e shihni që votat po kërkohen nga ata, që në situata normale dhe në një vend normal edhe po të votojnë për juve nuk duhet t’i pranoni ato vota por, në kohën e ndryshkut moral dhe antivlerave askush nuk po kërkon vota duke u thirrur në dy abetaret e lirisë dhe pavarësisë si dhe bashkimit kombëtar ; të papërsëritshmit Bacë Adem Demaçi dhe Legjendarit Adem Jashari.

Të gjithë kryeministra, të gjithë të parët, asnjëri ministër apo i dyti : LDK po thotë se i fiton zgjedhjet e që ashtu e thonë edhe LVV, PDK, AAK, NISMA, AKR, Alternativa për Gjakovën, Lëmshi Euroatlantik dhe fatosët dhe pioneret e Kaçusha Jasharit.

Nëse më pyetni se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve, përgjigjen e keni të sigurt, të gjitha partitë që do të garojnë . Nëse më pyesni se cili do të jetë subjekti i dytë në këtë zgjedhje, do të më zëni ngusht sepse nuk do të keni përgjigje.

LDK, si fituese e zgjedhjeve nuk e lëshon postin e kryeministrit me asnjë çmim. Edhe më parë thoshte kështu në kohën kur kryeministrin e merrnin si dhuratë të Trojës për gatishmëri për bashkëpunim për “ interes të shtetit dhe marrje të pushtetit “. 

LVV, edhe  po  të ishin gjallë Hasan Prishtina, Ahmet Zogu, Ismail Qemali, Mehmet Shehu por edhe pse janë gjallë Edi Rama dhe Fatos Nano, postin e kryeministrit e ka vetëm për Albin Kurtin e që, për shkak të rrethanave aktuale politike vendore dhe ndërkombëtare paraqet sfidë sa edhe restaurimi i Trojës të cilën ende nuk e zbuluan.

PDK nuk ka më objekte për të lëshuar me qera prandaj kryeministrin e ka rezervuar për Kadri Veselin . Bëhet, pse jo . Edhe unë mund të bëhem Ajatollah i Iranit, Behxhet Shab el Bajgora.

Ramushin nuk ka bir apo bijë nëne në AAK që ka guxim t’ia tregojë se e duan postin e kryeministrit, qoftë edhe në ëndërr. Këta të NISMËS po thonë se nuk e dini se çka do të thotë posti i kryeministrit pa u bërë Fatmir Limaj kryeminister.

Behgjet Pacolli e ka përkrahjen e plotë dhe të pakundërshtueshme të tërë anëtarësisë së AKR-së ( tre anëtarë ) për kryeminstër.

Alenca për Kosovën alias Aleanca për Gjakovën është në pozitën më të mirë dhe më të favorshme ; nga gjithsej dy anëtarë që i ka, Ilir Dedja dhe Mimoza Kusari, që të dy janë kandidatë seriozë për kryeministër të Kosovës!

Shpendkeqi nga PSD, po i var shpresat -  topet në një qeveri politeknike. Vetëm në atë mënyrë i arrinë majat. Në atë mënyrë edhe Albini e pati promovuar, nga rrethi i tetë i FER-it, në parajsë të LVV.

Për mua mbetet i panjohur fakti e që mund të jetë vendimtar në planin global dhe kombëtar nëse Danush Ademi është kandiduar për kryeminster të Kosovës.

Nëse Danushi, me tërë bagazhin politik dhe profesional që e ka, kandidohet për kryeminstër, këta të tjerët mund dhe do t’i bien fyellit e disa edhe kavallit.

Me Albinin kryeminstër ka gjasë që disa t’i bien pianos në Kollegium Kantorum në Dubravë apo BSL në Gërdoc.

Të gjithë për zgjedhje, askush nuk i do zgjedhjet :  Të gjithë u entusiasmuan për këto zgjedhje të parakohshme . LDK llogarit se 100% do të jetë fituese.

Edhe mund të jetë. Jo pse ka punuar mirë por se të tjerët kanë punuar keq. LDK nuk është as parti unike e më së paku vendimmarrëse. LDK në Kuvendin e fundit është përçarë brenda kurse ambalazhimin e jashtëm e ka si të ishte krejtësisht e bashkuar.

Në Kuvendin e fundit të LDK-së i integruan edhe pjesa e krimit të organizuar për çka akuzonte subjektet tjera politike.

Tash, LDK është e ngjashme me partitë tjera. LDK nuk arriti ta nxjerrë një udhëheqje vendimmarrëse dhe vepruese por se po e mbanë udhëheqjen me viagra dhe stimulues të tjerë politikë, me afat të skaduar.

LVV po thotë se do të fitojë zgjedhjet dhe se për këtë nuk e ka asnjë dyshim. Po të ishte e pandarë edhe mund t’i fitonte zgjedhjet, kështu e ndarë dhe e udhëhequr nga Akademia e Pleqve të Mençur të LPK-së, e ka vështirë të fitojë zgjedhjet prandaj po shtrihet në shtratin e LDK-së, për kursin e Kasutras politike.

Me LDK-në e kanë një joshje sistematike, tundim të çastit për formim të koalicionit por se kjo dashuri midis dy partnerëve që kurrë nuk janë dashur kanë mungesë të theksuar pasioni. Nuk kanë fare pasion . Nuk funksionon fare kimia midis LVV dhe LDK-së përveç gazit lotsjellës.

PDK pati rënë fort dhe u gjet në situatë që askush nuk e do, madje as edhe për një përdorim të vetëm. Prandaj është detyruar të shkojë e vetme në zgjedhje e që besoj se do të jetë më e mirë për këndellje politike apo të marrë dëshmin për vdekje definitive, si subjekt politik.

Për faktin se PDK po insiston në zgjedhje të parakohshme tregon se e kanë një siguri ndryshe, me të gjitha mjetet e lejuara (Hashim Thaçin) dhe të gjitha mjetet e palejuara ( Hashim Thaçin ) do t’i pengonte zgjedhjet e parakohshme . Dhe sigurisht se do t’ia dilte të pengojë këto zgjedhje.

AAK nuk e besoj se do të fitojë këto zgjedhje por jam i sigurt se do të fluturojë shumë lart, më lart se çdo herë tjetër.

Jam i sigurt se do të kemi shpërndarje të madhe të votave dhe se dallimi midis të parit dhe të parit ( nuk ka parti të dytë ) do të jetë e ngushtë. Koalicionet parazgjedhore të subjekteve të mëdha do ta dhunojnë demokracinë, koalicionet e partive të vogla i japin sharm demokracisë.

Askujt nuk do t’i dalin llogaritë ashtu si  u thotë kalkulatori i tyre, do të ketë shumë zhgënjime. Por, diçka jam i sigurt ; kushdo që fiton në këto zgjedhje, ndryshimet dhe përparimet do të jenë të papërfillshme.

Personalisht do ta përkrah çdo qeveri, çdo parti, çdo koalicion që do të vendos rend dhe rregull edhe nëse nuk pajtohem e ata. Të shohim më vonë si do të zhvillohen ngjarjet e pastaj vazhdojmë.

Me këtë ia dëshmova mikut tim se nuk kam mungesë guximi, se jam trim ndonëse thuhet, me të drejtë se nuk ka trima të mençur por vetëm trim budalla!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)