19 Prill 2024

Syneta e Hashim Thaçit përmes korrigjimit të kufijve më Serbinë

Shkruar nga  Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Larg syve, larg zemrës: Njeriu duhet të mësohet edhe me humbjen e atyre që i ka dashur dikur shumë dhe se nuk ka hidhërim të përjetshëm.

Jeta vazhdon dhe kujtimet mbesin. Dashuri të përjetshme nuk ka, vetëm interesi është i përjetshëm.

Më duhet ta pranoj se kohëve të fundit po ndjehem shumë i shqetësuar sepse “Shkëlqesia e Tij“, Presidenti i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi më ka margjinalizuar aq shumë saqë edhe gjumin ma ka çrregulluar e mos të flasim për ëndrrat.

Njeriu, pas humbjes së madhe, nëse arrinë t’i ruaj mendët në kokë, e vlerëson nëse vazhdimi i jetës ka kuptim, në rrethana të reja apo ....apo ?!

E sheh me kend të ka zëvendësuar ai që, tash të ka flakur nga jeta dhe kujtimi, motivi pse e ka bërë këtë dhe pasojat apo përfitimet për kombin apo shtetin.

Dhe nëse del se e mira e përgjithshme identifikohet me të zgjedhurin e ri,  jo se nuk keni arsye të bëheni nervoz apo t’u mbetet hatri por se duhet të pranoni si përparësi duke e shndërruar në ngushëllim.

Publikisht po e them se kurrë nuk do t’ia falja Hashimit“tradhëtinë” duke më zëvendësuar me të tjerët, cilido qoftë ai kurse, në rastin konkret, pasi më zëvendësoi me Aleksandër Vuçiqin, falë i qofshin djathi i Shumadisë dhe përkthyesja e Daçiqit.

 E di unë sikur që e dini edhe ju, lexues të nderuar se Hashimi këtë e ka bërë, kurrsesi për shkaqe personale, përfitime materiale apo motive tjera por, pa asnjë dyshim e ka bërë për kombin dhe shtetin.

Për cilin komb e cilin shtet ende nuk e kam të qartë, e shohim më vonë! Çka mund t’i ofroj unë Hashimit krahasuar me Vuçiqin ?!

Asgjë dhe hiçgjë ! Po e shihni sa dorëlirë është Vuçiqi, pa një, pa dy po ia dhuron Hashimit Luginën e Preshevës përmes korigjimit të kufijve.

Edhe Hashimi është i zgjuar, shumë i zgjuar, jashtëzakonisht i zgjuar ! Ka mundur t’ia marr Vuçiqit , kur të ketë dashur Luginën e Preshevës dhe ta zhveshte Aca Ujkun nga çdo ndikim në Serbi por e zgjodhi rrugën  e duhur, edhe po e merr Luginën e Preshevës , edhe po e ruan Vuçiqin !

Kjo është politikë dhe jo ajo që po e bëjë unë që po llomotis për rrezikun e humbjes së territorit të Kosovës  përmes“korigjimit të kufijve“.

Kadria e ka vërejtur këtë injorancën tonë që po e hapim çështjen e kufijve prandaj, me të drejtë po na quan se jemi serbë dhe rusë.

Në këtë kontekst po del se serbi dhe rusi më i madh në Kosovë jam unë, madje më serb se Shesheli (ai është melez nacional) apo Putini (ai është rus origjinal).

Deri më tani, përveç Hashimit,  asnjeri në Kosovë, kurrë nuk i ka përmedur kufijtë. Të gjithë kanë dalë në mbrojtje të kufijve dhe njëri më ka bërë shumë përshtypje dhe që i besoj shumë, si mbrojtës i pakompromis i kufirit (cilit, nuk e kam ende të qartë) është Begja, Pacolli që nuk la vend të botës pa shkelur në mbrojtje të intereseve personale dhe biznesit që e ka, dikush po thotë (unë nuk e them) së bashku me Hashimin.

Shteti i Kosovës i përkrahë, me të gjitha mundësitë që i ka, por edhe që nuk i ka, qytetarët e saj që janë ambiciozë dhe që e përfaqësojnë Kosovën në mbarë botën qoftë edhe për qëllime personale prandaj Behgjetit të Pacollëve ia ka ndarë një rrogë modeste prej disa mijëra eurosh, i ka siguruar mbështetje logjistike dhe nuk i ka vënë vija ku mund të shkojë dhe ku nuk mund të shkojë, ia mbulon të gjitha faturat, e ka kartelën grithëse bankare me të cilën gjithmonë fiton sikur që ka mundësi të pijë çvepsa, sa të dojë dhe kur të dojë. Kur është puna te shvepsi, gjithmonë në kujtohet halla Mihri që kur vinte mysafire te ne gjithmonë kërkonte të pijë ç(sh)veps.

Merreni me mend të jetonte vetën edhe pak dhe të takohej me Pacollin, çvepsi do të rridhte ujë. E dëgjova mbrëmë një intervistë të Blendit (partneri i Batonit) me Hashimin, me shumë kujdes dhe me kapacitetin  intelektual, profesional dhe politik që e kam dhe e pranoj se në këtë drejtim jam shumë leshko (injorant fare) dhe mbeta pa mend!

Nuk është humbje e madhe mungesa e mendve, te ne është përparësi sidomos nëse mendon të ndërtosh një karrierë politike apo intelektuale.

Aq ishte i bindur Hashimi se e ka në dorë Luginën e Preshevës dhe gati e rrahu Blendin kur kërkonte fakte shtesë që e mbështet këtë siguri saqë mbeti vetëm të caktohej data dhe dita kur do të prehej shiriti i inagurimit të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Më çuditi që Hashimi nuk e bëri publik faktin se për prefekt të Preshevës e ka emëruar Valon Muratin, të Bujanovcit Avni Klinakun dhe të Medvegjës Gani Jasharin.

Nuk ka kuptim që territorin mos ta mbuloni me liderë të duhur. Edhe në një intervistë që Kadria e pati te Batoni (Batoni është i hapur për të gjithë e sidomos për tereqët e politikës ), kur ai i foli diçka për Mitrovicën, Kadria gati sa nuk e nokautoi.

Edhe ashtu Batoni, i shtrembëruar si Kulla e Pizës në Itali (nuk e di nëse e ka shkaku i boshtit kurrizor apo për shkak të ushtrimeve për ta mbajtur trupin fit) ishte thuaja i shtrirë. Mjaftonte, jo një grusht i Kadrisë por lëshim ajri i intensitetit të ultë dhe të pa zë e që Batoni të shtrihej si Bar Rafaeli para Leonardo di Kaprios.

Po të isha në vend të Kadrisë, atë intervistë te Batoni do ta shlyeja nga të gjitha arkivat dhe aspak nuk më habitë një këshilltar i Kadrisë kur tha se kjo ishte intervista më e mirë e të gjitha kohërave e Kadrisë.

Jeta dhe ngjarjet më kanë disiplinuar që të mos reagojë ashtu siç e meriton naj kastravec, i veshur me rroba të këshilltarit politik, plus edhe i kollarisur !

Në atë intervistë Kadria më ka prekë shumë duke ma ngatërruar të kaluarën time kombëtare dhe patriotike, Hashimi do me i korrigjuar kufjtë, mua më konsideron serb dhe rus.

Mua, që e kam prejardhjen nga Shala e Bajgorës përkatësisht nga fshati Kovaçiqë, trashigimi fisnore (por jo edhe nga trimëria) e Ukshin Kovaçicës, nga ana e babait, kurse stërnip i Cen Maxhunit dhe menxhiqëve,  nga ana e nënës.

Thuhet se nga beteri del Skenderi kurse nga Skenderi del beteri. Në rastin konkret, prejardhjen e kam nga dy skenderë dhe asnjeri beter dhe fort m’u ka prekur sed(t)ra patriotike.

Plus, jam rritur në një oborr me Rada Trajkoviqin që po del të jetë më patriote se shumë politikaj kosovarë, këngën ;“druzhe Tito, mi ti se kunemo e kam ditur përmendsh“. E kam dëgjuar me pasion këngën patriotike:“Fadil Hoxha në kali të bardhë ...”.

E pata shkruar një ese ekselent për patriotët e mëdhenj Ali Shukria, Sinan Hasani, Kol Shiroka etj. Pata bashkëpunuar ngusht me ish të burgosurin politikë Azem Vllasin.

I kam lexuar të gjitha veprat e Vetonit. Dhe shumë të tjera që për shkak se jam prekur nga arteriskleroza dhe harresa e që do ta mbushnin kornizëm time puro patriotike nuk po jem në gjendje t’i shkruaj.

Pas të gjitha këtyre fakteve e shkuar fakteve, të dyshojë dikush në patriotizmin tim, është mëkat, është blasfemi.

Edhe në kohën kur nuk ma mori Aca Hashimin, Hashimi disi më pati futur në mesin e atyre që kanë deficit patriotik (nuk kam dëgjuar asgjë më gjeniale deri sot) e tash Kadria po më bënë kushëri me Vulinin dhe Çernomirdinin.

Më në fund edhe Hashimi e mori hundëve, Aca as që ia vari në Bruksel. Mbeti Hashimi, pa dy, një ish mik dhe një mik të sotit, Pa Bexhën dhe pa Acën.

Njëri më tha, as që brengoset për juve, ty (Bexhën) e zëvendëson me Begjën (Pacollin) kurse Acën e zëvendëson me Baton ! Ka logjikë këtu, shumë logjikë!

Diplomacia e sulmuar, shtetësia e dhunuar: Të jem i drejtë, i tillë do të duhej të jem, që nga koha e Haxhi Kudrës, Kosova kurrë nuk ka pasur diplomat më të zotin se Begjet Pacollin.

Disa informata për personalitetein e Haxhi Kudrës në mënyrë që lexuesit ta kenë më të qartë krahasimin dhe rolin e këtyre dy personaliteteve shqiptare dhe kosovare në misionin diplomatik në të kaluarën dhe sot.

Haxhi Haxhiu, me nofkën përkëdhelëse Haxhi Kudra ka qenë diplomat i shekullit të kaluar e që nuk ka lënë vend pa shkelur në Ish Jugosllavi dhe ish Serbi  duke filluar nga stacionet policore, komitete komunale, krahinore, republikane dhe federative pa shkuar dhe pa dërguar informatat e nevojshme për shqiptarët që jo se flisnin por edhe pse ëndrronin kundër Jugosllavisë dhe Serbisë.

Sipas emrit, del të jetë i gjinisë mashkullore dhe mund të quhej Haxhi Qeni por filozofia e popullit është mbi filozofin e Kantit, Hegelit, Platonit dhe të tjerëve prandaj e quajtën Haxhi Kudra.

Kudra është më besnike se qeni prandaj Haxhia, si besnik i Serbisë dhe Jugosllavisë e meriton këtë mbiemër. Ua luante bishtin të gjithëve prandaj edhe quhej Haxhi Kudra.

Kur pas një raportimi në UDB-në në Nish, piu shlivovicë më shumë, policët i aplaudonin pasi e luante vallen serbe me fjalët :” Igraj (vallëzo) kudro“. Shqiptarët e Llapit posa e shihnin thonin, mos folni se erdhi Haxhi Kudra.

Kurrë nuk e dërgonte vetëm një informatë te UDB serbe por i pillte shumë informata sikur që e bënë këtë Kudra që pjellë shumë këlyshë. Haxhi Kudra i përket së kaluarës.

Sot, diplomacia kosovare e ka njeriun e duhur, në vend të duhur, Begjet Pacollin. Nuk ka lënë vend pa shkelur në botë, Amerikë, Afrikë, Azi, Europë, Oqeani e ku jo. Vetëm për Kosovën dhe çështjen kosovare.

Nuk ka mbetur vend pa e njohur Kosovën ! Jo për shkak të Begjet Pacollit por për shkak të b..thëve të Rita Orës.

Më shumë kanë prodhuar njohje për Kosovën dhe rreth Kosovës sutjenet e Rita Orës dhe brektë e Dua Lipës se Begjet Pacolli me krejt stafin diplomatikë, ambasadorë dhe ambasadore, konsuj dhe sekretarë, etj., etj.

Kjo ishte në të kaluarën, deri para një muaji kur situata në fushën diplomatike ndryshoi rrënjësisht dhe në të mirë të Pacollit.

Kjo ndodhi me emërimin e dy ambasadorëve me përvojë të gjatë diplomatike dhe suksese të jashtëzakonshme në të gjitha sferat ku nuk kanë punuar dhe ku nuk kanë vepruar.

Ata janë: Gjergj Dedaj, një ekzemblar i hiçit  dhe jovlerës dhe Avni Kastrati , i kastruar nga çdo sukses, kudo që u angazhua në politikë! Kjo është diplomacia kosovare ose, ta parafrazoj një thënie të jugonostalgjikëve:“Edhe pas Titos – Tito“,“Edhe pas Haxhi Kudrës, Haxhi Kudra“!

Protestat kundër Gjarprit: U mbajtën për herë të tretë protestat që kërkonin rrëzimin e Lekë Lumezit, Vetingun për gjyqësorin kosovar, pastrimin e listave për veteranët e Bllacës dhe këto kërkesa u fisnikëruan me kërkesën kundër Hashim Garprit dhe modelimit të kufijve të Kosovës.

Këto protesta, sipas meje, me këtë format, me këtë përbërje dhe të caktuara të mbahen një herë në javë nuk mund të jenë të suksesshme.

 Numri i protestuesve është larg masës kritike kërcënuese e të nevojshme për arritje të qëllimit.

Ata që po marrin pjesë në protestë  janë recidivistë thuaja të të gjitha protestave e që nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Krerët e protestës, përjashtuar disa rasteve nuk janë aspak më të uritur për pushtet se këta që janë në pushtet.

Nuk është e ndershme të kërkoni Veting për një kategori kur në mesin e protestueve keni milionerë që kanë bërë miliona me ndihmën e atyre që tani duan t’i rrëzojnë.

As në treg me shumicë e sidomos me pakicë kurrë lëkura e Qenit nuk ka qenë më e vlefshme se Lëkuar e Gjarprit.

Për ta zhveshur Gjarprin nga lëkura (pushteti) duhet të ketë protesta të përditshme me  së paku 50,000 protestues. Këta që po i bëjnë këto protesta nuk mund ta bëjnë këtë prandaj, më së shumti që mund të fitojnë do të jetë Lëkura e Qenit.

Gjarpri do të mbetet pa lëkurë vetëm në fund të procesit ku detyrohet ta luaj Vallen e  Gjarprit.

Partitë politike nuk mund të merren vesh si do ta ndajnë pushtetin në rast se me protesta e marrin pushtetin e që gjasat janë të vogla. Isa ose të dhjetë (10) së paku kryetarët e LDK-së, nuk ia japin postin e kryeministrit Albinit, kurse Albini kurrë nuk do të pranojë post tjetër.

Tash e kanë edhe një kandidat shumë serioz për postin e kryeministrit, udhëheqësin e protestës Lumez ik ! Ai është analisti shembullor, vizionari legjendar dhe sakrifikuesi i makiatos, Imer Mushkolaj.

Ekipi negociator: Deri më tani kishim një ekip negociator, Hashim Thaçin me çetën e patericave.

Hashimi fliste dhe vazhdon të flasë në emër të tyre, ata e kanë për detyrë t’i lëpijnë fjalët dhe jo vetëm fjalët e Hashimit për një grusht eurosh, për një verë Chianti, për një pjatë kallamari dhe për 4-5 lugë pastë kallakari.

Kur Hashimit i erdhi veza te ..dalja emergjente, e formoi një ekip negociator të qeverisë, të hurit dhe të konopit.

Pozita, në mungesë të sensit politik e penguan votimin e këtij grupi negociator, në vend se ta përkrahin dhe ta nënshkruajnë Rezolutën e propozuar nga opozita.

Çka ka të keqe dhe të dëmshme nëse e nënshkruani Rezolutën që nuk lejon bisedime për kufijtë dhe tokën e Kosovës pavarësisht kush është në krye të këtyre bisedimeve.

Qoftë ai të jetë edhe Hashim Thaçi apo Begjet Pacolli, figura të ndritshme të popullit shqiptar! Votimin për ekipin negociator në Kuvend nuk e ka dëshiruar Hashimi sepse ka dashur të shkojë vetëm në takim me Vuçiqin.

Një lojë e pistë po luhet në këtë mes. As opozita nuk është ajo që e mbronë Kosovën. Po të ishin të tillë do të bashkëpunonin me pozitën duke e dërguar Listën Serbe në pension. Kështu, edhe pozita, edhe opozita është e varur nga Lista serbe e Vuçiqit. Ky është mjerimi i Kosovës.

Ekipi negociator i propozuar nga qeveria është ekip i hurit dhe konopit. Fatmir Limaj po llogaritet si kundërshtar i Hashimit por kur nuk do të propozohej në këtë post pa pëlqimin e Hashimit.

Nëse  Fatmiri do të luftojë me parime kundër Thaçit, pa dëshirën e Thaçit, do të mbetet pa koçe. Enver Hoxhaj, çka kërkon ky njeri në këto bisedime dhe kush i beson kur asnjëherë nuk i kanë besuar.

Kjo vegjetë politike me afat të skaduar dhe pjesë e të gjitha gjellërave të ziera në dhe për Kosovën nga të cilat edhe sot po na shkonë barku.

Kend e përfaqëson Dardan Gashi dhe kush po luan koçe me qytetarët e Kosovës duke ricikluar hiçgjë për gjthçka !

Begjet Pacolli, fort ia ndien për Kosovën për t’u caktuar pjesë e Ekipit Negociator. Gjëja e fundit për të cilën i bie ndërmend Begjet Pacollit është Kosova.

Kjo është tragjedia e Kosovës dhe mallkimi për qytetarëte saj që ata që kanë punuar kundër Kosovës, sot duan të vendosin për fatin e saj.

Mahir Jagxhillari. Edhe i dehuri 99.99% nuk do ta propozonte për anëtar të Ekipit Negociator. Avni Arifi, në këtë mes është si dele në mesin e ujqëve.

 Pa dyshim se do ta shqyejnë disa hijena të këtij ne Ekipi Negociator sikur që e kanë shqyer Kosovën më parë, që nga Rankoviqi, krimineli Tito e deri te“humanisti“Millosheviqi, baba politik i Aleksandar Vuçiqit. !

Të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm jeni. E keni gjuhën, kulturën, besimin, i keni varret, i keni dëshmorët, i keni martirët, e keni gjakun e derdhur, i keni të zhdukurit, të dhunuarat ,e keni historinë.

Ata dhe vetëm ata flasin për Kosovën, ata kanë mandat. Ju nuk keni mandat të flisni kundër tyre.

Në ekipin negociator ka të tillë që e bënë luftën por ka edhe të tillë që e luftuan luftën. Mbrojeni ate që e keni, mos kërkoni ate që nuk mund ta keni! Kaq!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)