09 Gusht 2020

Sundimi i Ligjit

Shkruar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi , Initiative for Justice and Equality – INJECT

Sundimi i ligjit ka një histori të gjatë në aspiratat e popujve të shtypur kudo. Shoqëritë në zhvillim kërkojnë të vendosin sundimin e ligjit, ndërsa shoqëritë e rregulluara mirë kërkojnë ta ruajnë atë.

Kjo e bën sundimin e ligjit një vlerë universale. Lufta për liri zakonisht fillon për të kufizuar diskrecionin e atyre që janë në pushtet, duke kërkuar hartimin e ligjeve të cilat i kufizojnë  të gjithë pjesëtarët e një shoqërie në mënyrë të njejtë.

Sundimi i ligjit është një sistem që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Të gjithë anëtarët e një shoqërie të bazuar në sundimin e ligjit kanë qasje të barabartë në mbrojtjen e tij dhe po ashtu janë njejtë të detyruar që ta respektojnë atë.

Ajo çka e bën një shoqëri të bazuar në sundimin e ligjit të veçantë, është fakti se në atë vend nuk ka aristokratë, të cilët mund të mendojnë se janë imun ndaj ligjit dhe nuk ka klasë elitare, të cilët pretendojnë se janë mbi ligjin.

Konflikti midis teorisë "de fakto" të ligjit, si instrument i fuqisë, dhe konceptimit "de jure", si produkt i arsyes dhe drejtësisë, ka qenë forca shtytëse e modernitetit juridik dhe zhvillimi i kushtetutës në të gjithë botën.

Në këtë kuptim sundimi i ligjit është një sistem që i mbron të drejtat e qytetarëve nga përdorimi abuziv i pushtetit qeverisës.

Betejë e cila zhvillohet kundër qeverive arbitrare pothuasje në çdo shoqëri njerëzore, kur pushtetarët kërkojnë të zgjerojnë diskrecionin dhe kontrollin e tyre, gjersa shoqëria e atij vendi reziston.

Pra, sundimi i ligjit është një mjet që shërben për kufizimin e qeverisë duke promovuar liritë e qytetarëve dhe duke vendosur rendin në një vend.

Parim bazë për sundimin e ligjit është paanshmëria ku të gjitha ligjet vlejnë për të gjithë, përfshirë edhe zyrtarët qeveritarë, ngase askush nuk është mbi ligjin. Këtu qëndron edhe besnikëria ndaj idealit filozofik që kërkon se shoqëria duhet të kontrollohet nga ligjet dhe jo nga njerëzit.

Korniza institucionale, kushtetuta e një vendi dhe krijimi i një qeverie e cila ushtron përgjegjësitë e saja për të mbrojtur interesat e qytetarëve është pasqyrë e promovimit të sundimit të ligjit.

Që përparimi të arrihet duhet një qeveri e fokusuar, e ndershme, efikase, që respekton ligjin, e cila do të përqendrohet në rritjen ekonomike dhe në sundimin e ligjit. Në një qeveri të tillë nuk ka vend për individë, për të cilët ka dyshime se e kanë shkelur ligjin.

Kosova është në një fazë të hershme në zbatimin e acquis communitare (tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha Shtetet anëtare të Bashkimin Europian) dhe standardeve evropiane. Megjithëse ka pasur disa përparime, sidoqoftë, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet çështje shqetësuese.

Miratimi i ligjeve që janë të rëndësishme për funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit shënuan një hap të rëndësishëm përpara, mirëpo këto tani kërkojnë zbatim korrekt.

Sipas vlerësimit të Raportit për Kosovën të vitit 2019 të Komisionit Europian, sa i përket të drejtave themelore, zbatimi i ligjeve dhe strategjive përkatëse vazhdon të minohet si pasojë e burimeve jo adekutate financiare, mungesës së prioriteteve apo koordinimit politik.

Sundimi i Ligjit si mënyrë e përdorimit formal të instrumenteve ligjore në Kosovë ka pasur ngecje në vazhdimësi ngase llogaridhënia, transparenca, përgjegjësia e organeve drejtuese qeveritare, ligjëvënëse dhe gjyqësore nuk ka qenë  në nivel të duhur.

Sipas vlerësimeve nga analiza e realizuar në Korrik 2019 nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij funksionin mbi mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, e kanë përmbushur në shkallë minimale.

Raportet dhe rekomandimet nga mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve që miratohen në Kuvend nuk e kanë marrë vëmendjen dhe as trajtimin e duhur, madje as komisionet parlamentare kësaj përgjegjësie nuk i kanë dhënë prioritet dhe as resurset e duhura.

Nga të gjeturat e monitorimit të realizuar nga BIRN dhe Lëvizja FOL në Janar 2020, është vlerësuar efikasiteti në trajtimin e ankesave disiplinore të iniciuara ndaj gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave në Republikën e Kosovës përgjatë periudhës 4 mujore, 1 korrik deri më 1 nëntor 2019.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte pranuar gjithsej 29 njoftime për inicim të procedurës, mirëpo ky numër nuk mund të verifikohet nga përgjigjet e gjykatave sepse disa prej tyre nuk kishin ofruar të dhëna.

Nga këto 21 ankesa janë cilësuar si të pabazuara dhe janë refuzuar, ndërsa në dy raste KGjK, sipas detyrës zyrtare, ka pezulluar gjyqtarët nga puna.

Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë periudhës 1 korrik deri më 30 nëntor, ka pranuar gjithsej 4 ankesa disiplinore. Në tri raste, ankesat janë dërguar tek Autoriteti Kompetent, ndërsa një rast është referuar te Prokurori i Shtetit.

Për asnjërin nga këto raste nuk është kërkuar inicimi i procedurës disiplinore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve ka lënë pa adresë palët që duan të ankohen ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës. Këtu vlerësohet se ka shumë vonesa dhe mangësi në trajtimin e rasteve disiplinore.

Ekziston mundësia që "Sundimi i Ligjit", të mund të rrezikohet nga organi ligjvënës, për aq sa ky i fundit ka fuqinë të kufizojë fushën e juridiksionit të gjyqësorit, dhe mund të rrezikohet nga politizimi i tyre.

Kërcënimet, intervenimet dhe korrupsioni mund të ndryshojnë rrjedhën e një gjykimi dhe të ndalojnë zbatimin e drejtë të tij. Mungesa e sigurisë dhe kujdesit për viktimat, posaqërisht ato të dhunës në familje dhe të dëshmitarëve është gjithashtu kritike. 

Por, shikuar nga ana tjetër e monedhës, ekzistojnë mundësi për një vend që të fuqizojë organet dhe të krijojë institucione të fuqishme dhe të pavarura, të cilat respektohen nga të gjithë.

Për këtë nevojitet një reform e cila do të sigurojë pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe të kontrollojë performancën në bazë të ligjshmërisë së aktgjykimeve.

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes ngritjes së llogaridhënies” të organizatës Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi -INJECT
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Gusht 2020

- Qendra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës organizon Tubimin e parë interaktiv virtual me Kryeministrin e katërt të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe rolin që mund të luajnë shqiptaro-amerikanët dhe shqiptaro-kanadezët në zgjedhjet e ardhshme. (Virtualisht në Zoom:  https://bit.ly/LVVShBAAug9, 13:00)