19 Prill 2024

Sulm qëllimkeq ndaj tokës dhe prodhimeve bujqësore të Kosovës

Shkruan Dr. sc. Ilir Morina

Publikimi i një raporti për tokën bujqësore në Kosovë muajin e kaluar në emër të EULUP (ang. European Union Land Use Project- Projekti i BE-së për Përdorimin e Tokës në Kosovë) ka shkaktuar reagime dhe perceptime nga më të ndryshmet. Por, analiza e jonë e detajuar ka detektuar gabime të shumta të hartuesit nismëtar të tij dhe cilësime joprofesionale ndaj tokës bujqësore të vendit tonë.

Ky raport si i këtillë kërkon një përgjigje adekuate nga institucionet tona por edhe ato të Bashkimit Evropian. Nuk duhet lejuar që Kosova, qytetarët  dhe prodhuesit tanë bujqësor të jenë viktimë e raporteve të këtilla qëllimkëqija. Hartuesve të këso lloj raporteve duhet ndalur vrapi i egër menjëherë.

Raporti në fjalë e ka trazuar opinionin publik vendor në mënyrë shumë jo korrekte dhe sidomos ka frikësuar qytetarët e bashkë me ta edhe prodhuesit e Kosovës të sektorit të bujqësisë, blegtorisë dhe prodhimeve të tjera ushqimore, lënda e parë e të cilëve kryesisht varet nga cilësia e tokës dhe ujit të Kosovës të përdorur për prodhimet e tyre ushqimore gjysmë-finale dhe finale.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) gjatë tërë kësaj kohe i ka bërë një lexim dhe studim nga së afërmi dhe të detajuar këtij raporti që nga dita e parë e publikimit. Paralelisht me këtë i ka vëzhguar me shumë vëmendje disa interpretime të njëanshme dhe jo-profesionale nga palë të ndryshme përfshirë edhe disa mjete vendore dhe rajonale të informimit. Gjithashtu për këtë qëllim kemi shfrytëzuar edhe krahasime me analiza te bëra nga ne dhe doktorant tjerë kosovarë dhe të huaj të këtij sektori.

Ne jemi në dijeni të plotë për mënyrën e hartimit të këtij raporti e deri tek publikimi i tij dhe  mënyra se si i është ofruar ai opinionit vendor, atij rajonal dhe evropian e cila është mjaft negative si e tillë.

Është detyrë dhe obligim i AMMK-së dhe të gjithë faktorëve relevant vendor që të japin mendimin dhe vlerësimin, mbi të gjitha profesional, për të bërë sqarimet e nevojshme dhe për të informuar opinionin publik vendor në rend të parë, e pastaj atë rajonal dhe më gjerë, për  gjendjen dhe cilësinë e tokës bujqësore në Kosovë.

Po ashtu, është obligim i yni etik dhe profesional që t’i dalim zot tokës bujqësore të Kosovës, sepse e ardhmja e ekonomisë dhe e shëndetit të qytetarëve tanë varet nga prodhimet vendore, por edhe atyre të importuara në të njëjtën kohë.

Toka bujqësore e Kosovës nuk ka nevojë në asnjë mënyrë për një qasje siç i është bërë asaj nga ky raport jo serioz, jo shkencor dhe tejet i cekët. Hartuesit e tij madje duken edhe qesharak, e në të njëjtën kohë shumë qëllimkeq.

Analiza e ekspertëve të AMMK-së dhe Ministrisë së Mjedisit, thotë se ky raport ka gabimet e veta që kanë të bëjnë me metodologjinë e përdorur, e në të nuk janë respektuar asnjë kriter, përkatësisht asnjë standard gjate procesit të hulumtimit të bërë. Askund në këtë raport nuk ceken metoda dhe materiali i përdorur gjate analizave. Nuk janë respektuar as standardet vendore  e ato të Bashkimit Evropian.

Studimi dhe analiza e jonë ndaj këtij publikimi, i cili nuk është gjë tjetër pos një raport preliminar dhe shumë i mangët, i cili i është shërbyer publikut vendor në emër të EULUP-it na obligon në të njëjtën kohë, t’i themi hapur opinionit vendor, bujqve tanë dhe prodhuesve të tjerë të Kosovës që të mos alarmohen nga konkludimet jashtëzakonisht jo serioze, të hershme dhe të pamatura.

Disa nga gjetjet dhe vlerësimet e ekspertëve tanë për këtë publikim jo serioz e tendencioz thonë se;

a) në këtë raport ka përplot konkludime të cilat bien ndesh me njëra tjetrën. Ky raport është po ashtu në kundërshtim të plotë me të dhënat që disponon AMMK-ja dhe Ministria e Mjedisit për zonat e mundshme të shtrirjes së ndotjes së tokave bujqësore;

b) hartuesit e këtij raporti që në faqen e parë të “përmbledhjes” shpalosin qëllimin final të tij, pasi që kërkojnë që të bindin opinionin vendor, institucionet e Kosovës dhe donatorët evropian dhe ndërkombëtar për një projekt ‘disa-vjeçar’ të analizave. Sikur edhe rekomandime të tjera brenda këtij raporti preliminar, ky rekomandim është  i pavend qysh në renditje; është alarm i pa bazë në fillim të faqeve të para të tij. Ky rekomandim është joserioz dhe tejet tendencioz;

c) interpretimi dhe komentimi i të dhënave të këtij raporti preliminar nga vet hartuesit e tij fillestar ka mungesa të shumta dhe ato nuk janë të argumentuara. Në asnjë komentim të rezultateve të raportit nuk ka argumentim të konkludimeve dhe interpretimeve të kinse rezultateve për ndotjen e tokës bujqësore.

Analiza dhe gjetjet tona për këtë raport nuk ndalen me kaq dhe ato janë të shumta. Ato na bëjnë që të themi me plot bindje se ky raport dhe hartuesit e tij pa asnjë mëshirë paragjykojnë se toka bujqësore e Kosovës është e ndotur. AMMK-ja është në gjendje që të dëshmoj dhe t’i hedhë poshtë ato në çdo moment. 

Analizat dhe hulumtimet, përkatësisht raportet dhe studimet e tjera për gjendjen e tokës bujqësore në vendin tonë duhet që të jenë krejtësisht të plota dhe ato duhet që të bëhen duke respektuar të gjitha rregullat e legjislacionit vendor në fuqi dhe në përputhje të plotë me  kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian, ku qytetarët tanë dhe Kosova janë përcaktuar që të anëtarësohen.

Efekti i këtij raporti joserioz dhe jo profesional tashmë ka filluar që të na trazojë që të gjithë neve. Prodhuesit tanë bujqësor janë të shqetësuar, por edhe blerësit rajonal dhe më gjerë të prodhimeve tona. Ndërkohë  AMMK-ja është motivuar si asnjëherë më parë për një plan aksioni në mbrojtje të imazhit të tokës bujqësore dhe prodhimeve vendore.

AMMK-ja këtyre ditëve është duke e përgatitur një platformë bashkëpunimi për ndërtimin e një strategjie dhe partneriteti me prodhuesit bujqësor e t’i dal zot tokës bujqësore të Kosovës dhe të promovojë cilësinë e saj dhe krejt kjo të shërbej në të mirë të promovimit të cilësisë së prodhimeve tona bujqësore brenda dhe përtej kufinjëve të Kosovës.

Në të njëjtën kohë duhet që të jemi korrekt dhe më largpamës. Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës kërkon një punë më të përpiktë, më të thelluar nga të gjitha aspektet dhe që të gjithë faktorëve vendor, nga institucionet tona qendrore, ato komunale e deri tek prodhuesit tanë bujqësor.

Që nga themelimi, AMMK-ja dhe strukturat e tjera të institucioneve të Kosovës, përkundër vështirësive të të gjitha llojeve dhe nga të gjitha anët e mundshme, kanë punuar dhe janë duke punuar vazhdimisht për krijimin një ambienti sa më të mirë të mundshëm në Kosovë, për krijimin e kushteve për një të ardhme sa më të mirë në mënyrë që prodhimet tona vendore të ushqimit , të të gjitha llojeve, të jenë sa më të mira dhe sa më mirë të plasuara në tregun vendor dhe të jashtëm.
 
Toka, dheu dhe uji i Kosovës janë pasuri i jashtëzakonshme për qytetarin e vendit tonë dhe ato ne duhet menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme  e që ato të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale. Krejt kjo në mënyrë që prodhimet tona ushqimore të jenë sa më cilësore e ndërkohë edhe sa më garuese, përballë vërshimeve të egra të importeve nga të gjitha anët.

Prodhimet tona gjenden përballë një vërshimi nga importet jo-korrekte, të cilat në disa raste nuk respektojnë as standardet e Bashkimit Evropian për konkurrencë korrekte, e nganjëherë madje as në cilësi.

Në të njëjtën kohë. E themi me plotë përgjegjësi se hapësirë për kënaqje nuk ka. Dhe as që duhet të ketë. Ne ende jemi në fazën e përgatitjes së infrastrukturës së plotë ligjore të bazuar në standardet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që sa më mirë dhe në mënyrë sa më dinjitoze të përmirësojmë mjedisin  në Kosovë dhe të ruajmë natyrën, tokën, dheun dhe ujin e Kosovës.

Por pritja e të gjithë infrastrukturës ligjore nuk do të na lë duarkryq në asnjë mënyrë. Toka e Kosovës ka nevojë që të ndihmohet. Dëmet e shkaktuara nga faktori njeri në Kosovë dhe rajon duhet përmirësuar në mënyrë permanente vetëm përmes zbatimit të ligjeve, atyre aktuale në fuqi dhe ligjeve të reja në pritje të bazuara në standardet e BE-së.

Prandaj, qytetarë të nderuar e prodhues bujqësor, në asnjë mënyrë nuk duhet që të vetë-kënaqemi, dhe mbi të gjitha  nuk duhet që të lejojmë të tjerët që të na e njollosin në mënyrë të vrazhdët dhe brutale tokën bujqësore të vendit tonë, siç kanë tentuar hartuesit e raportit në fjalë.

Për të qenë korrekt duhet pranuar se në këtë raport ceken disa vlera të larta të disa përbërësve kimik (Ni. Cr, As etj.) të tokës të cilat janë elemente të ndërlidhura gjeologjikisht dhe jo si rrjedhojë antropogjenë. Ky fakt dëshmon se tokat bujqësore të Kosovës nuk janë të ndotura siç u propagandua.

Çka pas këtij raporti qëllimkeq?

Që të gjithë ne; institucione dhe qytetarë, të gjithë së bashku duhet të punojmë që ta ruajmë në mënyrë maksimale cilësinë e tokës, dheut e ujit të vendit tonë e që të prodhojmë sa më shumë që është e mundur ushqimin për nevojat e tregut të brendshëm dhe të jashtëm.

Ne duhet dhe mund t’i dalim zot tokës sonë bujqësore edhe ndaj këtyre lloj raporteve/publikimeve, siç është ky i fundit në fjalë, i publikuar në emër të EULUP-it dhe me parat e taksapaguesve të BE-së. Duhet që të mos lejojmë manipulime për të vërtetën e tokës sonë bujqësore. Ne duhet që t’i luftojmë këto tendenca të errëta.

Po në të njëjtën kohë, AMMK e fton Komisionin Evropian, Këshillin e Ministrave të BE-së dhe partnerët e tjerë perëndimor dhe ndërkombëtar që së bashku dhe në mënyrë permanente të punojmë në mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit të Kosovës, për përmirësimin e mëtejmë të cilësisë së tokës bujqësore dhe që të ndihmojmë në të gjitha mënyrat legale prodhuesit bujqësor për shtimin e mëtejmë të cilësisë së prodhimeve tona ushqimore.

Gjithashtu  AMMK-ja  nuk do të ngurojë në asnjë mënyrë dhe asnjëherë që të rezistojë dhe madje të demaskojë e luftojë çfarëdo përpjekje manipulimi, të qëllimshëm apo jo të qëllimshëm, që do të mund të kenë për synim të dëmtojnë dhe mbi të gjitha të njollosin djersën e prodhuesve tanë bujqësor të palodhshëm.

Raporti i publikuar në emër të EULUP-it, i është shërbyer në mënyrë plotësisht të gabuar edhe përfaqësuesve perëndimor në Kosovë. Ai si i këtillë nuk i ndihmon synimet dhe përpjekjet tona vendore për rritjen kapaciteteve dhe zgjerimin e mundësive prodhuese të Kosovës në sektorin  bujqësisë dhe blegtorisë.

Megjithatë, nuk duam që të besojmë se ky raport është i qëllimshëm dhe në shërbim të ndonjë përpjekje për të ngulfatur e dëmtuar imazhin e prodhimeve tona ushqimore. Në të kundërtën autoritetet tona do të duhej që të merren në mënyrë serioze për zbardhjen e qëllimeve të errëta eventuale të këtij raporti.

AMMK-ja konsideron se duhet që të bëhen hulumtime për tendencën e  konstatimeve të shumta të cilat bëhen kuturu, në mënyrë krejtësisht të pamatur dhe në mënyrë jo profesionale,  sepse ky raport godet pa mëshirë pjesën më vitale dhe strategjike të ekonomisë sonë.

Rroli i BE-së i nevojshëm në këtë rast: 

Institucionet ligjore të Kosovës por edhe Bashkimi Evropian dhe misioni i tij (EULEX) do të duhej që të jenë të gatshme për zbardhjen e së vërtetës, për këtë raport preliminar dhe aspak  profesional, tendencioz dhe të paskrupullt.

Duhet zbuluar dhe zbardhur deri në fund, në mënyrë ligjore, të vërtetën nëse ky raport ka qëllim të errët ndaj sektorit të bujqësisë në Kosovë dhe të ardhmes së tij.

Në të njëjtën kohë duhet thënë se e vërteta për tokën bujqësore ka nevojë për hulumtime shkencore dhe vëzhgime të detajuara dhe të rregullta. Deri më tash AMMK-ja ka bërë të mundurën në këtë aspekt dhe gjetjet dhe analizat e deritashme tona i kundërshtojnë fuqishëm spekulimet e paskrupullta e të errëta të raportit të publikuar në emër të EULUP-it.

E ardhmja e ekonomisë së Kosovës edhe ashtu ka nevojë që të shpalosen potencialet e tokës së Kosovës,  për të mundur ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe mirëqenien sociale të qytetarëve tanë dhe për të garuar në mënyrë dinjitoze me prodhimet tona të këtij sektori me vendet e rajonit dhe më gjerë ndaj importeve të egra që janë instaluar në Kosovë.

(Autori është Kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës – AMMK)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)