13 Gusht 2020

Shtimi i institucioneve kundër korrupsionit, përpjekje për të mbuluar dështimet

Shkruar nga Organizata ÇOHU!,

Mbivendosja e institucioneve për luftimin e korrupsionit është një qasje që po vazhdon tash e sa kohë nga kjo qeveri. Krijimi i institucioneve e mekanizmave, njërën past tjetres, pa ndonjë kompetencë të qartë, pa një ndarje të qartë të punës, është vetëm duke krijuar konfuzion në luftën kundër korrupsionit.

 

Kjo është një qasje që tashmë është treguar e dështuar dhe krijimi i “Task Force” në mes Qeverisë dhe EULEX-it nuk duket të jetë diçka e re në këtë drejtim.

Në Kosovë mungojnë masat kundër korrupsion e jo institucionet kundërkorrupsion. Kosova ka Agjension kundër korrupsion, Komision ndërministror për luftimin e korrupsionit, Prokurori speciale kundër korrupsionit, Zyrën e auditorit gjeneral, Qendren për intelegjencë finansiare, të gjitha këto institucione që janë krijuar specifikisht për luftimin e korrupsionit. Por, Kosova nuk e ka as edhe një rast të rëndësishëm të proceduar për korrupsion. Të gjitha këto institucione e hedhin përgjegjësinë tek njëra-tjetra dhe asnjëherë nuk është qartësuar pse duhet të shtohen institucionet nëse edhe ato që ekzistojnë nuk janë duke e kryer punën e vet.

Krijimi i institucioneve të reja në njërën anë do të thotë vetëm ngarkesë shtesë për buxhetin edhe ashtu të lodhur, e në anën tjetër do të thotë shtim i konfuzionit rreth asaj se kush ka përgjegjësi për luftimin e korrupsionit. Duket se krijimi i institucioneve të reja është bërë një mënyrë për ta fshehur mungesën e veprimit dhe të vullnetit për të bërë ndryshime fizike në këtë fushë.

Shtimi i institucioneve e ngarkesave buxhetore nën arsyetimin e luftimit të korrupsionit nuk konfirmon asesi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin sidomos kur kihet para sysh se inisiativat legjislative në këtë fushë tregojnë krejt të kundërten. Pakoja ligjore antikorrupsion, gjegjësisht ligjet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit, konfliktin e interesit, verifikimin e pasurisë së zyrtarëve, transparencën në finansimin e partive politike, në formën siç janë draftuar së voni, vetëm sa krijojnë më shumë ambient për korrupsion. Këto ligje në një masë të konsiderueshme e legjitimojnë konfliktin e interesit, e bëjnë gati të pandëshkueshëm korrupsionin dhe e pamundësojnë një deklarim transparent të pasurisë së zyrtarëve publik.

Nëse do kishte vullnet për luftimin e korrupsionit atëherë edhe institucionet vendore e edhe mekanizmat ndërkombëtarë së pari do duhej të fokusoheshin në ndërtimin e një infrastrukture të fortë ligjore që do ta bënte korrupsionin të kushtueshëm e të dënueshëm. Nuk ka kuptim angazhimi për të krijuar institucione të reja nëse nuk kemi ligje që sanksionojnë korrupsionin, ose e sanksionojnë atë aq but saqë sanksionin e bën leht të përballueshëm për zyrtarët publik.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Gusht 2020

- Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton Komunën e Deçanit. (Objekti i Komunës se Deçanit, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi për financimin e projekteve infrastrukturore me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova. (Komuna e Istogut, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon ceremoninë e prerjes së shiritit të objektit të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc ku pjesëmarrës do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, përfaqësues të ICITAP-it Amerikan dhe personalitete të larta vendore, përfshirë epror të PK-së. (Radavc, rruga Vitomiricë - Kullë, ora 11:00)                                              

- Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit do të bëjë hapjen e pjesës së renovuar të QKMF-së, ku do të punojë ndërrimi i tretë ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DSH-së, Narqize Arënliu Hoxhaj. (QKMF në Prizren, ora 12:00)